Komisioni Evropian miratoi një paketë financiare për Malin e Zi, me vlerë prej gati 3.2 miliardë eurosh.
Së bashku me vendimin për nisjen e hartimit të Traktatit të Anëtarësimit, ky konsiderohet një nga vendimet më të rëndësishme për Malin e Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi përfaqëson përgatitje konkrete financiare për anëtarësimin në bllok.
“Paketa e sotme është një tjetër hap konkret drejt së ardhmes së Malit të Zi në Unionin tonë. Po përgatisim Malin e Zi, shtetet anëtare dhe institucionet tona, sepse zgjerimi ka sukses vetëm kur është një projekt i përbashkët evropian, i ndërtuar mbi merita, përkushtim dhe besim”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se kjo paketë përfaqëson përmbushjen e angazhimeve të Bashkimit Evropian, ndërsa Mali i Zi vazhdon zbatimin e reformave në rrugën drejt anëtarësimit.
“Kjo do ta bëjë kalimin e Malit të Zi nga një vend kandidat në një shtet anëtar sa më të lehtë që është e mundur. Do të sigurojë vazhdimësi që nga dita e parë e anëtarësimit”, tha Kos.
Sipas Komisionit Evropian, qëllimi i paketës është ta përgatisë Malin e Zi për pjesëmarrje të plotë në buxhetin dhe politikat e Bashkimit Evropian.
Kjo nënkupton se, menjëherë pas anëtarësimit, Mali i Zi do të mund të përfitojë nga fondet evropiane njësoj si shtetet e tjera anëtare, ndërsa, në të njëjtën kohë, do të nisë të kontribuojë në buxhetin e përbashkët të BE-së.
Në këtë mënyrë synohet të shmangen ndërprerjet në financim dhe të lehtësohet kalimi administrativ nga statusi i vendit kandidat në atë të shtetit anëtar.
Paketa bazohet në supozimin se Mali i Zi do të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028
Paketa financiare është hartuar mbi bazën e propozimit për buxhetin e ri shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian për periudhën 2028-2034.
Llogaritjet janë bërë duke u nisur nga supozimi se Mali i Zi do të anëtarësohet në BE në vitin 2028.
Paketa është pjesë e negociatave në kuadër të Kapitullit 33, që ka të bëjë me dispozitat financiare dhe buxhetore dhe përcakton mënyrën se si një shtet i ri anëtar merr pjesë në buxhetin e Bashkimit Evropian.
Në këtë dokument, Komisioni Evropian vlerëson se sa fonde do të mund të përfitonte Mali i Zi nga programet e ndryshme të BE-së, sa do të kontribuonte në buxhetin e përbashkët dhe cili do të ishte efekti i përgjithshëm financiar i anëtarësimit të tij.
Propozimi i është dërguar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe do të shërbejë si bazë për negociatat me Malin e Zi në kuadër të Kapitullit 33.
Qëllimi i Komisionit është të sigurojë një kalim sa më të lehtë financiar, nëse Mali i Zi bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028, duke kufizuar njëkohësisht ndikimin në buxhetet e shteteve ekzistuese anëtare.
Për këtë arsye, në qarqet diplomatike thuhet jozyrtarisht se anëtarësimi i Malit të Zi do t’u kushtonte qytetarëve të Bashkimit Evropian më pak se një euro në vit për kokë banori.
Mali i Zi: Dy vendime të rëndësishme nga BE-ja
Për Qeverinë e Malit të Zi, ky është një nga dy vendimet më të rëndësishme që Bashkimi Evropian ka marrë deri më tani në favor të këtij vendi.
“Mali i Zi është i vetmi vend kandidat i përfshirë në këtë parashikim buxhetor – çka përbën një sinjal të fortë politik se Bashkimi Evropian e sheh atë si anëtarin e ardhshëm”, tha për Radion Evropa e Lirë ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq.
Sipas saj, BE-ja po i planifikon qysh tani fondet që Mali i Zi do të mund t’i përdorë si shtet anëtar, në mënyrë që kalimi nga fondet e para-anëtarësimit te fondet e rregullta evropiane, të bëhet sa më lehtë dhe pa ndërprerje në financimin e projekteve zhvillimore dhe reformuese.
“Ky planifikim tregon se Bashkimi Evropian nuk po përgatitet vetëm për vazhdimin e negociatave me Malin e Zi, por edhe për anëtarësimin e tij të suksesshëm, duke njohur rezultatet konkrete të reformave që po zbaton kjo qeveri dhe përparimin që vendi ka arritur në procesin e integrimit evropian”, tha Gorçeviq.
Anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të kishte kosto minimale
Sipas njohësve të procesit të integrimit evropian, paketa financiare tregon se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian do të kishte një kosto shumë të vogël për qytetarët e BE-së.
“Kjo paketë tregon qartë se sa e vogël është kostoja për Bashkimin Evropian nga anëtarësimi jo vetëm i Malit të Zi, por edhe i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, përparimi i shpejtë dhe i suksesshëm i Malit të Zi do të dëshmonte se Bashkimi Evropian, pavarësisht skepticizmit dhe vështirësive me të cilat përballet, ende mund ta ringjallë politikën e zgjerimit”, tha për Radion Evropa e Lirë Peter Zherjaviç, korrespondent nga Brukseli për gazetën sllovene, Delo.
Duke kujtuar zgjerimin e madh të Bashkimit Evropian në vitin 2004, kur në një ditë u anëtarësuan dhjetë shtete, Zherjaviç vlerësoi se hyrja e Malit të Zi në BE mund të nxisë zhvillimin ekonomik të vendit, falë fondeve të konsiderueshme që do të vihen në dispozicion nga buxheti evropian.
“Anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian do të kontribuonte edhe në forcimin e pozitës së tij si pjesë e hapësirës politike dhe të sigurisë së Perëndimit”, tha ai.
Si do të shpërndahen fondet?
Sipas propozimit të Komisionit Evropian për buxhetin e ri të BE-së, Mali i Zi mund të përfitojë gjatë periudhës shtatëvjeçare disa fonde evropiane:
1.99 miliard euro përmes Planit Kombëtar dhe Rajonal të Partneritetit;
277 milionë euro nga Politika e Përbashkët Bujqësore;
592 milionë euro për programe në fushën e punëve të brendshme;
37 milionë euro për programet e bashkëpunimit ndërkufitar Interreg;
si dhe fonde shtesë nga programe të tjera të brendshme dhe të jashtme të Bashkimit Evropian.
Mali i Zi është vendi më i avancuar kandidat në procesin e integrimit evropian dhe konsiderohet si kandidati më i mundshëm për t’u bërë anëtari i ardhshëm i BE-së.
Deri tani, ai ka mbyllur përkohësisht 16 nga 33 kapitujt e negociatave.
Autoritetet në Podgoricë presin që negociatat e anëtarësimit të përfundojnë deri në fund të këtij viti, duke krijuar kushtet që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian gjatë vitit 2028.

Shefi i CIA-s: Një ushtar rus mbijeton mesatarisht 20–30 minuta në Ukrainë
Europoli dhe algoritmi i ri kundër terrorizmit
Gjermania dhe Franca nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje dhe pengim bërthamor
BE vendos sanksione ndaj grupit rus të teknologjisë së mbrojtjes
Rusia përballet me mungesë pajisjesh për anijet Arc7, Kina nuk i eksporton për shkak të sanksioneve
Komisioni Evropian: Mali i Zi po bën përparim, Serbia ende përballet me sfida serioze