Monedha iraniane ka rënë në nivelin më të ulët historik kundrejt dollarit amerikan, teksa Uashingtoni po përgatit një valë të re sanksionesh dhe po intensifikon presionin ekonomik ndaj Teheranit, pas gati gjashtë muajsh lufte.
Riali iranian është tregtuar të hënën me rreth 1.992 milionë rialë për një dollar amerikan në tregun e parregulluar, sipas Bloomberg News, që ka cituar të dhënat e faqes së monitorimit Bonbast. Një tjetër platformë jozyrtare, TGJU, ka raportuar se monedha iraniane kishte kaluar të dielën pragun simbolik prej 2 milionë rialësh për një dollar.
Zhvlerësimi vjen vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një “operacion dërrmues ekonomik” kundër autoriteteve në Teheran.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, pritet të shpallë të hënën sanksione të reja ndaj Iranit. Në një artikull të publikuar në Financial Times, Bessent ka paralajmëruar atë që e ka cilësuar si një “Ditë D ekonomike”.
“Në agim fillon një Ditë D ekonomike – ofensiva më e madhe financiare e ndërmarrë ndonjëherë kundër një kundërshtari”, ka shkruar Bessent.
Sipas tij, objektivi i Uashingtonit është goditja e të gjitha rrugëve ekonomike që mundësojnë mbijetesën financiare të regjimit iranian.
“Objektivi ynë është të ndërpresim çdo rrugë jetike ekonomike që mban në këmbë regjimin tiranik, derisa Teherani të mbetet i vetëm”, ka deklaruar sekretari amerikan i Thesarit.
Monedha iraniane po përballet me presion të madh për shkak të përpjekjeve të SHBA-së për të izoluar më tej ekonominë e vendit. Uashingtoni po ushtron presion edhe ndaj partnerëve të paktë tregtarë të Iranit, ndërsa masat amerikane kanë goditur portet kryesore në Gjirin Persik dhe eksportet e naftës.
Javën e kaluar, guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit, Abdolnaser Hemmati, ka pranuar se eksportet iraniane të naftës së papërpunuar “praktikisht kanë ndaluar”.
Goditje shtesë për ekonominë iraniane ka ardhur edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga partnerët kryesorë tregtarë të Teheranit, të cilat javën e kaluar njoftuan pezullimin e të gjitha transaksioneve financiare me Iranin deri në një njoftim tjetër.
Sipas gazetës kryesore financiare iraniane Donya-e Eqtesad, rënia e rialit është nxitur nga ndërprerja e transfertave valutore dhe rënia e eksporteve, ndërsa në të njëjtën kohë është rritur kërkesa për importe dhe pritshmëritë për inflacion më të lartë.
Rënia rekord e monedhës pritet të rrisë edhe më tej presionin mbi qytetarët iranianë, duke shtrenjtuar importet dhe duke përkeqësuar fuqinë blerëse në një kohë kur ekonomia e vendit po përballet me një nga goditjet më të rënda të viteve të fundit.
The GeoPost

Sulm kibernetik ndaj një centrali energjetik në Britani, dyshime për hakerë të lidhur me Iranin
Finlanda do të prodhojë dronë për Ukrainën dhe Evropën
Edhe kur largohen nga Rusia, Putini ua vështirëson rusëve shkëputjen nga shtetësia
SHBA-të prezantojnë AIM-424 Malice, raketë me rreze veprimi mbi 463 km
SHBA-të po planifikojnë një shtrëngim të mëtejshëm ekonomik ndaj Iranit, kanë vendosur sanksione ndaj Teheranit që nga viti 1979
Trumpi thotë se Irani s’është i gatshëm të arrijë “marrëveshjen e duhur”