Shërbimi rumun i Inteligjencës (SRI) ka njoftuar se ka parandaluar një operacion të dyshuar sabotimi të koordinuar nga Rusia në territorin e Rumanisë, në një rast që Bukureshti e lidh me përpjekjet e Moskës për të destabilizuar vendet evropiane që mbështesin Ukrainën.
Sipas SRI-së, një shtetas rus, rezident në Rumani, ishte vendosur nën mbikëqyrje që nga shkurti, në kuadër të një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.
Inteligjenca rumune pretendon se aktivitetet e tij përputheshin me një model të identifikuar edhe në raste të tjera të dyshuara të sabotimit rus në vende të Evropës.
Sipas autoriteteve rumune, shtetasi rus kishte marrë udhëzime nga një ndërmjetës për të siguruar fotografi dhe video të objekteve me rëndësi strategjike dhe ushtarake në territorin e Rumanisë.
Në mesin e objektivave të dokumentuara, sipas SRI-së, ishin edhe avionë transporti ukrainas të tipit Antonov, të cilët ndodheshin në territorin rumun.
SRI nuk ka publikuar identitetin e personit të dyshuar dhe as nuk ka dhënë detaje të plota mbi objektivin përfundimtar të operacionit. Megjithatë, inteligjenca rumune thotë se hetimi ka zbuluar elemente që e lidhin aktivitetin me një skemë më të gjerë të operacioneve të dyshuara ruse.
Autoritetet rumune pretendojnë gjithashtu se shërbimet ruse po vazhdojnë të rekrutojnë persona nga kategori të cenueshme të shoqërisë për aktivitete të paligjshme, duke i përdorur ata për mbledhjen e informacionit apo kryerjen e veprimeve në terren.
Rasti vjen në një periudhë kur disa vende evropiane kanë ngritur akuza ndaj Moskës për përfshirje në një seri incidentesh të dyshuara si pjesë e luftës hibride, përfshirë sabotime, sulme kibernetike dhe operacione dezinformimi.
Sipas autoriteteve evropiane, këto aktivitete synojnë të krijojnë pasiguri, të rrisin tensionet e brendshme dhe të dobësojnë mbështetjen politike e publike për Ukrainën.
Rumania ka rëndësi të veçantë në këtë kontekst. Vendi është pjesë e krahut lindor të NATO-s dhe, për shkak të afërsisë me Ukrainën dhe pozicionit të saj në Detin e Zi, luan një rol të rëndësishëm në infrastrukturën logjistike dhe të sigurisë së Aleancës.
Megjithatë, SRI nuk ka publikuar prova që mund të verifikohen në mënyrë të pavarur dhe që do të dëshmonin një lidhje të drejtpërdrejtë të personit të dyshuar me autoritetet ruse.
Moska ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirje në operacione sabotimi në Evropë. Deri në publikimin e këtij raportimi, nuk ishte bërë i ditur ndonjë reagim i ambasadës ruse në Bukuresht ndaj deklaratave të fundit të inteligjencës rumune.
Rasti i fundit në Rumani i shtohet një serie zhvillimesh që kanë nxitur shqetësim në kryeqytetet evropiane për zgjerimin e luftës hibride përtej territorit të Ukrainës.
Përtej përballjes ushtarake, spiunazhi, sabotimi, sulmet kibernetike dhe operacionet e ndikimit po shihen gjithnjë e më shumë si pjesë e një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe vendeve perëndimore.
The GeoPost

BE jep dritën e gjelbër për 3.2 miliardë euro për Patriotët e Ukrainës, mburojë e re kundër sulmeve ruse
Finlanda përfundon 200 kilometrat e murit përgjatë kufirit me Rusinë
Polonia kërkon dëbimin e diplomatëve rusë nga BE-ja: Janë të përfshirë në sabotim dhe aktivitete terroriste
Kushner dhe Witkoff paralajmërojnë fazë të re në bisedimet për paqe në Ukrainë
Të dërguarit e Trumpit japin sinjalin e parë pas takimeve në Rusi e Ukrainë
Gjermania përgatit “mburojën mbrojtëse” kundër sabotimeve, Berlinin e shqetësojnë sulmet hibride