Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë e Hercegovinës, Zukan Helez, ka raportuar 37 pjesëtarë të Forcave të Armatosura për glorifikimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq dhe aktivitete që lidhen me nderimin e tij.
Nga 37 rastet e raportuara, 10 janë cilësuar si vepra penale dhe, së bashku me provat e mbledhura, janë dërguar në Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës.
Helez ka deklaruar se Forcat e Armatosura të BiH-së nuk do të lejojnë që në radhët e tyre të shërbejnë persona që mohojnë gjenocidin apo glorifikojnë kriminelët e luftës.
“Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës nuk do të jenë institucion ku do të shërbejnë persona që mohojnë gjenocidin, madhërojnë kriminelët e luftës ose glorifikojnë persona të dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid dhe krimet më të rënda të luftës”, ka thënë Helez.
Sipas tij, hetimet do të vazhdojnë edhe ndaj 27 pjesëtarëve të tjerë. Nëse Inspektorati i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes konstaton se ka pasur shkelje të ligjit dhe elemente të përgjegjësisë penale, edhe këto raste do t’i përcillen Prokurorisë së BeH-së.
Në mesin e personave të raportuar janë edhe dy pjesëtarë të rinj të Forcave të Armatosura të BeH-së, të cilët së fundmi janë pranuar në shërbim dhe aktualisht ndodhen në trajnim.
Helez ka paralajmëruar se, në rast se ndaj tyre konstatohet përgjegjësi, kontratat e tyre do të ndërpriten.
Ratko Mlladiq, ish-komandanti i Ushtrisë së Republika Srpska, është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Përgjegjësia e tij për gjenocidin në Srebrenicë është konfirmuar përfundimisht nga gjykatat ndërkombëtare.
Glorifikimi i Mlladiqit dhe mohimi i gjenocidit janë dënuar nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BeH dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
Legjislacioni i Bosnjë e Hercegovinës parasheh dënim deri në pesë vjet burgim për mohimin publik të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të përcaktuara me vendime të formës së prerë, si dhe për madhërimin e kriminelëve të dënuar të luftës.

Forcat ajrore britanike përdorin për herë të parë dronë për të monitoruar aktivitetin e marinës ruse pranë brigjeve britanike
SHBA-ja reagon pasi Kina dhe Rusia thellojnë bashkëpunimin në Arktik
Një Serbi pa Vuçiqin, por me të njëjtën politikë ndaj Kosovës?
SHBA-ja shet 500 raketa Patriot për Ukrainën, por dërgesat pritet të nisin vetëm pas vitit 2030
Kallas thotë se rikthimi i mundshëm i Putinit në G20 rrezikon normalizimin e krimeve të luftës ruse
Zelenskyy në Turqi: Ukraina dëshiron që armët turke të testohen kundër Rusisë