Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Eksperti gjerman: Serbia mbetet faktori kryesor destabilizues në Ballkan, Vuçiq përdor nacionalizmin për pushtet

The Geopost September 11, 2026 6 min read
Share the news

Serbia mbetet faktori kryesor destabilizues në Ballkanin Perëndimor, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq është shndërruar në një përdorues veçanërisht të aftë të retorikës dhe propagandës nacionaliste për të ruajtur ndikimin e tij politik, argumenton eksperti gjerman Alexander Rhotert në një analizë të publikuar nga “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ).

Në analizën me titull “Ballkani mbetet një rajon problematik i lënë pas dore, Serbia mbetet faktori kryesor destabilizues”, Rhotert paralajmëron se, pavarësisht luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme që kanë dominuar vëmendjen ndërkombëtare, paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor nuk janë ende të garantuara.

Sipas tij, një formë agresive e nacionalizmit serb vazhdon të jetë një prej burimeve kryesore të paqëndrueshmërisë në rajon. Rhotert argumenton se ideja afatgjatë për bashkimin e territoreve të ish-Jugosllavisë të banuara nga serbë në një entitet të vetëm politik vazhdon të ndikojë në një pjesë të establishmentit politik në Beograd.

Ai e përshkruan këtë si një projekt politik shumëvjeçar, i cili nuk është ndjekur vetëm përmes mjeteve ushtarake, por edhe përmes propagandës, diplomacisë dhe partneriteteve me Rusinë dhe Kinën.

Në këtë kontekst, Rhotert përmend edhe deklaratat e Aleksandar Vulinit, të cilin e përshkruan si një prej mentorëve ideologjikë të Vuçiqit. Vulin ka deklaruar më herët se realizimi i konceptit të të ashtuquajturës “botë serbe” mund të zgjasë me vite apo edhe dekada.

Për ekspertin gjerman, deklarata të tilla dëshmojnë ekzistencën e një perspektive strategjike afatgjatë në Beograd, në kontrast me ciklet më të shkurtra politike të demokracive perëndimore.

Një pjesë të rëndësishme të analizës së tij Rhotert ia kushton vetë Vuçiqit, duke e përshkruar atë si një politikan që “e zotëron në mënyrë të përsosur repertorin e nxitjes dhe propagandës”.

Ai rikujton edhe të kaluarën politike të presidentit serb, i cili ishte ministër i Informacionit në qeverinë e Slobodan Millosheviqit gjatë viteve 1998–2000. Sipas Rhotert, stili aktual politik i Vuçiqit nuk mund të ndahet plotësisht nga ajo periudhë, pavarësisht përpjekjeve të tij për ta paraqitur Serbinë si një shtet të përkushtuar ndaj integrimit evropian.

Rhotert kritikon gjithashtu strategjinë e Beogradit për promovimin e një “zgjidhjeje pakete” për zgjerimin e Bashkimit Evropian, sipas së cilës të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësoheshin së bashku në BE.

Sipas tij, një qasje e tillë mund t’i mundësojë Serbisë që të përdorë përparimin e vendeve të tjera të rajonit si levë ndaj Brukselit.

Nëse Serbia dhe Republika Srpska vazhdojnë të lëvizin drejt autoritarizmit, ndërsa në Beograd përkeqësohen sundimi i ligjit, liria e medias dhe lufta kundër korrupsionit, një proces kolektiv i anëtarësimit, sipas Rhotert, mund t’i mundësojë Vuçiqit të shmangë reformat e vështira dhe njëkohësisht të mbajë të gjithë rajonin peng.

Një pjesë tjetër e analizës i kushtohet situatës në Bosnjë e Hercegovinë dhe rolit të Milorad Dodikut dhe partisë së tij, Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD).

Rhotert argumenton se Dodik dhe SNSD-ja kanë penguar qëllimisht përparimin e Bosnjë e Hercegovinës drejt anëtarësimit në BE. Sipas tij, kjo mund t’i kushtojë vendit më shumë se një miliard euro nga fondet e parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së.

Ai thotë gjithashtu se pengesat politike kanë ndikuar në procesin e emërimit të një koordinatori për fondet IPA.

“Plani i Dodikut është të shkatërrojë Bosnjën dhe Hercegovinën si shtet – nëse kjo nuk mund të arrihet ushtarakisht, atëherë me mjete të tjera”, shkruan Rhotert.

Eksperti gjerman paralajmëron se çdo përpjekje për ndarjen e Republikës Srpska nga Bosnja e Hercegovina nuk ka gjasa të realizohet në mënyrë paqësore. Për këtë arsye, ai e sheh si të rëndësishme praninë e forcave të sigurisë së BE-së dhe NATO-s në Bosnjë e Hercegovinë, por edhe në Kosovë.

Në analizën e tij, Rhotert i lidh tensionet aktuale në rajon me trashëgiminë politike dhe ideologjike të luftërave të viteve ’90.

Ai përmend Memorandumin e vitit 1986 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), të cilin e konsideron një prej zhvillimeve që ndihmuan në krijimin e klimës politike që parapriu shpërbërjen e Jugosllavisë.

Sipas tij, dokumenti kontribuoi në konsolidimin e një diskursi të ri nacionalist, përfshirë pretendimet për një “gjenocid” demografik ndaj serbëve në Kosovë dhe kërkesat për ndryshime në rendin kushtetues të Jugosllavisë.

Luftërat e viteve ’90 më pas lanë rreth 140 mijë të vrarë dhe miliona njerëz të zhvendosur.

Rhotert argumenton se elementë të këtyre narrativave vazhdojnë të shfaqen edhe sot në Serbi.

Si shembull, ai përmend deklarata që ia atribuon ministres serbe Snežana Paunović, duke thënë se ajo kishte deklaruar se, po të ishte në pozitën e Millosheviqit në vitin 1998, do të kishte kryer “spastrimin etnik” të Kosovës dhe kishte përdorur një gjuhë çnjerëzuese ndaj shqiptarëve.

Rhotert e cilëson një retorikë të tillë si gjuhë të hapur urrejtjeje dhe argumenton se një diskurs i ngjashëm vazhdon të jetë i pranishëm në pjesë të mediave proqeveritare në Serbi.

Eksperti gjerman kritikon gjithashtu Beogradin për trajtimin e personave të dënuar për krime lufte. Ai përmend rastin e gjeneralit serb Novak Đukić, i dënuar për përgjegjësinë e tij për masakrën e Kapijës në Tuzla në vitin 1995, ku u vranë 71 persona dhe rreth 200 të tjerë u plagosën.

Sipas Rhotert, Đukiq vazhdon të jetojë i lirë në Beograd.

Për të, ky rast dëshmon hendekun mes angazhimit formal të Serbisë për integrimin evropian dhe mënyrës se si ajo trajton trashëgiminë e luftërave të viteve ’90.

Rhotert rikthehet edhe te periudha pas rrëzimit të Millosheviqit, duke e marrë qeverinë e kryeministrit Zoran Đinđić si dëshmi se Serbia kishte mundësi të ndiqte një tjetër drejtim politik.

Ai veçon ekstradimin e Millosheviqit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë si një prej vendimeve më të rëndësishme të Đinđićit. Ky i fundit u vra në vitin 2003 nga persona të lidhur me strukturat e vjetra të sigurisë dhe krimit në Serbi.

Sipas Rhotert, ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe (SNS) të Vuçiqit në vitin 2012 shënoi rikthimin e figurave politike të lidhura me epokën e Millosheviqit dhe qarqet nacionaliste në pozita me ndikim.

Në përfundim të analizës, Rhotert i bën thirrje Bashkimit Evropian që të ndjekë një qasje më të qartë dhe më kërkuese ndaj Beogradit.

Sipas tij, Serbia nuk duhet të lejohet të pengojë apo kushtëzojë aspiratat evropiane të vendeve fqinje.

Ai thekson gjithashtu nevojën që BE-ja të bëjë dallimin mes qeverisë serbe dhe qytetarëve serbë që prej vitesh protestojnë kundër asaj që ai e përshkruan si një formë të demokracisë së kontrolluar nën pasardhësin politik të Millosheviqit.

Për Rhotert, angazhimi evropian me Beogradin nuk mund të bazohet vetëm në deklaratat formale të Serbisë për anëtarësim në BE. Nëse nacionalizmi, tendencat autoritare dhe pengimi i vendeve fqinje vazhdojnë, Brukseli rrezikon të trajtojë një burim të rëndësishëm të paqëndrueshmërisë rajonale sikur të ishte thjesht një tjetër kandidat për integrim gradual.

Në këtë kuadër, sfida për BE-në, sipas ekspertit gjerman, nuk është vetëm nëse Serbia duhet të bëhet pjesë e Evropës, por nëse Beogradi është i gatshëm të përmbushë standardet politike dhe demokratike që kërkon anëtarësimi.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq Alexander Rhotert BE Serbia

Continue Reading

Previous: Spiunë kundër popullit: BIA në fushatën zgjedhore si instrument i Vuçiqit

Spiunë kundër popullit: BIA në fushatën zgjedhore si instrument i Vuçiqit 4 min read
  • Ballkan

Spiunë kundër popullit: BIA në fushatën zgjedhore si instrument i Vuçiqit

The Geopost September 11, 2026
Gazeta gjermane FAZ: Durimit të BE-së me Serbinë i erdhi fundi – Vuçiqi nuk duhet të tolerohet më 2 min read
  • Ballkan
  • News

Gazeta gjermane FAZ: Durimit të BE-së me Serbinë i erdhi fundi – Vuçiqi nuk duhet të tolerohet më

The Geopost September 11, 2026
Togeri i Kosovës, Jevtiq, i përcolli BIA-s dokumente dhe plane operative të Policisë 4 min read
  • Ballkan

Togeri i Kosovës, Jevtiq, i përcolli BIA-s dokumente dhe plane operative të Policisë

The Geopost September 10, 2026
Ministri i Jashtëm i Bosnjës u shkruan shteteve të OKB-së të sanksionojnë Serbinë për nderimet shtetërore për Mlladiqin 5 min read
  • Ballkan

Ministri i Jashtëm i Bosnjës u shkruan shteteve të OKB-së të sanksionojnë Serbinë për nderimet shtetërore për Mlladiqin

The Geopost September 10, 2026
Zyrtari rus i futbollit dhe ish-oficeri i inteligjencës bëhet shtetas i ri serb 6 min read
  • Ballkan

Zyrtari rus i futbollit dhe ish-oficeri i inteligjencës bëhet shtetas i ri serb

The Geopost September 10, 2026
Lidhjet mes politikës, klubeve dhe tifozëve: Madhërimi i Mlladiqit pa reagime dhe sanksione 6 min read
  • Ballkan

Lidhjet mes politikës, klubeve dhe tifozëve: Madhërimi i Mlladiqit pa reagime dhe sanksione

The Geopost September 10, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.