Retorika politike e Beogradit kundër Kosovës vazhdon edhe përmes reagimeve ndaj zbatimit të Ligjit për Turizmin, me zyrtarë serbë që e paraqesin një masë ligjore për licencimin e udhërrëfyesve turistikë si përpjekje për “shuarjen e identitetit serb” në Kosovë.
Kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, njëherësh këshilltar i presidentit të Serbisë për çështjet rajonale, ka akuzuar institucionet e Kosovës se, përmes masave që pritet të hyjnë në fuqi më 1 gusht, synojnë “zhdukjen e emrit dhe identitetit serb në Kosovë”.
Në një reagim të publikuar në Instagram, Vuçeviq e paraqiti zbatimin e ligjit si një “përpjekje të hapur” kundër identitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe. Ai pretendoi se, “nën petkun e rregullimit të tregut”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po ndërmerr veprime kundër Kishës Ortodokse Serbe dhe besimtarëve serbë.
Vuçeviq ka kundërshtuar edhe mundësinë që pelegrinët serbë të shoqërohen nga udhërrëfyes të licencuar në manastiret e Deçanit, Graçanicës dhe Patriarkanës së Pejës. Sipas tij, një praktikë e tillë do të përdorej për të promovuar atë që ai e cilësoi si “teorinë e trashëgimisë shqiptare”.
Deklaratat e tij janë shoqëruar me akuza për “falsifikim historik” dhe pretendime se institucionet e Kosovës po tentojnë të “përvetësojnë” trashëgiminë kulturore dhe fetare që, sipas tij, është ndërtuar nga mbretërit dhe perandorët serbë dhe ruajtur nga murgjit serbë ndër shekuj.
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Dioqeza Rashkë-Prizren, e cila për të dytën ditë radhazi ka kundërshtuar masat që lidhen me vizitat e organizuara në objektet fetare. Sipas saj, grupe pelegrinësh kanë marrë nga Policia e Kosovës fletushka që njoftojnë për zbatimin e Ligjit për Turizmin nga 1 gushti.
Dioqeza pretendon se udhëtimet e pelegrinëve për qëllime fetare nuk mund të trajtohen njësoj me aktivitetet e turizmit komercial. Manastiret e Kishës Ortodokse Serbe, sipas saj, janë “faltore të gjalla”, ku besimtarët shkojnë për lutje dhe shërbesa fetare dhe jo si turistë.
Ndërkohë, institucionet e Kosovës e kanë paraqitur zbatimin e Ligjit për Turizmin si një masë për formalizimin dhe profesionalizimin e sektorit.
Nga 1 gushti, personat që ushtrojnë profesionin e udhërrëfyesit turistik pa licencë do të përballen me masa ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas autoriteteve të Kosovës, qëllimi i këtyre masave është vendosja e standardeve më të larta në sektorin e turizmit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe garantimi që vizitorët vendas dhe të huaj të marrin informacione të sakta nga profesionistë të certifikuar.
Megjithatë, në Beograd kjo çështje po përdoret sërish për të ndërtuar një narrativë politike mbi pretendimet se institucionet e Kosovës po ndërmarrin hapa kundër identitetit dhe trashëgimisë serbe.
Kjo retorikë është pjesë e një tendence të vazhdueshme të zyrtarëve serbë për të interpretuar vendimet dhe masat e institucioneve të Kosovës përmes një kornize politike dhe etnike, duke i paraqitur ato si kërcënim ndaj komunitetit serb dhe trashëgimisë së tij.
Në këtë rast, një masë që institucionet e Kosovës e arsyetojnë me rregullimin e profesionit të udhërrëfyesit turistik dhe zbatimin e ligjit, nga Beogradi po paraqitet si një përpjekje për “zhdukjen e identitetit serb” në Kosovë.
The GeoPost

Vuçiq, nga presidenca në qeveri – modeli i Putinit
Gjurmët ruse dhe serbe në fillimet e sagës së Gjykatës Speciale
Senatorja amerikane paralajmëron për Ballkanin: Serbia, Republika Srpska dhe Rusia mund të hapin një “front të dytë”
Gazeta gjermane FAZ: Fjala e parafundit për Thaçin dhe një fakt historik – lufta kundër Serbisë ishte e pashmangshme dhe e drejtë
Në vend të punës humanitare, vëllazëritë ortodokse po merren me Mlladiqin, Jadranin, Prevlakën, Srebrenicën…
Vuçiq i ndan urdhrin për merita në mbrojtje dhe siguri zyrtarit të qendrës Serbo-Ruse