Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka organizuar Forumin 2026 me temën “Integriteti Zgjedhor përballë Kërcënimeve Hibride: Implikimet e Sigurisë nga Ndërhyrja e Huaj”, ku ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë kanë ngritur alarmin për rreziqet që ndërhyrjet hibride, dezinformimi dhe presionet politike paraqesin për proceset zgjedhore në Kosovë.
Në forum u diskutua veçanërisht për ndikimin e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë, përdorimin e strukturave politike dhe mediale për manipulim informativ, si dhe për rrezikun e sulmeve kibernetike ndaj institucioneve zgjedhore.
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se rastet e fundit në Evropë kanë treguar se ndërhyrjet hibride përbëjnë kërcënim serioz për demokracinë dhe stabilitetin rajonal.
Sipas tij, Serbia po përdor presionin politik, ekonomik dhe manipulimin informativ për të kontrolluar komunitetin serb në Kosovë dhe për ta përdorur atë për interesa politike të Beogradit.
“Përmes presionit, frikësimit, varësisë ekonomike dhe manipulimit informativ, Serbia po i mban peng serbët e Kosovës duke i përdorur ata si armë për qëllimet politike dhe interesat klienteliste të Vuçiqit”, tha Fetoshi.
Ai shtoi se thirrjet për mbështetjen e Listës Serbe si “garancia e vetme për mbijetesën e serbëve në Kosovë” dëshmojnë, sipas tij, rolin e kësaj partie si instrument politik i Beogradit dhe qasjen minuese ndaj sovranitetit të Kosovës.
Fetoshi theksoi se neutralizimi i ndërhyrjeve serbe në proceset zgjedhore nuk është vetëm interes shtetëror i Kosovës, por edhe kontribut për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e vlerave demokratike evropiane.
Në sesionin e parë të forumit, ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, deklaroi se KQZ-ja është përballur vazhdimisht me tentativa ndërhyrjeje nga Serbia, sidomos në veri të Kosovës.
Ajo tha se Lista Serbe ka qenë mekanizëm kryesor për ndikimin e Beogradit në zgjedhje dhe se kandidatët serbë që kanë tentuar të garojnë jashtë kësaj partie janë përballur me kërcënime dhe presione të ndryshme.
“Ka pas ndërhyrje të llojllojshme nga shteti fqinj, nga Serbia. Sidomos ka qenë shqetësuese ndërhyrja te kandidatët që kanë tentuar ta përfaqësojnë komunitetin serb jashtë Listës Serbe. Janë kërcënuar, janë larguar nga puna dhe u janë ndërprerë pagesat”, tha Daka.
Ajo foli edhe për sulmet kibernetike ndaj sistemit zgjedhor, duke kujtuar rastin e vitit 2017 kur, sipas saj, sistemi i transmetimit të rezultateve kishte rënë si pasojë e një sulmi kibernetik, për të cilin kishte dyshime se vinte nga grupe ruse.
“Janë shtrembëruar rezultatet dhe është ndërprerë transmetimi i rezultateve. Kosova nuk është rastësisht objektiv i këtyre sulmeve, sidomos në pjesën më të rëndësishme të demokracisë, që janë zgjedhjet”, deklaroi ajo.
Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Vëllaznim Sordolli, tha se institucionet e sigurisë janë duke ndërmarrë masa konkrete për t’u përballur me kërcënimet hibride dhe sfidat e sigurisë zgjedhore.
“Lufta hibride është në mesin tonë. Policia e Kosovës është duke përgatitur stafin për sfidat e reja dhe përballjen me metoda të ndryshme të presionit dhe manipulimit”, tha ai.
Sordolli përmendi edhe rastet e fundit në Graçanicë, ku sipas tij, zyrtarë komunalë janë arrestuar nën dyshimet për përdorim të presionit ekonomik dhe social ndaj punonjësve.
Eksperti nga Hibrid.info, Festim Rizanaj, foli për narrativat dezinformuese që, sipas tij, promovohen nga zyrtarë të lartë serbë dhe mediat proqeveritare në Serbi gjatë proceseve zgjedhore në Kosovë.
Ai përmendi emra si Petar Petkoviq, Danijela Nikoliq, Velko Odaloviq dhe Milovan Drecun si figura kyçe në shpërndarjen e këtyre narrativave.
Sipas Rizanajt, këto mesazhe amplifikohen përmes mediave serbe si Tanjug, Informer, Večernje Novosti dhe Kosovo Online, ndërsa përmbajtjet shpesh përkthehen edhe në shqip për të depërtuar më lehtë në opinionin publik në Kosovë.
Ai paralajmëroi se këto narrativa po ndikojnë edhe në sferën digjitale dhe në rezultatet e inteligjencës artificiale.
“Nëse bëhen kërkime në serbisht për zgjedhjet në Kosovë, këto narrativa depërtojnë edhe në sistemet e inteligjencës artificiale si AI Overview apo chatbot-et si ChatGPT dhe DeepSeek”, tha ai.
Rizanaj tha se narrativat dezinformuese përfshijnë pretendime për “terror institucional”, “arrestime politike”, manipulim zgjedhor dhe ndikim të diasporës në rezultatet e zgjedhjeve.
Ndërkaq, ekspertja ukrainase Dr. Iryna Synelnyk paralajmëroi se Serbia mund të përdorë metoda të ngjashme me ato të Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet në Kosovë.
Ajo tha se ndërhyrja ruse në zgjedhje është strategji afatgjatë që synon dëmtimin e demokracisë përmes dezinformimit dhe manipulimit të proceseve zgjedhore.
“Ka një probabilitet të lartë që Serbia do të përpiqet të ndikojë në zgjedhjet në Kosovë me metoda që Rusia i ka përdorur në vende të ndryshme”, tha Synelnyk.
Sipas saj, institucionet dhe shoqëria duhet të bashkëpunojnë më shumë për të parandaluar këto ndërhyrje dhe për të rritur ndërgjegjësimin qytetar ndaj kërcënimeve hibride.
The GeoPost

Mburoja e padukshme e Amerikës – Si funksionon NORAD sot?
Ura tokësore e Rusisë shndërrohet në një autostradë për në ‘ferr’
Suedia i dorëzon Ukrainës 16 avionë luftarakë, hap marrëveshjen për 22 të tjerë
Forcimi i krahut: Manovrat e NATO-s pranë Rusisë
BE i reagon ashpër Serbisë pas marrëveshjes me Kinën
Raportohet se SHBA-ja dhe Irani kanë arritur marrëveshje në parim për zgjatjen e armëpushimit