Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • News

Zgjedhjet në Serbi po marrin atmosferë referendumi, a po humb SNS-ja e Vuçiqit

The Geopost October 1, 2026 3 min read
Share the news

Hulumtuesi i organizatës “Mendimi i Ri Politik Serb” (NSPM), Gjorgje Vukadinoviq, ka deklaruar se Serbia po i afrohet një “atmosfere referendumi” në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

Duke komentuar rezultatet e një hulumtimi të opinionit publik të realizuar në fillim të shtatorit, Vukadinoviq tha se vetëm dy aktorë politikë kanë arsye për të qenë të kënaqur me trendet e regjistruara: Lista e Studentëve “Studentët fitojnë” dhe lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar”.

Sipas tij, të dyja listat kanë kaluar pragun prej 40 për qind në matjen e shtatorit.

“Dy aktorë kanë arsye për të qenë të kënaqur, ndërsa pothuajse askush tjetër. Bëhet fjalë për partinë në pushtet dhe ‘Studentët fitojnë’. Ata janë rritur dhe kanë kaluar 40 për qind”, ka thënë Vukadinoviq për N1.

Ai ka bërë të ditur se Lista e Studentëve është matur me 44.4 për qind, ndërsa “Serbia e Bashkuar” me 41.7 për qind.

Në hulumtimin paraprak, Lista e Studentëve kishte 39.6 për qind, ndërsa lista e pushtetit 37.5 për qind, sipas të dhënave të prezantuara nga Vukadinoviqi.

Sipas tij, rritja e dy blloqeve kryesore krijon një situatë në të cilën partitë dhe grupimet e tjera rrezikojnë të mbeten në një pozitë më të vështirë elektorale.

“Po krijohet një atmosferë referendumi dhe kjo i rrezikon të gjithë të tjerët. Edhe ata që janë satelitë të afërt me pushtetin, pjesë e pushtetit, apo opozitën që përpiqet të garojë e vetme”, ka deklaruar ai.

Vukadinoviq përmendi në këtë kontekst edhe koalicionet dhe partitë opozitare që kanë vendosur të garojnë jashtë dy blloqeve kryesore, duke përfshirë Demokracinë e Re Serbe dhe “Serbinë Evropiane”.

Ai tha se edhe Partia Socialiste e Serbisë (SPS) përballet me probleme, por sipas tij, në përmasa më të vogla.

Megjithatë, Vukadinoviq paralajmëroi se rezultatet e hulumtimit nuk duhet të trajtohen si një fotografi përfundimtare të situatës para zgjedhjeve.

Ai theksoi se hulumtimi është zhvilluar në fillim të shtatorit, para mbledhjes së nënshkrimeve për listat zgjedhore dhe para radhëve të gjata të qytetarëve që mbështetën Listën e Studentëve.

Lista e Studentëve më pas mblodhi më shumë se 70 mijë nënshkrime, ndërsa Komisioni Republikan i Zgjedhjeve e regjistroi listën për zgjedhjet e 25 tetorit.

Sipas Vukadinoviqit, rezultatet janë mbledhur gjithashtu para tërheqjes së “Serbisë Popullore” nga gara e pavarur, përçarjeve brenda lëvizjes “Ne – Forca e Popullit” të Branimir Nestoroviqit dhe zhvillimeve brenda Partisë Socialiste të Serbisë.

Në kohën kur është realizuar hulumtimi, ishin publikuar edhe emrat e kandidatëve të Listës së Studentëve, ndërsa disa prej emrave të përmendur në diskutimet rreth listës, përfshirë rektorin Vladan Gjokiç dhe profesorin Milo Lompar, ishin refuzuar.

Për këtë arsye, Vukadinoviq tha se zhvillimet politike që kanë ndodhur pas realizimit të hulumtimit mund të kenë ndikuar në përqindjet e regjistruara.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të mbahen më 25 tetor, ndërsa Lista e Studentëve dhe lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” janë ndër dy subjektet kryesore të regjistruara për garën.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq Serbia Zgjedhjet

Continue Reading

Previous: Zviceranët refuzojnë neutralitetin më të rreptë – ruhet bashkëpunimi me NATO-n

Zviceranët refuzojnë neutralitetin më të rreptë – ruhet bashkëpunimi me NATO-n 2 min read
  • Botë
  • News

Zviceranët refuzojnë neutralitetin më të rreptë – ruhet bashkëpunimi me NATO-n

The Geopost September 27, 2026
Shefi i Departamentit të Thesarit të SHBA-së raporton suksese në izolimin e Iranit 2 min read
  • Botë
  • News

Shefi i Departamentit të Thesarit të SHBA-së raporton suksese në izolimin e Iranit

The Geopost September 27, 2026
Arrestohen dy rusë në Mal të Zi, në banesën e tyre gjendet pasuri me vlerë rreth 1 milion euro 2 min read
  • Ballkan
  • News

Arrestohen dy rusë në Mal të Zi, në banesën e tyre gjendet pasuri me vlerë rreth 1 milion euro

The Geopost September 27, 2026
Stradner: Kremlini mund ta ndihmojë Vuçiqin me energji 7 min read
  • Ballkan
  • News

Stradner: Kremlini mund ta ndihmojë Vuçiqin me energji

The Geopost September 27, 2026
Arretohen nëntë persona në Zubin Potok nën dyshimin për krime lufte 1 min read
  • Ballkan
  • News

Arretohen nëntë persona në Zubin Potok nën dyshimin për krime lufte

The Geopost September 27, 2026
Nga SHBA i vjen paralajmërimi Evropës: Hiqeni partinë e Vuçiqit nga EPP para zgjedhjeve 1 min read
  • Ballkan
  • News

Nga SHBA i vjen paralajmërimi Evropës: Hiqeni partinë e Vuçiqit nga EPP para zgjedhjeve

The Geopost September 27, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.