Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • News

Narrativa propagandistike ruse për Vidovdanin: Si Sputnik dhe RT Balkan e shndërruan aksionin policor në një histori për “përndjekjen e serbëve”

The Geopost June 29, 2026 5 min read
Share the news

Ndërsa institucionet e Kosovës njoftuan se ndalimet në Gazimestan pasuan për shkak të dyshimeve për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe shfaqjes së mesazheve nacionaliste, mediat shtetërore ruse Sputnik Serbia dhe RT Balkan, përmes artikujve pothuajse identikë, promovuan narrativën për “torturë”, “hakmarrje” dhe “terror ndaj serbëve”.

Bëhet fjalë për tekste propagandistike që synojnë ta paraqesin Kosovën si një entitet represiv, ndërsa Serbinë si viktimën e vetme të konfliktit.

Tekste identike – e njëjta propagandë

Analiza e artikujve të publikuar në portalet Sputnik Serbia dhe RT Balkan tregon një përputhje pothuajse të plotë të përmbajtjes, terminologjisë dhe burimeve.

Tituj si “Tortura e Kurtit për Vidovdan” dhe “Hakmarrja e Prishtinës në Gazimestan” nuk janë informues, por paraqesin një gjykim politik të paracaktuar.

Të dy mediat përdorin shprehje me ngarkesë emocionale për t’i sugjeruar lexuesit se bëhet fjalë për një përndjekje sistematike të serbëve, edhe pse bëhet fjalë për një ndërhyrje policore pas një ngjarjeje ku disa persona u ndaluan nën dyshimin për prishje të rendit publik.

Gjuha e propagandës në vend të gjuhës së fakteve

Që në fjalitë e para përdoret shprehja “e ashtuquajtura Polici e Kosovës”, me të cilën mohohet legjitimiteti i institucioneve të Kosovës.

Kjo shprehje përsëritet gjatë gjithë tekstit dhe përfaqëson një model standard propagandistik të mediave ruse dhe pro-Kremlinit.

Përveç kësaj përdoren shprehje si: “tortura e Kurtit”, “hakmarrja e Prishtinës”, “terror ndaj serbëve”, “falangat e Kurtit”, “tirani”, “represioni i regjimit”, “akt antikivilizues i dhunës”.

Asnjëra prej këtyre shprehjeve nuk mbështetet me prova dhe nuk përfaqëson fakt.

Vetëm njëra anë e historisë

Veçanërisht bie në sy se Sputnik dhe RT Balkan citojnë pothuajse ekskluzivisht Zyrën për Kosovën, Petar Petkoviqin, Listën Serbe, Nikola Selakoviqin, Millosh Vuçeviqin dhe avokatin e personave të ndaluar.

Në artikuj pothuajse nuk ka hapësirë për qëndrimet e Policisë së Kosovës, Prokurorisë apo institucioneve të tjera që zhvilluan procedurat.

Përmes këtij përzgjedhjeje selektive të burimeve, lexuesit i mohohet mundësia ta shohë ngjarjen nga më shumë këndvështrime, gjë që përbën një nga karakteristikat themelore të raportimit propagandistik.

Nga aksioni policor te narrativa për përndjekje etnike

Një tjetër model propagandistik shihet në përpjekjen që çdo ndalim të paraqitet automatikisht si dëshmi e përndjekjes së serbëve.

Në artikuj nuk shqyrtohet mundësia që individët të jenë ndaluar për shkak të veprimeve konkrete ose sjelljeve që policia i konsideron shkelje të ligjit, por nxirret menjëherë përfundimi se motivi ka qenë vetëm përkatësia etnike.

Në këtë mënyrë, ndërhyrja policore shndërrohet në pjesë të një narrative shumë më të gjerë për represionin e pretenduar sistematik ndaj serbëve, duke e përdorur ngjarjen për të forcuar narrativat politike të Beogradit dhe Moskës.

Vidovdani si instrument i mobilizimit politik

Një pjesë e madhe e artikujve i kushtohet mesazheve historike dhe fetare nga Gazimestani, përfshirë fjalimet e klerikëve për “Besëlidhjen e Kosovës”, “Mbretërinë Qiellore” dhe luftën e përjetshme për Kosovën.

Në këtë mënyrë, Vidovdani përdoret jo si festë fetare, por edhe si simbol politik për mobilizimin e ndjenjave kombëtare.

Këto tekste nuk synojnë vetëm publikun vendas. Qëllimi i tyre është edhe formësimi i perceptimit ndërkombëtar për Kosovën si një vend ku, sipas tyre, shkelen sistematikisht të drejtat e serbëve.

Në këtë mënyrë synohet delegjitimimi i Kosovës para partnerëve ndërkombëtarë dhe njëkohësisht forcimi i narrativës që Rusia përdor prej vitesh për Ballkanin – se serbët janë viktima të përhershme të Perëndimit, ndërsa institucionet e Kosovës paraqiten si represive dhe jolegjitime.

Më shumë artikuj me të njëjtin mesazh – përforcim i koordinuar i narrativës

Analiza tregon se RT Balkan nuk u kufizua në një raportim për ngjarjet në Gazimestan, por gjatë së njëjtës ditë publikoi disa artikuj me pothuajse të njëjtin mesazh, duke krijuar përshtypjen se bëhej fjalë për një përndjekje të gjerë dhe sistematike të serbëve.

Njëri prej artikujve mban titullin “Lidhur me ndalimet në Gazimestan: Prishtina e shfrytëzoi Vidovdanin për hakmarrje ndaj serbëve”, ku pothuajse në tërësi transmetohet komunikata e Zyrës për Kosovën, pa asnjë distancë kritike apo përpjekje për verifikimin e pretendimeve.

Po atë ditë RT Balkan publikoi edhe artikullin me titull “Tensione në Gazimestan: Policia e Prishtinës ndaloi disa dhjetëra serbë”, i cili forcon më tej atmosferën e frikës dhe konfliktit.

Në tekst theksohet se janë ndaluar “një baba me fëmijën”, “vajza”, se janë përdorur dronë dhe njësi speciale të policisë, ndërsa njëkohësisht sugjerohet se njerëzit janë ndaluar vetëm për shkak të këndimit të këngëve patriotike.

Veçanërisht karakteristike është se RT Balkan rikujton ngjarjet e vitit të kaluar, duke pretenduar se edhe atëherë kishte pasur “sulme të ngjashme ndaj serbëve”, duke krijuar te publiku përshtypjen se Kosova i përndjek sistematikisht serbët në çdo Vidovdan. Në këtë mënyrë, një ngjarje e veçuar paraqitet si pjesë e një politike të vazhdueshme shtetërore kundër serbëve.

Duke publikuar disa artikuj pothuajse identikë brenda një periudhe të shkurtër kohore, RT Balkan zbaton teknikën e njohur propagandistike të përsëritjes së mesazhit.

Edhe pse secili tekst ka titull të ndryshëm, narrativa themelore mbetet e njëjtë: Kosova paraqitet si një entitet represiv që, sipas tyre, e përdor Vidovdanin për t’u përballur me serbët, ndërsa lihet jashtë konteksti më i gjerë i sigurisë dhe ai juridik lidhur me ngjarjet.

/The Geopost/

Continue Reading

Previous: Kandiq ngre dyshime për varr masiv të mundshëm në Pasuljanske Livade të Serbisë

Kandiq ngre dyshime për varr masiv të mundshëm në Pasuljanske Livade të Serbisë 2 min read
  • News

Kandiq ngre dyshime për varr masiv të mundshëm në Pasuljanske Livade të Serbisë

The Geopost June 29, 2026
Vuçiqi flet me gjuhën e armëve: Rikthen shërbimin ushtarak dhe hap fabrikë dronësh 2 min read
  • News

Vuçiqi flet me gjuhën e armëve: Rikthen shërbimin ushtarak dhe hap fabrikë dronësh

The Geopost June 29, 2026
Kanalet pro-serbe në Telegram dezinformojnë për sjelljen e policit në Gazimestan 2 min read
  • News

Kanalet pro-serbe në Telegram dezinformojnë për sjelljen e policit në Gazimestan

The Geopost June 29, 2026
Eurodeputetja Brent: Vuçiq nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pushteti, Evropa të mos përsërisë gabimet e së kaluarës 2 min read
  • Ballkan
  • News

Eurodeputetja Brent: Vuçiq nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pushteti, Evropa të mos përsërisë gabimet e së kaluarës

The Geopost June 29, 2026
Evropa Qendrore dhe Lindore bëhet testi i sigurisë së NATO-s 5 min read
  • Botë
  • News

Evropa Qendrore dhe Lindore bëhet testi i sigurisë së NATO-s

The Geopost June 29, 2026
Raporti i GLOBSEC: A është mbrojtja ajrore thembra e Akilit e Evropës? 3 min read
  • Botë
  • News

Raporti i GLOBSEC: A është mbrojtja ajrore thembra e Akilit e Evropës?

The Geopost June 29, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.