Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dërguar Kongresit raportin për politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor për vitin 2026, ku një vëmendje e veçantë i kushtohet Kosovës, sigurisë rajonale dhe dialogut me Serbinë.
Në dokumentin me titull “Raport për Kongresin mbi Politikën e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit dhe Prosperitetit Rajonal në Ballkanin Perëndimor”, administrata amerikane thekson se stabiliteti në rajon mbetet interes strategjik i SHBA-së dhe se Kosova vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në sigurinë rajonale.
Raporti nënvizon se SHBA-ja vazhdon të inkurajojë Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët.
Në dokument thuhet se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin dialogun ndërmjet dy vendeve si faktor kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet edhe pranisë së NATO-s në Kosovë. Administrata amerikane thekson se forcat amerikane vazhdojnë të jenë pjesë e misionit të KFOR-it, i cili konsiderohet thelbësor për garantimin e një ambienti të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë.
Po ashtu, SHBA-ja konfirmon mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale, shumëetnike dhe të mbrojtjes territoriale.
Raporti përmend edhe angazhimin ndërkombëtar të Kosovës në çështjet e sigurisë globale. Sipas dokumentit, Kosova dhe Shqipëria janë anëtare themeluese të “Board of Peace” dhe do t’i bashkohen forcës ndërkombëtare stabilizuese për Gazën, së bashku me Bosnje e Hercegovinën.
Administrata amerikane vlerëson se kjo tregon transformimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga “konsumues të sigurisë” në “ofrues të sigurisë”.
Në aspektin ekonomik dhe energjetik, raporti përmend edhe Kosovën në projektet rajonale të energjisë. SHBA-ja paralajmëron mbështetje për modernizimin e termocentraleve me qymyr në Kosovë, projektet e gazifikimit dhe lidhjen më të madhe energjetike me tregjet evropiane.
Sipas raportit, këto projekte synojnë uljen e varësisë energjetike nga Rusia dhe rritjen e pranisë së kompanive amerikane në tregun rajonal.
Dokumenti paralajmëron gjithashtu për ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se Moska dhe Pekini po përpiqen të shfrytëzojnë korrupsionin, ndasitë etnike dhe institucionet e dobëta për të rritur ndikimin e tyre në rajon.
Në fund, administrata amerikane thekson se stabiliteti, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i institucioneve demokratike mbeten mënyra më efektive për të kundërshtuar ndikimet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Raportin e plotë në anglisht mund ta lexoni KËTU.
The GeoPost

Çerimagiq: Përmes Vulinit, Serbia promovon mbështetjen ruse për Vuçiqin dhe projektin e “Botës Serbe”
Rusia, BE-ja, Kina, SHBA-ja: Kah cili vend anojnë 18 listat zgjedhore në Serbi?
Nga Banjska deri te “Bota Serbe”, zbulohet plani i Vuçiqit dhe Vulinit për destabilizimin e Ballkanit!
Bosnje dhe Hercegovina pas zgjedhjeve: Mes Rusisë dhe Perëndimit
Ish-ministri gjerman për deklaratën e Daçiç-it: Kjo rrugë çon drejt luftës, jo BE-së
Studentët në protestë në Nish, Demokratët Evropianë: Vuçiqi po ndjek gjurmët e Orbanit