Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

“Marshi për Liri” mbush sheshet në Prishtinë në prag të verdiktit të Gjykatës Speciale

The Geopost September 12, 2026 4 min read
Share the news

Në Prishtinë sot u zhvillua “Marshi për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit përfundimtar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Një skenë ku u mbajten fjalime dhe performanca ishte ngritur në sheshin Skënderbeu, i cili ishte mbushur me njerëz, ngjashëm si rrugët që çojnë drejt tij, si sheshi Nëna Terezë dhe Zahir Pajaziti.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të partive politike, veteranë të luftës në Kosovë, dhe familjarë të të akuzuarve dhe të dëshmorëve të luftës.

Gjatë fjalimit, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se veteranët dhe familjet e tyre kërkojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm.

Ai tha se një “proces i padrejtë” do t’i shërbente vetëm Serbisë dhe Rusisë.

Emblemat e UÇK-së ngjyrosin Prishtinën kuqezi në “Marshin për Liri”

“Liria e Kosovës u fitua me mund e sakrificë. Asnjë sallë e gjyqit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se vendimi i 16 shtatorit nuk do të pranohet nëse është “i padrejtë”.

“Prandaj atyre që marrin vendimet, nga ky shesh u themi ‘mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator’”, tha Hamza.

Para tij, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se katër ish-krerët e UÇK-së kishin luftuar për lirinë e Kosovës dhe se tani ka ardhur koha që atyre t’u shprehej mirënjohje.

“Kush kurrë nuk do të arrijë ta ndotë tregimin tonë për liri”, tha ai.

Pas përfundimit të marshit, përmes një komunikate për media, edhe Qeveria e Kosovës falenderoi organizatorët e marshit dhe pjesëmarrësit për mesazhin e dërguar.

Marshi, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”, zhvillohet në një periudhë kur procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar 16 shtatorin si datën e shpalljes së aktgjykimit, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit.

Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Protesta e sotme nuk është e para që organizohet në Kosovë kundër Gjykatës Speciale apo në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Në prill të vitit 2023, një ditë para nisjes së gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, mijëra qytetarë marshuan në Prishtinë në mbështetje të tyre. Protestuesit e cilësuan procesin si të padrejtë dhe shprehën përkrahje për luftën e UÇK-së.

Një prej tubimeve më të mëdha të viteve të fundit u mbajt më 17 shkurt 2026, në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Mijëra qytetarë morën pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ky marsh u mbajt në kohën kur gjykimi në Hagë po i afrohej fundit. Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e rastit në prill 2025, mbrojtja e kishte përfunduar rastin në dhjetor të po atij viti, ndërsa deklaratat përmbyllëse u mbajtën në shkurt 2026.

Pas kësaj, shpallja e aktgjykimit u shty. Fillimisht ishte paraparë për më herët gjatë vitit, ndërsa në korrik Dhomat e Specializuara njoftuan se verdikti do të shpallet më 16 shtator, duke e arsyetuar shtyrjen me kompleksitetin e rastit dhe vëllimin e madh të provave.

Në këtë rast, prokuroria pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës.

Aktakuza përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte dhe Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.

Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, të krijuara në vitin 2015 për gjykimin e rasteve që lidhen me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999./REL

Tags: Gjykata Speciale Haga Hashim Thaçi Tribunali

Continue Reading

Previous: Studentë iranianë kthehen nga Rusia me njohuri mbase vdekjeprurëse rreth dronëve dhe IA-së
Next: Beogradi, Banjaluka, Lubjana: Tri fytyrat e strategjisë izraelite

Beogradi, Banjaluka, Lubjana: Tri fytyrat e strategjisë izraelite 8 min read
  • Botë
  • News

Beogradi, Banjaluka, Lubjana: Tri fytyrat e strategjisë izraelite

The Geopost September 12, 2026
Studentë iranianë kthehen nga Rusia me njohuri mbase vdekjeprurëse rreth dronëve dhe IA-së 10 min read
  • Botë
  • News

Studentë iranianë kthehen nga Rusia me njohuri mbase vdekjeprurëse rreth dronëve dhe IA-së

The Geopost September 12, 2026
25 vjet pas 11 Shtatorit, Kosova në solidaritet me popullin amerikan 3 min read
  • Ballkan
  • News

25 vjet pas 11 Shtatorit, Kosova në solidaritet me popullin amerikan

The Geopost September 12, 2026
Trump nga Pentagoni: Irani nuk do të ketë kurrë, kurrë një armë bërthamore 1 min read
  • Botë
  • News

Trump nga Pentagoni: Irani nuk do të ketë kurrë, kurrë një armë bërthamore

The Geopost September 12, 2026
Kongresmeni Wilson: Rusia rekruton dhe trajnon operacione terroriste në Serbi 2 min read
  • Botë
  • News

Kongresmeni Wilson: Rusia rekruton dhe trajnon operacione terroriste në Serbi

The Geopost September 12, 2026
Sekretari amerikan i Luftës betohet: Do ta përfundojmë betejën me Iranin 1 min read
  • Botë
  • News

Sekretari amerikan i Luftës betohet: Do ta përfundojmë betejën me Iranin

The Geopost September 12, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.