Një tren që transportonte ish-kryeministrin britanik Boris Johnson dhe ish-drejtorin e CIA-s, David Petraeus, mund të ketë qenë shënjestër e një sulmi rus me dron pranë kufirit Ukrainë-Poloni.
Treni, në të cilin ndodheshin edhe ish-kryeministri suedez Carl Bildt dhe disa këshilltarë evropianë të sigurisë, kishte kaluar kufirin pak para sulmit, shkruan The Guardian.
Një lokomotivë u godit pranë pikës kufitare Dorohusk-Yahodyn, ndërmjet Ukrainës dhe Polonisë.
“Ka shumë gjasa që objektiv i këtij droni rus të ketë qenë edhe treni diplomatik”, sipas deklaratave.
Sipas kompanisë së Hekurudhave, treni ishte nisur nga stacioni më herët sesa ishte planifikuar, pasi orari ishte ndryshuar në kohë reale për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga sulmet ruse.
Johnson reagoi pas sulmit, duke e cilësuar atë si pjesë të sulmeve që ukrainasit përjetojnë çdo ditë.
“Nuk e di se çfarë logjike të shtrembëruar e shtyu Putinin të hidhte në erë një lokomotivë ukrainase të ndalur në kufirin polak këtë mëngjes”, shkroi Johnson në platformën X.
Ai tha se sulmi dëshmon se infrastruktura civile hekurudhore vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj sulmeve ruse.
Sulmi pranë Polonisë ishte pjesë e një vale të gjerë sulmesh ruse gjatë natës në Ukrainë, ku u përdorën më shumë se 450 dronë dhe raketa.
Të paktën gjashtë persona u vranë dhe mbi 40 të tjerë u plagosën. Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se kishin rrëzuar ose neutralizuar 405 dronë dhe katër raketa.
Sulmet goditën rëndë edhe Ukrainën perëndimore, një zonë që ndodhet pranë kufijve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, paralajmëroi se sulmet përbëjnë një kërcënim që po afrohet drejtpërdrejt me territorin e aleancës perëndimore.
“Ky është terrori i Putinit që po troket drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s. Barbarët rusë janë në portat tuaja, të dashur partnerë”, shkroi Sybiha në X.
Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se Ukraina po lufton për të parandaluar zgjerimin e agresionit rus drejt pjesës tjetër të Evropës.
Zhvillimet shkaktuan shqetësim të veçantë në Poloni. Kryeministri Donald Tusk thirri një takim urgjent dhe paralajmëroi se përshkallëzimi i sulmeve ruse mund të prekë edhe territorin polak.
“Javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë periudhë e veprimeve shumë intensive nga pala ruse”, deklaroi Tusk.
Ai tha se Varshava nuk mund ta përjashtojë mundësinë që përshkallëzimi të prekë territorin e Polonisë.
Sipas Tuskut, shërbimet polake të sigurisë dhe inteligjenca e vendeve aleate kishin paralajmëruar se Rusia mund të përpiqej të godiste infrastrukturën kufitare të Ukrainës.
“E dinim se plani rus do të përfshinte një përpjekje për të penguar, paralizuar dhe ndoshta edhe shkatërruar pikat kufitare ukrainase”, tha ai.
Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, reagoi shkurt pas sulmit: “Putini po përshkallëzon”.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Marcin Kierwinski, deklaroi se Polonia po i trajton zhvillimet me seriozitet maksimal.
“Rusia është armiku i botës së lirë”, tha Kierwinski.
Moska ka konfirmuar se ka sulmuar infrastrukturën hekurudhore në Ukrainën perëndimore, por pretendon se ajo përdorej për transportimin e ngarkesave ushtarake nga vendet evropiane./TheGeopost

Dronët rusë godasin vende pranë kufirit polak, Ukraina paralajmëron se Putini po ‘troket në derën e NATO-s’
Propagandë për fëmijë: Shkollat ruse do të shfaqin 83 filma për luftën
Konakoviq alarmon Perëndimin pas nderimeve për Mladiqin në Serbi: Veproni para se të jetë vonë
Kompania Anthropic e pengon Iranin të përdorë modelin Claude për propagandë dhe spiunazh
OKB paralajmëron se Ukraina mund të përballet me dimrin më të vështirë të luftës deri më tani
Një raund i ri bisedimesh për paqe mund të zhvillohet në fillim të tetorit – thotë Budanov i Ukrainës