Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Biserko: BE-ja po e përkëdhel sërish Vuçiqin pas funeralit të Mlladiqit

The Geopost September 8, 2026 4 min read
Share the news

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, e ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian për qëndrimin e tij ndaj funeralit të Ratko Mladiqit, duke e cilësuar deklaratën e Komisionit Evropian se ceremonia nuk ishte organizuar nga shteti serb si “një përkëdhelje tjetër” ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq.

Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Biserko tha se, ndonëse në funeral nuk morën pjesë figurat më të larta shtetërore të Serbisë, institucionet shtetërore nuk mund të distancohen plotësisht nga mënyra se si u zhvillua ceremonia.

“Vuçiqi provoi ta relativizojë paksa duke thënë se shteti nuk ishte i përfshirë, gjë që sigurisht që nuk është e vërtetë. Komisioni Evropian tha se kjo që pamë sot nuk ishte një funeral i organizuar nga shteti, gjë që fatkeqësisht, sërish është një përkëdhelje ndaj Vuçiqit”, tha Biserko.

Sipas saj, reagimi i BE-së tregon se Brukseli ka humbur një mundësi të rëndësishme për t’i trajtuar në mënyrë serioze çështjet që lidhen me të kaluarën e rajonit.

“Bashkimi Evropian e ka humbur mundësinë e vërtetë që në këto 15 vjet t’i adresojë këto çështje në mënyrë të duhur dhe t’i shtrojë themelet për një normalizim në rajonin tonë”, deklaroi ajo.

Ratko Mladiqi u varros sot në Serbi, disa ditë pasi vdiq në Hagë në moshën 84-vjeçare. Ai po vuante dënimin me burgim të përjetshëm pasi ishte shpallur fajtor për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.

Bashkimi Evropian ka përsëritur gjatë ditëve të fundit thirrjet kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe mohimit të gjenocidit, duke kërkuar që fokusi të jetë te viktimat dhe pajtimi në rajon.

Megjithatë, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, tha se ceremonia e varrimit të Mladiqit nuk mund të konsiderohet funeral me nderime shtetërore.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Nuk ka vend për glorifikimin e kriminelëve të luftës apo të atyre që mohojnë gjenocidin, ose të atyre që bien ndesh me vlerat më themelore evropiane”, tha Pinho.

Ajo shtoi se Komisioni Evropian kishte dëgjuar se ishte planifikuar një varrim me nderime shtetërore, por kjo nuk kishte ndodhur.

Biserko tha se qëndrimi i Brukselit ndaj Serbisë nuk është një fenomen i ri, duke argumentuar se BE-ja prej vitesh ka ndjekur një politikë “përkëdhelëse” ndaj regjimit të Vuçiqit.

Sipas saj, kjo politikë është problematike edhe për vetë Serbinë.

“Mendoj se Komisioni Evropian është ende peng i politikave të tij që kanë qenë politika përkëdhelëse këto 15 vjet apo edhe më gjatë që prej luftës”, tha ajo.

Biserko shtoi se BE-ja mund të jetë duke treguar kujdes edhe për shkak të pasigurisë lidhur me zhvillimet e ardhshme politike në Serbi dhe rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se sa më gjatë që BE-ja e mbështet status quo-në politike në Serbi, aq më të mëdha mund të jenë pasojat.

“Sa më shumë që BE-ja e prolongon jetën e regjimit të Vuçiqit, më keq do të jetë për Serbinë, sepse ne tashmë jemi në një situatë të keqe dhe kushdo që i ndihmon këtij regjimi do të ketë telashe me të”, tha Biserko.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit vlerësoi gjithashtu se Serbia tashmë është larguar në praktikë nga rruga e reformave që do ta çonin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ajo tha se në gjashtë vitet e fundit nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm në përmbushjen e kushteve për anëtarësim.

Sipas Biserkos, politika e Vuçiqit është karakterizuar nga përpjekja për të mbajtur raporte të balancuara me fuqitë e ndryshme botërore, përfshirë Kinën, Rusinë, Gjermaninë, BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.

“Vuçiqi ka provuar ta balancojë politikën e tij duke iu dhënë secilit prej liderëve të botës diçka, prej Kinës, Rusisë, Gjermanisë, BE-së e madje edhe Shteteve të Bashkuara”, tha ajo.

Por, sipas saj, kjo politikë nuk ka sjellë reforma të vërteta demokratike në Serbi.

“Serbia ka humbur shumë, sepse asgjë në fakt nuk ka ndodhur në të vërtetë në këtë tranzicion apo reforma për t’u demokratizuar”, përfundoi Biserko.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq BE Ratko Mladiq Serbia Sonja Biserko

Continue Reading

Previous: “Galeri banditësh”, kongresisti amerikan: Putin dhe Mladiq janë kriminelë lufte, Vuçiq anti-amerikan
Next: “Pamje tronditëse”: Udhëheqësit e BE-së dënojnë madhërimin e Mlladiqit në Beograd

“Pamje tronditëse”: Udhëheqësit e BE-së dënojnë madhërimin e Mlladiqit në Beograd 2 min read
  • Ballkan

“Pamje tronditëse”: Udhëheqësit e BE-së dënojnë madhërimin e Mlladiqit në Beograd

The Geopost September 8, 2026
“Galeri banditësh”, kongresisti amerikan: Putin dhe Mladiq janë kriminelë lufte, Vuçiq anti-amerikan 2 min read
  • Ballkan

“Galeri banditësh”, kongresisti amerikan: Putin dhe Mladiq janë kriminelë lufte, Vuçiq anti-amerikan

The Geopost September 8, 2026
Joseph: Serbia është platforma kryesore për ndikimin dashakeq rus dhe kinez në Ballkan 2 min read
  • Ballkan

Joseph: Serbia është platforma kryesore për ndikimin dashakeq rus dhe kinez në Ballkan

The Geopost September 8, 2026
Shteti, Kisha dhe “heroi” – çfarë mesazhi dha Serbia me funeralin e Mladiqit 4 min read
  • Ballkan

Shteti, Kisha dhe “heroi” – çfarë mesazhi dha Serbia me funeralin e Mladiqit

The Geopost September 8, 2026
Sarajeva e tërheq stafin e Ambasadës nga Serbia pas varrimit të Mlladiqit me nderime shtetërore 5 min read
  • Ballkan

Sarajeva e tërheq stafin e Ambasadës nga Serbia pas varrimit të Mlladiqit me nderime shtetërore

The Geopost September 7, 2026
Spiunazh, rekrutim dhe ndikim – çfarë tregojnë rastet e BIA-s në Kosovë? 9 min read
  • Ballkan

Spiunazh, rekrutim dhe ndikim – çfarë tregojnë rastet e BIA-s në Kosovë?

The Geopost September 7, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.