Partia Evropiane Demokratike ka ngritur shqetësime për përdorimin e programeve të avancuara të spiunazhit ndaj studentëve, aktivistëve dhe figurave opozitare në Serbi.
Në një reagim në platformën X, partia, duke iu referuar raporteve të Citizen Lab dhe SHARE Foundation, ka pretenduar se të paktën 14 studentë, aktivistë dhe përfaqësues të opozitës janë shënjestruar me spyware të avancuar që nga fillimi i vitit 2026.
Sipas Partisë Evropiane Demokratike, një prej rasteve të dokumentuara lidhet me përdorimin e Pegasusit, një spyware i zhvilluar për mbikëqyrje të pajisjeve elektronike. Sulmi dyshohet se është realizuar përmes teknikës “zero-click”, e cila mundëson komprometimin e pajisjes pa pasur nevojë që përdoruesi të klikojë në ndonjë lidhje apo të ndërveprojë me përmbajtjen e dërguar.
“Presioni i Serbisë ndaj disidentëve po intensifikohet”, thuhet në reagimin e publikuar në X.
Partia ka theksuar se përdorimi i spyware-it kundër gazetarëve, aktivistëve dhe kundërshtarëve politikë është raportuar edhe në vende të tjera evropiane, duke përmendur Greqinë, Italinë dhe Kataloninë.
Në reagim, Partia Evropiane Demokratike i ka bërë thirrje Beogradit që të garantojë lirinë dhe sigurinë e personave që shprehin qëndrime kundërshtuese.
Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe lirinë e shprehjes janë pjesë e rëndësishme e procesit të saj të integrimit evropian.
Raportimet mbi përdorimin e spyware-it në Serbi kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për mbikëqyrjen e gazetarëve, aktivistëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile.
The Geo Post

Gjermania heton lidhje me Serbinë dhe Poloninë pas dronit me eksplozivë në Leipzig
Alarm në Serbi: Dhjetëra aktivistë dhe figura të opozitës u shënjestruan me programe spiune para zgjedhjeve
Kremlini shqetësohet për fatin e Vuçiqit: Frikë nga humbja e ndikimit rus në Serbi dhe Ballkan pas zgjedhjeve
Spiunazhi, propaganda dhe dezinformimi: Si po zhvillohet lufta hibride e Serbisë ndaj Kosovës? Flet eksperti i sigurisë, Drizan Shala
Ligjvënësit amerikanë shqyrtojnë lidhjet e Rusisë dhe Kinës me rebelët Huthi
Kompani ushtarake kineze e sanksionuar në panairin e Sarajevës