Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson ka reaguar ashpër ndaj raportimeve për përdorimin e programeve të avancuara të përgjimit ndaj studentëve, aktivistëve dhe pjesëtarëve të opozitës në Serbi, duke e cilësuar të papranueshme përdorimin e teknologjive të tilla nga autoritetet serbe.
Wilson, i cili është kryetar i Komisionit të Helsinkit të Kongresit amerikan, reagoi pas raportimeve ndërkombëtare për përdorimin e spyware-ve Pegasus dhe NoviSpy ndaj qytetarëve serbë.
“Është e papranueshme që regjimi i Vuçiqit ka përdorur spyware invaziv për mbikëqyrjen dhe shënjestrimin e qytetarëve të Serbisë. Kjo teknologji totalitare po keqpërdoret kundër një populli të lirë që kërkon sundimin e ligjit”, shkroi Wilson në rrjetin social X.
Reagimi i kongresmenit amerikan vjen pas raportimeve të mediave ndërkombëtare se më shumë se dhjetë studentë dhe aktivistë të opozitës në Serbi janë bërë objektiv i programeve të avancuara të përgjimit gjatë vitit 2026.
Sipas përfaqësueses së organizatës SHARE Foundation, Adriana, organizata ka identifikuar të paktën 14 persona që janë shënjestruar me lloje të avancuara spyware-i në fillim të vitit.
“Targetet, në shumicën e rasteve, ishin pjesëtarë të lëvizjes studentore, aktivistë dhe këshilltarë lokalë nga partitë opozitare”, deklaroi ajo, duke shtuar se periudha e shënjestrimit përputhet me fushatën për zgjedhjet lokale të marsit 2026.
Rastet e mëparshme
Përdorimi i spyware-it në Serbi është dokumentuar edhe më herët.
Në fund të vitit 2024, Amnesty International zbuloi një program të panjohur më parë për pajisjet Android, të cilin e quajti NoviSpy. Sipas analizave forenzike, programi ishte përdorur kundër gazetarëve dhe aktivistëve në Serbi dhe kishte aftësi për të nxjerrë të dhëna nga telefonat, si dhe për të aktivizuar në distancë mikrofonin dhe kamerën.
Amnesty International ka deklaruar se, me një shkallë të lartë sigurie, NoviSpy mund t’i atribuohet Agjencisë së Informacionit të Sigurisë së Serbisë (BIA).
Në mars të vitit 2025, organizata publikoi gjithashtu gjetje që, sipas saj, tregonin se dy gazetarë të BIRN në Serbi ishin shënjestruar me spyware-in Pegasus në shkurt të atij viti.
Në një rast tjetër të bërë publik në shkurt 2025, analiza forenzike e telefonit të një aktivisti studentor serb tregoi përdorimin e teknologjisë Cellebrite për anashkalimin e mbrojtjes së pajisjes Android dhe marrjen e qasjes root. Më pas ishte tentuar instalimi i një aplikacioni të panjohur Android, në mënyrë që përputhej me rastet e dokumentuara më herët të NoviSpy.
Kompania Cellebrite njoftoi atë muaj se kishte pezulluar përdorimin e produkteve të saj nga “përdoruesit relevantë” në Serbi, pas publikimit të raportit të Amnesty International.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, të paktën në një rast telefoni i një aktivisti studentor ishte infektuar në distancë me Pegasus, spyware i zhvilluar nga kompania izraelite NSO Group. Në një rast tjetër, NoviSpy dyshohet se ishte instaluar në pajisjen e një personi gjatë kohës që ai ndodhej në paraburgim policor.
Çështjet lidhur me këto raste janë para Prokurorisë Speciale për Krimin e Teknologjisë së Lartë në Serbi.
Wilson rrit presionin politik ndaj Beogradit
Reagimi i Wilson është i rëndësishëm edhe për shkak të rolit të tij në politikën amerikane ndaj Serbisë dhe Ballkanit.
Kongresmeni republikan nga Karolina e Jugut është kryetar i Komisionit amerikan të Helsinkit, institucion që merret me çështje të sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Evropë.
Wilson ka rritur angazhimin e tij ndaj zhvillimeve në Serbi, ndërsa është një nga nismëtarët e “Serbia ACT”, një propozim që parashikon mundësinë e vendosjes së sanksioneve amerikane dhe ndalimit të hyrjes në SHBA për individë që konsiderohen përgjegjës për minimin e demokracisë, paqes dhe stabilitetit në Serbi dhe rajon.
Duke folur për protestat studentore në Serbi, Wilson ka deklaruar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë në qendër të interesimit të tij.
Reagimi i tij i fundit e vendos përdorimin e spyware-it në Serbi në një dimension më të gjerë politik, në një kohë kur qeveria e Aleksandar Vuçiqit po përballet me kritika të vazhdueshme lidhur me trajtimin e protestave studentore, opozitës dhe gazetarëve.
Raportimet për përdorimin e teknologjive të avancuara të përgjimit kanë nxitur shqetësime të reja në lidhje me privatësinë, lirinë e shprehjes dhe përdorimin e aparatit shtetëror të sigurisë ndaj kritikëve të pushtetit në Serbi.
The GeoPost
It is unacceptable that the Vucic regime has used invasive surveillance spyware to target Serbian citizens. This totalitarian technology is being weaponized against a free people demanding the rule of law.https://t.co/Ah7wL0ETMx
— Joe Wilson (@RepJoeWilson) September 2, 2026

Aktakuza për plagosjen e Vukashinoviqit: Familja përmend lidhjet e të dyshuarit me Milan Radoiçiqin
Publikohen emrat e serbëve të lidhur me sulmin në Leipzig – ishin kapur me eksploziv
Arrestohet një person nën dyshime për krime lufte në Zubin Potok
Beogradi forcon ndikimin në Republikën Srpska, krijohet mekanizëm i ri parlamentar
I dyshuari për sabotim në Leipzig fluturoi nga Gjermania në Beograd – gazetari slloven: Serbia, qendër e rrjetit rus të sabotimeve në Evropë
Alarm nga Demokratët Evropianë për spiunazhin në Serbi: Në shënjestër studentë, aktivistë e opozitarë