Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Komiteti i Helsinkit: Vdekja e Mlladiqit nuk i dha fund ideologjisë nacionaliste të Serbisë

The Geopost August 31, 2026 4 min read
Share the news

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka reaguar pas vdekjes së ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, duke shprehur shqetësim për glorifikimin e tij dhe përpjekjet për ta rikthyer figurën e tij si hero kombëtar.

Në deklaratën e tij, Komiteti thekson se shqetësimi nuk lidhet me vdekjen e Mlladiçit, i cili ishte dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, por me mënyrën se si një pjesë e shoqërisë serbe ka reaguar ndaj vdekjes së tij.

Sipas Komitetit, thirrjet për organizimin e një funerali shtetëror, kërkesat për uljen e flamujve në gjysmë shtizë dhe glorifikimi publik i Mlladiçit tregojnë se një pjesë e shoqërisë nuk po e trajton atë thjesht si një kriminel lufte të dënuar.

“Disa po e përdorin atë si një mundësi për të ringjallur dhe riafirmuar mitin e Mlladiçit si hero kombëtar”, thuhet në deklaratë.

Komiteti vlerëson se reagimet pas vdekjes së tij kanë nxjerrë në pah një problem më të thellë të shoqërisë serbe: mungesën e një përballjeje të plotë me politikat dhe ideologjinë që çuan në luftërat e viteve 1990.

Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë serbe vazhdon t’i shohë këto luftëra përmes një narrative ku serbët paraqiten si viktima të një padrejtësie historike, ndërsa ata që udhëhoqën luftërat portretizohen si njerëz që “luftuan për lirinë e popullit serb”.

“Askush nuk duhet të befasohet që kjo ideologji nuk u zhduk me Sllobodan Millosheviqin, as nuk u zhduk me vendimet e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë. Ajo i ka mbijetuar të dyjave”, thuhet në deklaratë.

Jehonë edhe te brezi i ri

Komiteti i Helsinkit e konsideron veçanërisht shqetësuese faktin se glorifikimi i Mlladiçit ka gjetur mbështetje edhe te disa pjesë të brezit të ri, përfshirë segmente të lëvizjes studentore që e paraqet veten si bartëse të ndryshimit demokratik në Serbi.

Sipas Komitetit, kjo tregon se modelet nacionaliste të të menduarit vazhdojnë të jenë thellësisht të rrënjosura në shoqërinë serbe dhe se procesi i përballjes me të kaluarën mbetet i papërfunduar.

Në deklaratë thuhet se Serbia duhet të pranojë se luftërat e viteve 1990 nuk ishin vetëm rezultat i rrethanave të jashtme apo i një “padrejtësie historike”, por edhe pasojë e politikave të ndjekura nga Beogradi për ndryshimin e kufijve dhe statusit politik të serbëve në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Për Komitetin, sfida kryesore mbetet përballja me ideologjinë që justifikonte luftën, zgjerimin territorial dhe përdorimin e dhunës në emër të kombit serb.

Mlladiçi u dënua për gjenocid dhe krime lufte

Ratko Mlladiç, ish-komandant i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, vdiq më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare.

Ai ishte dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë në Hagë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, nga viti 1992 deri më 1995.

Në vitin 2017, ICTY e dënoi Mlladiçin për një akuzë për gjenocid, pesë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte. Dënimi u konfirmua në apel në vitin 2021.

Mlladiçi u shpall përgjegjës, ndër të tjera, për rolin e tij në fushatën e spastrimit etnik dhe krimet e kryera në Bosnjë, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, ku u vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë.

Pikërisht për shkak të rolit të tij në këto krime, ai është cilësuar nga viktimat dhe organizatat e të drejtave të njeriut si një prej figurave kryesore përgjegjëse për krimet më të rënda të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Për Komitetin e Helsinkit, megjithatë, vdekja e Mlladiçit nuk e mbyll çështjen.

Pyetja kryesore, sipas tij, nuk është se çfarë lloj funerali do t’i bëhet, por çfarë tregon glorifikimi i tij për shoqërinë serbe.

“Një kriminel lufte mund të vdesë, ndërsa ideologjia që e shndërroi atë në hero mund të mbijetojë. Kjo është sfida e vërtetë me të cilën Serbia vazhdon të përballet”, përfundon Komiteti.

The GeoPost

Tags: Ratko Mladiq Sebia

Continue Reading

Previous: “Shpresë dhe frikë”: Familjarët e të zhdukurve presin me ankth rezultatet e zhvarrimeve
Next: Mladiqi vdiq, por ideologjia e tij mbeti gjallë – gazetari britanik me analizë për Serbinë

“Ata e dëgjuan Vuçiqin dhe humbën gjithçka” – Stojkoviq rikthen rolin e tij në luftërat e viteve ’90 4 min read
  • Ballkan
  • News

“Ata e dëgjuan Vuçiqin dhe humbën gjithçka” – Stojkoviq rikthen rolin e tij në luftërat e viteve ’90

The Geopost August 31, 2026
Mladiqi vdiq, por ideologjia e tij mbeti gjallë – gazetari britanik me analizë për Serbinë 4 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Mladiqi vdiq, por ideologjia e tij mbeti gjallë – gazetari britanik me analizë për Serbinë

The Geopost August 31, 2026
“Shpresë dhe frikë”: Familjarët e të zhdukurve presin me ankth rezultatet e zhvarrimeve 7 min read
  • Ballkan
  • News

“Shpresë dhe frikë”: Familjarët e të zhdukurve presin me ankth rezultatet e zhvarrimeve

The Geopost August 31, 2026
Kërcënim i rëndë nga një kanal serb në Telegram: “Novi Pazari do të bëhet Vukovari i ri, Sjenica Srebrenica e dytë” 2 min read
  • Ballkan
  • News

Kërcënim i rëndë nga një kanal serb në Telegram: “Novi Pazari do të bëhet Vukovari i ri, Sjenica Srebrenica e dytë”

The Geopost August 30, 2026
Përleshje dhe gaz lotsjellës në Serbi, Demokratët Evropianë godasin Vuçiqin: Nuk është gati për zgjedhje të ndershme 2 min read
  • Ballkan
  • News

Përleshje dhe gaz lotsjellës në Serbi, Demokratët Evropianë godasin Vuçiqin: Nuk është gati për zgjedhje të ndershme

The Geopost August 30, 2026
Avokati nga Beogradi në shënjestër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë: Arsyeja është lidhja midis Vuçiqit dhe Sarajevo Safari? 2 min read
  • Ballkan
  • News

Avokati nga Beogradi në shënjestër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë: Arsyeja është lidhja midis Vuçiqit dhe Sarajevo Safari?

The Geopost August 30, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.