Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Projektligji mori 91 vota për, ndërsa në votim nuk mori pjesë Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nisma është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka kërkuar që ndryshimet të miratohen me procedurë të përshpejtuar.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, gjatë prezantimit të projektligjit tha se procesi gjashtëvjeçar në Gjykatën Speciale, sipas tij, ka dëshmuar se nuk ka pasur trafikim të organeve – akuzë që ishte pjesë e debatit që i parapriu themelimit të Dhomave të Specializuara.
Gruda tha se ndryshimet e propozuara nuk cenojnë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Jemi në rregull me të gjitha veprimet ndërkombëtare që ka ndërmarrë Kosova dhe jemi në rregull me Kushtetutën”, deklaroi ai, duke kërkuar mbështetjen e deputetëve për projektligjin.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, rekomandoi miratimin në parim të projektligjit.
Haradinaj kërkon anulimin e Speciales
Projektligji u mbështet edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se vendimet dënuese ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbëjnë, siç u shpreh ai, “ofendim për popullin e Kosovës, institucionet dhe drejtësinë”.
“Ne jemi të ofenduar rëndë. Një vendim dënues për udhëheqësit e UÇK-së është ofendim për popullin e Kosovës, për gjakun tonë, për këtë Parlament e edhe për drejtësinë”, tha Haradinaj.
Ai kërkoi që projektligji të miratohet në të dyja leximet brenda së njëjtës ditë.
Haradinaj tha se, sipas tij, përgjigjja më e drejtë ndaj vendimeve të Gjykatës Speciale do të ishte anulimi i saj.
“Nderi i shqiptarëve, i ynë, i këtij Kuvendi do të ishte një ligj me një nen dhe anulim i kësaj gjykate. Nuk jemi në faj me këtë ligj, është shumë pak dhe shumë vonë”, deklaroi ai.
Kurti: Lëvizjet janë të ngutshme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se lufta e popullit të Kosovës ishte luftë çlirimtare dhe e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “shprehjen më të lartë në histori që nga Lidhja e Prizrenit”.
Kurti tha se lufta e Kosovës ishte përgjigje ndaj gjenocidit të kryer nga Serbia dhe se “për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”.
Megjithatë, ai shprehu rezerva për mënyrën dhe kohën e ndryshimit të ligjit.
“Ka qenë një kohë e shkurtër për të analizuar ligjin, sidomos kur nuk e kemi aktgjykimin e prerë. Këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Specialen janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar sa duhet”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe procesin e vitit 2015, kur u themeluan Dhomat e Specializuara, duke thënë se edhe atëherë, sipas tij, nuk ishin dëgjuar paralajmërimet e Vetëvendosjes.
Kurti tha se zemërimi i qytetarëve ndaj Gjykatës Speciale është i kuptueshëm, por shtoi se ankesat duhet t’u drejtohen atyre që e kanë themeluar gjykatën.
Ai tha se nuk do ta pengojë nismën, por deputetët duhet të marrin përgjegjësi edhe për pasojat e saj.
“Duhet ligj për Gjykatën në Hagë, por edhe president për Kosovën. S’mund të bëhet njëra pa tjetrën. Na duhet një strategji serioze, por për ta zbatuar atë strategji na duhen institucione funksionale. Një ligj për Hagën pa stabilitet institucional rrezikon të përfundojë në dështim”, deklaroi Kurti.
Në fund, Kurti e falënderoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për takimet e zhvilluara mes tyre dhe paralajmëroi se takimi mes tyre do të vazhdonte edhe gjatë ditës.
Ndërkohë, PDK-ja ka bërë të ditur se synon që ndryshimet e ligjit të kalojnë edhe në lexim të dytë, në kohën kur Kuvendi po përballet edhe me afatin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
The GeoPost

Wilson: Regjimi i Vuçiqit po përpiqet të pengojë votimin e diasporës serbe, njësoj si Georgian Dream në Gjeorgji
Biljana Pllavshiq, gruaja që pas masakrës e puthi Arkanin dhe boshnjakët i quajti “material gjenetik të prishur”
YouTuberët austriakë depërtojnë në Batajnicë, publikojnë pamje të bazës ku Serbia operon avionë dhe dronë
Propozimi për Serbinë “tregon se Kongresi ndjek zhvillimet në mënyrë të pavarur nga Shtëpia e Bardhë”
“Malit të Zi i kushtëzohet hyrja në BE”, Kroacia i kërkon pasuri me vlerë mbi 2.4 miliardë euro
Projektligji për Serbinë dorëzohet në Senatin amerikan – parashihen sanksione për destabilizim të Ballkanit