Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka shprehur shqetësimin për gjendjen e shoqërisë civile në Serbi, duke deklaruar se gjatë ditëve të fundit shumë përfaqësues të saj janë ekspozuar ndaj fushatave shpifëse dhe sulmeve personale.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Kos theksoi se një shoqëri civile e fortë është thelbësore për funksionimin e demokracisë dhe për procesin e integrimit evropian.
“Një shoqëri civile e fortë dhe qytetarë të angazhuar janë një aset për çdo demokraci dhe thelbësorë për një proces të suksesshëm zgjerimi. Ata meritojnë respekt dhe liri fjale pa frikësim ose përpjekje për të delegjitimuar punën e tyre”, shkroi ajo.
Deklarata e komisioneres vjen në një kohë kur në Serbi janë raportuar disa raste që kanë ngritur shqetësime për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e kritikëve të pushtetit.
Një prej tyre është sulmi ndaj shkrimtarit dhe aktivistit Vladimir Arsenijević, themelues i shoqatës “Krokodil”, i cili u rrah më 11 korrik në qendër të Beogradit, vetëm disa orë para mbajtjes së tubimit përkujtimor “Njerëzit Kujtojnë Njerëzit”, kushtuar viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.
Sipas Arsenijevićit, ai u sulmua nga një grup prej 20 deri në 30 të rinjsh, të cilët e goditën me grushte dhe shqelma, ndërsa e kërcënuan para se të largoheshin.
Në vendin ku ishte planifikuar ceremonia përkujtimore ishin shkruar grafite që lavdëronin Ratko Mladiqin dhe Ushtrinë e Republikës Sërpska, si dhe mesazhe që mohonin narrativën e gjenocidit të Srebrenicës.
Incidenti u dënua nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Ambasada Britanike, Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë dhe disa parti opozitare, të cilat kërkuan hetim të plotë. Megjithatë, Prokuroria identifikoi dy persona të përfshirë në sulm, por vlerësoi se rasti nuk përbën vepër penale dhe njoftoi se ndaj tyre do të ngrihen vetëm procedura për kundërvajtje.
Ndërkohë, autoritetet serbe kanë intensifikuar veprimet edhe ndaj analistit ushtarak Aleksandar Radić.
Gjykata e Lartë në Beograd ka urdhëruar lëshimin e një urdhër-arresti ndaj tij, me kërkesë të Prokurorisë së Lartë Publike, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e dyshon për përgatitje të një akti kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit, si dhe për zbulim të informacionit të klasifikuar.
Sipas Prokurorisë, Radić dyshohet se ka siguruar informacione sekrete përmes kontakteve me persona të punësuar në institucionet shtetërore.
Hetimi lidhet me rastin e ashtuquajturit “top zanor”, për të cilin Prokuroria pretendon se protesta masive antiqeveritare e 15 marsit ishte pjesë e një “simulimi” të organizuar nga studentët protestues. Studentët i kanë hedhur poshtë këto pretendime.
Radić ishte një nga ekspertët e parë që deklaroi publikisht se gjatë protestës mund të ishte përdorur një pajisje zanore kundër demonstruesve.
Ai u largua nga Serbia në fund të qershorit, pasi, sipas deklaratës së tij, mediat publikuan pamje nga kamerat e sigurisë së banesës së tij, përfshirë edhe të vajzës së tij të mitur.
Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara kanë kërkuar nga autoritetet serbe zhvillimin e një hetimi të pavarur për ngjarjet e 15 marsit, ndërsa deklarata e fundit e Marta Kos shihet si një tjetër sinjal i shqetësimit të Brukselit për gjendjen e sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes dhe hapësirës për veprim të shoqërisë civile në Serbi.
Over the past days, many Serbian civil society representatives have been subjected to smear campaigns and personal attacks.
A strong civil society and engaged citizens are an asset to every democracy and essential to a successful enlargement process.
They deserve respect and…
— Marta Kos (@MartaKosEU) July 22, 2026

BIRN zbulon mbi 25 ndërhyrje në GPS gjatë protestave studentore, Demokratët Evropianë kërkojnë përgjegjësi nga Serbia
Simiqi e kthen aksionin kundër ndërtimeve pa leje në narrativë për “dëbimin e serbëve”
Dikur kërkonte rishikimi të njohjes për Kosovën, si i zbuti tonet kryeministri çek para vizitës në Beograd
Luftoi për Rusinë në Ukrainë u arrestua në Bosnje dhe Hercegovinë nën dyshimin për drogë dhe armë
Publikohen materiale të reja që rikthejnë dyshimet për rolin e strukturave të sigurisë serbe në rastin ‘Panda’
Beogradi vazhdon me provokime nacionaliste, në tribunat e futbollit shfaqet “Kosova është Serbi”