Në një kohë kur në Kosovë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e mbetjeve mortore të shqiptarëve të zhdukur me dhunë gjatë luftës së vitit 1999, në Rashkë të Serbisë është zbuluar një monument kushtuar pjesëtarëve të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave.
Kjo njësi ushtarake prej vitesh përmendet në dokumentacionin e organizatave për të drejtat e njeriut dhe në kërkesat e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e krimeve të luftës dhe fatit të personave të zhdukur.
Në ceremoninë e organizuar në Rashkë morën pjesë ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, dhe ish-komandanti i kësaj brigade, Lubisha Dikoviq.
Gjatë ceremonisë, Brigada e 37-të u cilësua si një njësi “heroike”, pavarësisht akuzave dhe kërkesave të vazhdueshme për transparencë rreth veprimtarisë së saj gjatë luftës në Kosovë, raporton kossev.
Institucionet e Kosovës kanë kërkuar vazhdimisht hapjen e arkivave ushtarake të kësaj brigade, duke vlerësuar se dokumentacioni i saj mund të jetë i rëndësishëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
Në korrik të vitit 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Prishtina i kishte dorëzuar Beogradit një kërkesë zyrtare për hapjen e arkivave të Brigadës së 37-të, në kuadër të zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, të arritur në dialogun e ndërmjetësuar në Bruksel. Kjo kërkesë, sipas autoriteteve kosovare, është përsëritur edhe këtë vit në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka theksuar prej kohësh rëndësinë e dokumentacionit të kësaj brigade. Në dosjen e saj për rastin “Rudnica”, organizata pretendon se personat e gjetur në varrezën masive në Rudnicë ishin civilë shqiptarë të vrarë në pranverën e vitit 1999 në rajonin e Drenicës, i cili në atë kohë ishte nën përgjegjësinë operative të Brigadës së 37-të të Motorizuar.
Sipas Fondit, dokumentet e disponueshme dëshmojnë për një operacion të zhvendosjes dhe fshehjes së trupave të viktimave në territorin e Serbisë pas përfundimit të luftimeve.
Beogradi zyrtar i ka kundërshtuar këto pretendime. Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka deklaruar se klasifikimi i dokumenteve është bërë në përputhje me ligjin dhe se kjo nuk pengon punën e institucioneve kompetente.
Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut dhe institucionet e Kosovës vazhdojnë të kërkojnë transparencë për dokumentacionin ushtarak që lidhet me periudhën e luftës, duke theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur mbetet një çështje e pazgjidhur.
Vendosja e një monumenti për një njësi ushtarake që vazhdon të jetë objekt i kërkesave për hetime dhe hapje arkivash ka nxitur reagime, ndërsa familjet e të zhdukurve ende presin informacion për fatin e më shumë se 1 500 personave.
Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë janë dokumentuar emrat e mbi 13 mijë viktimave të luftës së fundit.

Komandanti i KFOR-it: Retorika nxitëse dhe dezinformatat mbeten shqetësim për sigurinë në Kosovë
Serbia arreston në kufi me Hungarinë një burrë nën dyshimin për krime lufte
Kosova arreston edhe një të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok
Ambasada e SHBA-së në Jordani u bën thirrje qytetarëve të saj të shqyrtojnë largimin
Koci: Edhe një shtetas i Kosovës ndalohet nga autoritetet serbe në kufi me Hungarinë
Vendosja e vizave largon rusët nga Mali i Zi