Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Reagime të ashpra për mundësinë që krimineli Mlladiq të varroset me nderime në Serbi

The Geopost August 29, 2026 5 min read
Share the news

Serbia ka paralajmëruar se mund të ketë nderime shtetërore për kriminelin e dënuar për krime lufte, Ratko Mlladiq.

Serbia po përgatitet që ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq, të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake, pavarësisht se ai u dënua me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, ka deklaruar se Mlladiq do të marrë të gjitha nderimet shtetërore dhe ushtarake që i takojnë, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se autoritetet do të respektojnë dëshirën e familjes së tij lidhur me vendin e varrimit.

Vdekja e Mlladiqit dhe paralajmërimet për një varrim me nderime shtetërore kanë shkaktuar reagime të forta në rajon, duke rihapur debatet mbi glorifikimin e personave të dënuar për krime lufte.

Reagime të shumta kanë ardhur edhe nga shtetet e rajonit, organizatat për të drejtat e njeriut dhe figura të ndryshme politike.

Alicia Kearns kritikon Serbinë për varrimin e Mlladiqit me nderime shtetërore

Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar ashpër ndaj raportimeve se Ratko Mlladiq, ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, do të varroset në Serbi me nderime të larta shtetërore.

Përmes një postimi në platformën X, Kearns ka kritikuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe Qeverinë e Serbisë, duke thënë se ata mohojnë gjenocidin e Srebrenicës, ndërsa tani planifikojnë ta varrosin me nderime të plota personin që dha urdhrat për kryerjen e krimeve.

“Vuçiqi dhe Qeveria serbe e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. Tani do ta varrosin njeriun që dha urdhrat, Ratko Mlladiqin, me nderime të plota. Kjo është një rrëfim”, ka shkruar Kearns.

Reagime edhe nga Kosova

Edhe në Kosovë, ideja për varrosjen e kriminelit Mlladiq me nderime shtetërore ka hasur në reagime, me kritika ndaj Serbisë për glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se shteti do të ndihmonte në organizimin e një varrimi “dinjitoz” për Ratko Mlladiqin, nëse familja e tij do ta kërkonte.

“Nuk çuditem që Vuçiqi dëshiron varrim “dinjitoz” për Mlladiqin. Vazhdoj të çuditem se si, në vitin 2026, në zemër të Evropës, ende ekziston një shtet që nuk e ka përfunduar përballjen me të kaluarën e tij, ku kriminelët e luftës vazhdojnë të glorifikohen, ku presidenti i atij vendi i nderon ‘dinjitetshëm’ këta kriminel të dënuar për gjenocid, dhe në politikën e jashtme bashkëpunon hapur dhe madje edhe armatoset nga Rusia, Kina madje edhe Irani?”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Reagime nga Gjermania dhe Bosnja e Hercegovina

Deputetja e SPD-së në Gjermani, Jasmina Hostert, e cila ka lindur në Sarajevë, tha se Mlladiqi ishte përgjegjës për rrethimin e Sarajevës dhe gjenocidin në Srebrenicë.

Ajo theksoi se pas shifrave të viktimave qëndrojnë njerëz dhe jetë të ndërprera nga urdhrat e një krimineli. Hostert tha gjithashtu se Mlladiqi deri në fund e kishte mohuar fajësinë dhe nuk kishte treguar pendesë.

Reagimet nga viktimat dhe familjarët e të vrarëve në Srebrenicë janë ndër më të ashprat. Emir Suljagiq, drejtor i Memorialit të Srebrenicës, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës dhe të së vërtetës për krimet, pavarësisht vdekjes së Mlladiqit.

Kada Hotiq, e cila humbi djalin dhe bashkëshortin, e cilësoi të turpshme trashëgiminë e tij dhe tha se drejtësia ishte që ai të vdiste në burg.

Shoqatat e viktimave e kanë lidhur drejtpërdrejt trashëgiminë e Mlladiqit me varrezat masive, gjenocidin dhe Srebrenicën. Në reagimet publike në Bosnje është shprehur edhe lehtësim që ai vdiq duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm.

Kundërshtime në Serbi

Nga ana tjetër, partitë opozitare dhe organizatat proevropiane në Serbi e kanë kundërshtuar një ceremoni të tillë.

Lëvizja Evropiane në Serbi e ka cilësuar varrimin me nderime shtetërore si “glorifikim institucional” të një personi të dënuar për gjenocid.

Geoffrey Nice: Mlladiqi tashmë i përket historisë

Ish-prokurori i Hagës, Geoffrey Nice, tha se nuk pati ndonjë mendim apo emocion veçanërisht të fortë pasi lexoi lajmin se Ratko Mlladiqi kishte vdekur, i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte.

“Mlladiqi sot i përket kryesisht historisë. Madje edhe në pjesë të ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë, mund të gjeni të rinj në moshë studentore që nuk e dinë se kush është ai. Pra, bëhet fjalë për një figurë historike”, tha Nice.

Reagime në Republika Srpska

Në Republikën Srpska, reagimet kanë qenë kryesisht në drejtim të glorifikimit të figurës së Mlladiqit.

Disa politikanë serbë të Bosnjës, përfshirë Milorad Dodikun, e kanë nderuar dhe kanë vënë në pikëpyetje mënyrën e trajtimit të tij nga Tribunali i Hagës. Reuters raporton se disa figura serbe e kanë cilësuar vdekjen e tij si “vrasje” dhe kanë lavdëruar rolin e tij ushtarak.

Reagime në Mal të Zi dhe Kroaci

Në Mal të Zi ka pasur reagime të forta politike. Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së Mlladiqit.

Kjo ka shkaktuar kritika nga figura politike malazeze, ndërsa ish-kryeministrja kroate Jadranka Kosor ka reaguar duke kërkuar që Kroacia të marrë masa politike ndaj Malit të Zi për shkak të qëndrimeve të Mandiqit.

Media dhe komentatorët kroatë po e trajtojnë Mlladiqin kryesisht përmes rolit të tij në luftërat e viteve ’90. Sipas një analize të European Western Balkans, mediat kroate kanë vënë theks të veçantë në rolin e tij në luftën në Kroaci dhe krimet e kryera gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

Media evropiane e ka përshkruar gjerësisht Mlladiqin si të dënuar për gjenocid dhe si një prej figurave kryesore përgjegjëse për masakrën e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës.

Reagimet ndërkombëtare

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, riafirmoi mbështetjen për viktimat e gjenocidit dhe dënoi mohimin e krimeve. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së drejtësisë historike dhe kundërshtimit të glorifikimit të kriminelëve të luftës.

Media amerikane, përfshirë Associated Press dhe Washington Post, e kanë paraqitur Mlladiqin në kontekstin e vendimit gjyqësor ndërkombëtar: si komandant të forcave serbe të Bosnjës, të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, përfshirë rolin në Srebrenicë dhe rrethimin e Sarajevës.

Në Francë, lajmi është pasqyruar gjerësisht në media. Courrier des Balkans e cilëson Mlladiqin kriminel lufte të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, dhe raporton se vdekja e tij ka rihapur ndarjet e thella në Bosnje dhe Serbi./RTK

Tags: Aleksandar Vuçiq Evropa Kosova OKB Serbia

Continue Reading

Previous: Katër vende të BE-së kërkojnë mënyra të reja për të përdorur asetet e ngrira ruse për Ukrainën
Next: “Për një serb do të vrasim 100 myslimanë”, Stojkoviq i reagon Vuçiqit: Ti je ai që nxite gjenocidin, do duhej të ishe në Hagë me Mlladiqin

KE-ja, Serbisë: Glorifikimi i kriminelëve të luftës s’ka vend në BE 2 min read
  • Ballkan
  • News

KE-ja, Serbisë: Glorifikimi i kriminelëve të luftës s’ka vend në BE

The Geopost August 29, 2026
Shqipëria: Nuk jemi pjesë e asnjë skenari për destabilizimin e Malit të Zi 3 min read
  • Ballkan
  • News

Shqipëria: Nuk jemi pjesë e asnjë skenari për destabilizimin e Malit të Zi

The Geopost August 29, 2026
SHBA-ja shënjestron një bankë në Emirate për transaksione që dyshohet se lidhen me Iranin 2 min read
  • Botë
  • News

SHBA-ja shënjestron një bankë në Emirate për transaksione që dyshohet se lidhen me Iranin

The Geopost August 29, 2026
“Për një serb do të vrasim 100 myslimanë”, Stojkoviq i reagon Vuçiqit: Ti je ai që nxite gjenocidin, do duhej të ishe në Hagë me Mlladiqin 2 min read
  • Ballkan
  • Lajme

“Për një serb do të vrasim 100 myslimanë”, Stojkoviq i reagon Vuçiqit: Ti je ai që nxite gjenocidin, do duhej të ishe në Hagë me Mlladiqin

The Geopost August 29, 2026
Katër vende të BE-së kërkojnë mënyra të reja për të përdorur asetet e ngrira ruse për Ukrainën 5 min read
  • Botë
  • News

Katër vende të BE-së kërkojnë mënyra të reja për të përdorur asetet e ngrira ruse për Ukrainën

The Geopost August 29, 2026
Punonjësi i OSBE-së në Kosovë glorifikoi Mladiqin, reagon organizata: Pretendimet për shkelje të Kodit të Sjelljes merren seriozisht 3 min read
  • Ballkan

Punonjësi i OSBE-së në Kosovë glorifikoi Mladiqin, reagon organizata: Pretendimet për shkelje të Kodit të Sjelljes merren seriozisht

The Geopost August 29, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.