Analistët politik serbë, kanë akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se qëndron pas krijimit të strukturave parapolicore të përbëra nga persona me precedentë kriminalë, të cilat, sipas tyre, përdoren për të frikësuar dhe sulmuar kritikët e pushtetit.
Reagimet erdhën pas sulmit fizik ndaj regjisorit dhe profesorit të Fakultetit të Arteve Dramatike, Stevan Filipoviq, i cili deklaroi se më 5 gusht u rrah nga persona që, sipas tij, janë të lidhur me Partinë Përparimtare Serbe (SNS), pasi i fotografoi duke shembur një ndërtesë të mbrojtur në qendër të Beogradit.
Filipoviq tha se sulmuesit e rrëzuan përtokë, e goditën me shqelma dhe me një karrige metalike, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe humbje të përkohshme të vetëdijes. Ndërkohë, Zyra e Parë e Prokurorit Themelor Publik në Beograd njoftoi se ka urdhëruar identifikimin e autorëve dhe mbledhjen e provave, përfshirë pamjet nga kamerat e sigurisë.
Pas incidentit, presidenti Vuçiq deklaroi se dënon çdo formë dhune dhe kërkoi që autorët të identifikohen e të mbahen përgjegjës. Megjithatë, ai shprehu dyshime mbi pretendimet e Filipoviçit për identitetin e sulmuesve, duke thënë se shpreson që ato “të mos jenë trillim politik”.
Presidenti i Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike (ANEM), Veran Matiq, i tha Danas se sulmet ndaj kritikëve të pushtetit nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një modeli të organizuar frikësimi.
Sipas tij, që nga fillimi i protestave studentore dhe qytetare është krijuar një sistem paralel sigurie pranë Presidencës, i përbërë nga persona me precedentë penalë, të cilët, sipas tij, përdoren për të penguar dokumentimin e ngjarjeve publike dhe për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve të qeverisë.
Matiq e krahasoi këtë strukturë me “falangat fashiste”, duke pretenduar se ajo vepron në të gjithë Serbinë dhe gëzon mbrojtje institucionale.
Ai argumentoi se deklaratat publike të Vuçiqit kundër dhunës janë në kundërshtim me veprimet e tij politike, duke përmendur faljen e disa aktivistëve të SNS-së të dënuar për sulme ndaj studentëve dhe mbështetjen publike për persona të përfshirë në incidente të tjera.
Edhe aktivisti qytetar Danijel Dashiq kritikoi presidentin serb, duke deklaruar se klima e pandëshkueshmërisë inkurajon dhunën politike.
Sipas tij, faljet presidenciale dhe mungesa e ndëshkimit për autorët e sulmeve krijojnë bindjen se persona të afërt me pushtetin nuk do të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Në analizën e saj, Danas rikujton edhe raste të tjera të sulmeve ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe figurave publike, përfshirë ekipin e televizionit N1 dhe shkrimtarin Vladimir Arsenijeviq, duke ngritur shqetësime për trajtimin e këtyre rasteve nga organet e drejtësisë.
The GeoPost

Hulumtimi zbulon lidhjet e pronarit të Euronews me Orbanin dhe Vuçiqin, ish-gazetarët flasin për presion politik
Lista Studentore vizitojnë manastiret në Kosovë, nuk dallojnë në deklarime me regjimin e Vuçiqit
Plani amerikan për sigurinë e Evropës: Çfarë mund të ndryshojë për Kosovën?
“Lista e Studentëve” kërkon hetim ndaj Vuçiqit për lidhjet me rrjetet kriminale në Serbi
Analisti gjerman: Pas Vuçiqit, Dodiku është partneri më i vlefshëm i Moskës në Ballkan
“Një milion njerëz do të dalin me arkivolin tim”, kolumnisti serb tallet me kërcënimet e Vuçiqit