Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Beteja e Kosovës dhe Millosheviqi në Gazimestan: Si u përdor historia për politikë dhe mobilizim të serbëve

The Geopost June 28, 2026 6 min read
Share the news

Data 28 qershor shënon përvjetorin e Betejës së Kosovës, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Ballkanit, e zhvilluar në vitin 1389 në Fushën e Kosovës.

Në këtë betejë, koalicioni i ushtrive të popujve të Ballkanit u përball me Perandorinë Osmane, duke pësuar një humbje që do të ndikonte në fatin politik të rajonit për shekuj me radhë.

Pas kësaj beteje, shumica e popujve të Ballkanit ranë nën sundimin osman ose u detyruan të pranonin statusin e vasalit të sulltanit. Serbia u bë pjesë e Perandorisë Osmane, ndërsa princërit shqiptarë vazhduan rezistencën kundër pushtimit. Figura më e shquar e kësaj qëndrese u bë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili në mesin e shekullit XV udhëhoqi luftën kundër osmanëve.

Beteja e Kosovës u zhvillua më 28 qershor sipas kalendarit gregorian (15 qershor sipas kalendarit të vjetër), ndërmjet koalicionit të princërve ballkanikë, të udhëhequr nga princi Lazar, dhe ushtrisë osmane të komanduar nga Sulltan Murati I, i cili sundoi nga viti 1360 deri më 1389.

Përplasja ishte jashtëzakonisht e përgjakshme. Gjatë luftimeve u vranë të dy udhëheqësit – Princi Lazar dhe Sulltan Murati I – si dhe një numër i madh princërish dhe luftëtarësh nga të dyja palët. Ushtritë pësuan humbje aq të mëdha, sa pothuajse u shkatërruan plotësisht.

Megjithatë, Perandoria Osmane kishte burime njerëzore dhe ushtarake për të krijuar një ushtri të re brenda një kohe relativisht të shkurtër. Ndërkohë, popujt e Ballkanit nuk kishin mundësi të rikuperonin forcat e tyre, gjë që përshpejtoi rënien e shumicës së tyre nën sundimin osman.

Historianët vlerësojnë se për Betejën e Kosovës ekzistojnë pak burime të drejtpërdrejta historike dhe shumë prej tyre janë kontradiktore. Për këtë arsye, kjo ngjarje njihet sot po aq për mitet dhe legjendat që janë ndërtuar rreth saj, sa edhe për faktet historike.

Në kohën e Sulltan Muratit I, Perandoria Osmane kishte zgjeruar kontrollin e saj nga Anadolli drejt Ballkanit. Në verën e vitit 1389, ushtria osmane mbërriti në Kosovë, ku u përball me koalicionin e princërve ballkanikë.

Megjithëse beteja shpesh është paraqitur si një përballje midis serbëve dhe turqve ose midis të krishterëve dhe myslimanëve, të dhënat historike tregojnë një realitet më kompleks.

Në anën osmane luftonin jo vetëm trupat e Perandorisë, por edhe ushtarë të princërve vasalë, përfshirë të krishterë. Ndërkaq, në anën tjetër ishte një koalicion i princërve të ndryshëm të Ballkanit, ku merrnin pjesë edhe shumë princër shqiptarë.

Dihet se gjatë betejës u vra Princi Lazar, por rrethanat e sakta të vdekjes së tij mbeten të paqarta. Një tjetër princ serb, Vuk Brankoviq, duke parë se beteja nuk mund të fitohej dhe me synimin për të shpëtuar sa më shumë luftëtarë, u tërhoq nga fusha e betejës. Në traditën popullore serbe, ai është paraqitur si tradhtar dhe tërheqja e tij konsiderohet shkaku kryesor i humbjes dhe i vdekjes së Princit Lazar.

Po në këtë betejë u vra edhe Sulltan Murati I. Sipas legjendës më të njohur, ai u vra nga Milosh Obiliqi, një figurë që zë vend qendror në mitologjinë serbe për Betejën e Kosovës.

Pas vdekjes së Muratit, në fron erdhi i biri, Bajaziti I, i cili vazhdoi fushatat pushtuese në Ballkan. Megjithatë, në vitin 1402 ai u mund pranë Ankarasë nga ushtria e Timurlengut, çka dobësoi përkohësisht Perandorinë Osmane.

Kjo periudhë u krijoi mundësi zotërinjve shqiptarë të forconin pozitat e tyre politike dhe ushtarake. Në skenën politike u shfaqën familje të fuqishme feudale si Balshajt, Dukagjinët dhe Zahariajt në Shqipërinë e Veriut; Kastriotët, Topiajt, Arianitët, Muzakajt dhe Gropajt në Shqipërinë e Mesme; si dhe Shpatajt e Zenebishët në Shqipërinë e Jugut.

Në të njëjtën kohë, Republika e Venedikut mori nën kontroll qytetet kryesore bregdetare nga Gjiri i Kotorrit deri në Artë. Budva, Ulqini, Shkodra, Lezha, Durrësi dhe Parga u bënë pjesë e asaj që njihet në histori si Arbëria Venedikase.

Si e shfrytëzoi Slobodan Milosheviqi Betejën e Kosovës

Më 28 qershor 1989, në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Slobodan Millosheviq, mbajti fjalimin e tij të njohur në Gazimestan, në një ceremoni të organizuar pak kohë pasi kishte suprimuar autonominë e Kosovës, veprim që kishte nxitur protesta masive të shqiptarëve.

Sipas autoriteteve serbe dhe jugosllave, në tubim morën pjesë deri në dy milionë njerëz, ndërsa agjencia Reuters raportoi se numri i pjesëmarrësve ishte rreth 300 mijë.

Në fjalimin e tij, Milosheviqi deklaroi:

“Përsëri jemi para betejave dhe në beteja. Këto nuk janë të armatosura, por as të tillat nuk mund të përjashtohen.”

Kjo deklaratë u interpretua gjerësisht si paralajmërim për konfliktet që pasuan në shpërbërjen e Jugosllavisë gjatë viteve ’90.

Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve serbe, jugosllave dhe të Kishës Ortodokse Serbe. Ngjarja u bojkotua nga anëtari kroat i Presidencës Jugosllave, Stipe Šuvar, si dhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe ambasadorët e vendeve të Komunitetit Evropian dhe NATO-s.

Përjashtim bëri Turqia, e cila mori pjesë për shkak të interesit historik si shtet pasardhës i Perandorisë Osmane.

Në një kthesë simbolike të historisë, pikërisht më 28 qershor 2001, dymbëdhjetë vjet pas fjalimit në Gazimestan, Slobodan Milosheviqi iu dorëzua Tribunalit të Hagës nga autoritetet serbe për t’u gjykuar për krimet e luftës, përfshirë ato të kryera në Kosovë.

Vidovdani dhe masat e sigurisë në Kosovë

Më 28 qershor, serbët shënojnë edhe Ditën e Shën Vidit, të njohur si Vidovdan, duke organizuar ceremoni fetare në Graçanicë dhe Gazimestan, pranë Obiliqit, si përkujtim i Betejës së Kosovës.

Me rastin e kësaj dite, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e manifestimeve.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që të shmangin çdo provokim, të respektojnë ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë. Gjithashtu është paralajmëruar se mund të ketë bllokime të përkohshme dhe devijime të trafikut.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e detyrave të saj ligjore dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ndërkohë, një vit më parë, më 10 qershor, Komuna e Graçanicës kishte vendosur që festa e Vidovdanit të shënohej me simbole dhe flamuj të shtetit serb.

Ky vendim u rrëzua përfundimisht më 12 qershor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila vendosi se gjatë manifestimeve nuk mund të përdoren simbole dhe flamuj të Serbisë.

Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se një vendim i tillë mund të provokojë tensione ndëretnike, veçanërisht nëse perceptohet se autoritetet komunale favorizojnë një komunitet në kundërshtim me rendin juridik.

“Ky rrezik për rendin publik është edhe më i lartë në kontekstin kur simboli i një shteti tjetër shfaqet në mënyrë të organizuar nga një autoritet publik komunal, pa pëlqimin ose autorizimin e institucioneve qendrore”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

The GeoPost

Tags: Beteja e Kosovës Gazimestani Slobdan Millosheviq

Continue Reading

Previous: Videnoviq: Mediat në Serbi heshtin për lidhjet e agjentëve rusë dhe financimin e organizatave proruse nga frika e FSB-së dhe GRU-së
Next: Policia e Kosovës shton masat e sigurisë në Gazimestan, kontrolle të rrepta gjatë tubimit për Vidovdan

Kënduan këngë nacionaliste, Policia ndalon disa persona pas përfundimit të “Vidovdanit” 3 min read
  • Ballkan
  • News

Kënduan këngë nacionaliste, Policia ndalon disa persona pas përfundimit të “Vidovdanit”

The Geopost June 28, 2026
Policia e Kosovës shton masat e sigurisë në Gazimestan, kontrolle të rrepta gjatë tubimit për Vidovdan 1 min read
  • Ballkan

Policia e Kosovës shton masat e sigurisë në Gazimestan, kontrolle të rrepta gjatë tubimit për Vidovdan

The Geopost June 28, 2026
Videnoviq: Mediat në Serbi heshtin për lidhjet e agjentëve rusë dhe financimin e organizatave proruse nga frika e FSB-së dhe GRU-së 2 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Videnoviq: Mediat në Serbi heshtin për lidhjet e agjentëve rusë dhe financimin e organizatave proruse nga frika e FSB-së dhe GRU-së

The Geopost June 28, 2026
Analistët thonë se përçarja Rubio-Lavrov zbulon strategjinë e Moskës për t’ia hedhur fajin Ukrainës 6 min read
  • Botë
  • News

Analistët thonë se përçarja Rubio-Lavrov zbulon strategjinë e Moskës për t’ia hedhur fajin Ukrainës

The Geopost June 28, 2026
Trajkoviq: Politikat e Vuçiqit i kanë shtyrë serbët e Kosovës në një krizë të thellë 1 min read
  • Ballkan
  • News

Trajkoviq: Politikat e Vuçiqit i kanë shtyrë serbët e Kosovës në një krizë të thellë

The Geopost June 28, 2026
Raketat ukrainase “Flamingo” godasin fabrikën strategjike ruse në Volgograd 2 min read
  • Botë
  • News

Raketat ukrainase “Flamingo” godasin fabrikën strategjike ruse në Volgograd

The Geopost June 28, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.