Një central i vogël energjetik në Britaninë e Madhe është detyruar të ndërpresë aktivitetin për rreth katër ditë pas një sulmi kibernetik, ndërsa autoritetet britanike dyshojnë se pas incidentit mund të qëndrojnë hakerë të lidhur me Iranin.
Sipas raportimeve të mediave britanike, sulmi ka ndodhur muajin e kaluar dhe ka prekur një gjenerator të vogël të energjisë. Emri dhe vendndodhja e objektit nuk janë bërë publike nga qeveria britanike dhe Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (NCSC), për arsye sigurie.
Autoritetet kanë bërë të ditur se incidenti nuk ka paraqitur rrezik për furnizimin e përgjithshëm me energji elektrike në vend, pasi objekti i goditur nuk është pjesë e centraleve kryesore që kanë rëndësi kritike për funksionimin e rrjetit kombëtar.
Megjithatë, incidenti ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë kibernetike të infrastrukturës energjetike britanike.
Gazeta britanike The Telegraph raportoi se autoritetet kanë dyshime se sulmi mund të jetë kryer nga aktorë kibernetikë me lidhje me Iranin. Deri më tani, qeveria britanike dhe NCSC nuk kanë bërë një atribim publik të sulmit.
Pas incidentit, Departamenti për Sigurinë Energjetike dhe Net Zero (DESNZ) ka kontaktuar kompanitë e sektorit energjetik për t’i paralajmëruar mbi rritjen e rrezikut nga sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës kritike.
Britania e Madhe operon me një numër gjeneratorësh të vegjël me gaz, të cilët përdoren për të siguruar kapacitete shtesë të energjisë gjatë periudhave kur rritet kërkesa në rrjet.
Për këtë arsye, edhe pse sulmi nuk shkaktoi ndërprerje të furnizimit kombëtar me energji elektrike, fakti që një objekt energjetik u detyrua të ndalojë punën për disa ditë shihet nga autoritetet si një sinjal paralajmërues për dobësitë e mundshme të infrastrukturës kritike ndaj kërcënimeve kibernetike.
Incidenti vjen në një periudhë kur Britania e Madhe dhe aleatët e saj kanë shtuar paralajmërimet për aktivitetet kibernetike të aktorëve shtetërorë dhe grupeve të lidhura me regjime të huaja, veçanërisht ndaj sektorëve të energjisë, komunikimit dhe infrastrukturës kritike.
The GeoPost

Intelegjenca britanike: Rusia është kërcënimi kryesor, po intensifikohet lufta hibride kundër Evropës
Një plan rus për një dimër të ftohtë dhe të errët në Ukrainë
Në BE, por nën mbikëqyrje: Rregullat e reja për anëtarët e ardhshëm
Kosova diskuton me SHBA-në blerjen e helikopterëve Black Hawk
Maqedonci për median ndërkombetare: Serbia vazhdon ta kërcënojë Kosovën, lidhjet me Rusinë shtojnë shqetësimet për sigurinë
Si të justifikohen krimet kundër njerëzimit: Metoda e Kremlinit