Në një moment kur balanca e sigurisë në Evropë po rishkruhet nën presionin e luftës në Ukrainë dhe rritjes së rivalitetit gjeopolitik, çdo hap politik që prek arkitekturën euroatlantike merr peshë të shumëfishtë strategjike. Në këtë sfond, iniciativa për një rezolutë në Kongresin amerikan në mbështetje të integrimit të Kosovës në NATO nuk është thjesht një sinjal diplomatik, por një tregues se status quo-ja e “zonave gri” në Ballkan po shihet gjithnjë e më shumë si e paqëndrueshme.
Për herë të parë pas një periudhe relativisht të gjatë, çështja e anëtarësimit të Kosovës në aleancën më të madhe ushtarake në botë po rikthehet në qendër të debatit ndërkombëtar, jo si aspiratë afatgjatë, por si domosdoshmëri e lidhur drejtpërdrejt me stabilitetin rajonal dhe sigurinë kolektive në Evropë.
Ballkani Perëndimor, për shumë vite i trajtuar si çështje periferike, po rikthehet në fokus si hapësirë ku përplasen interesat e fuqive të mëdha dhe ku instrumentet hibride, ndikimi politik, dezinformimi, financimi i rrjeteve lokale, nxitja e krizave të kontrolluara, gjejnë terren të volitshëm. Në këtë realitet, Kosova nuk mund të vazhdojë të mbahet në një status të paqartë sigurie, sepse paqartësia është rrezik, jo kompromis.
Që nga shpallja e pavarësisë më 2008, Kosova ka ndërtuar një identitet politik të qartë euroatlantik. Mbi 120 njohje ndërkombëtare, partneriteti i fortë me SHBA-në dhe lidhjet e konsoliduara me shumicën e vendeve të NATO-s e kanë pozicionuar si aktor që synon stabilitet, jo aventurë. Por pikërisht këtu qëndron paradoksi: një vend që deklaron orientimin strategjik dhe ndërton kapacitete në përputhje me standardet perëndimore, mbetet jashtë garancisë themelore që e bën të besueshme sigurinë, mbrojtjes kolektive.
Boshllëku më i madh vjen nga Serbia, e cila vazhdon të refuzojë njohjen e Kosovës dhe luan një politikë të dyfishtë: në letër kërkon integrimin evropian, në praktikë mban lidhje të ngushta me Rusinë. Ky pozicionim nuk është neutralitet, është hapësirë manovre për ndikim rus dhe për operacione destabilizuese në rajon. Incidentet e dhunshme në veri, të lidhura me Milan Radoiçiqin dhe sulmet kundër forcave ndërkombëtare e institucioneve lokale, janë dëshmi e qartë se tensionet nuk janë “të ngrira”, ato janë të menaxhuara përkohësisht dhe mund të riaktivizohen kurdo.
Pikërisht për këtë arsye, ideja se stabiliteti mund të ruhet pa një garanci të fortë sigurie po bëhet çdo ditë më e pambështetshme. Ballkani na ka mësuar një leksion të thjeshtë: pa një kornizë të besueshme mbrojtjeje, çdo arritje politike dhe institucionale mbetet e brishtë. Dhe brishtësia është ftesë për presion.
Një prej argumenteve më të forta pro anëtarësimit është zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Transformimi i saj nga një forcë me mandat kryesisht civil në një strukturë ushtarake moderne ka avancuar dukshëm. Mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë, rritja e kapaciteteve në trajnim e pajisje, pjesëmarrja në ushtrime të përbashkëta dhe përafrimi me doktrinat moderne e tregojnë se FSK-ja nuk është në fazë embrionale, por në një fazë konsolidimi. Kjo e zhbën një kundërshtim klasik: se Kosova “nuk është gati”. Në aspektin e ndërtimit të kapaciteteve dhe orientimit strategjik, ajo po e bën pjesën e saj.
Edhe marrëveshja ushtarake trepalëshe Kosovë–Shqipëri–Kroaci e përforcon këtë rrugë. Ajo e rrit ndërveprimin, e fuqizon bashkëpunimin në edukim, trajnim, ushtrime dhe potencialisht në industri të mbrojtjes. Për Kosovën, kjo është mënyrë konkrete për të thelluar integrimin praktik me standardet e NATO-s përmes dy vendeve anëtare. Por duhet thënë qartë: asnjë marrëveshje rajonale, sado e dobishme, nuk e zëvendëson nenin 5. Hapat e përgatitjes nuk janë vetë garancia.
Këtu hyn në lojë pesha e rezolutës amerikane.
Ajo e zhvendos çështjen e Kosovës nga “diskutimi i brendshëm ballkanik” në një çështje të sigurisë europiane. Dhe po ashtu e prek nyjën kryesore politike brenda vetë aleancës, shtetet që ende nuk e njohin Kosovën – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
Kjo nuk është çështje protokolli. Është bllokadë që prodhon vakum strategjik. E vakumi strategjik, sidomos sot, nuk mbetet bosh, mbushet nga aktorë të jashtëm, nga kriza të importuara dhe nga skenarë destabilizimi.
Në një kohë kur Evropa po përballet me agresion rus dhe tensione të vazhdueshme në lindje, Ballkani nuk mund të mbetet “zonë gri”. Çdo boshllëk sigurie në këtë rajon është mundësi për ndërhyrje. Integrimi i Kosovës në NATO do ta mbyllte një prej këtyre boshllëqeve dhe do ta forconte arkitekturën e sigurisë në Europën Juglindore.
Për më tepër, anëtarësimi do të sillte efekt të drejtpërdrejtë parandalues. Mbrojtja kolektive ndryshon llogaritjet strategjike, pra çdo kërcënim ndaj Kosovës nuk do të ishte më çështje e një vendi të vetëm, por përgjegjësi e gjithë aleancës. Ky është dallimi mes një stabiliteti të menaxhuar me improvizime dhe një stabiliteti të garantuar me strukturë.
Integrimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm çështje e së ardhmes së Kosovës. Është çështje e stabilitetit të gjithë rajonit dhe e kredibilitetit të vetë arkitekturës euroatlantike në një epokë pasigurie.
Ta mbash Kosovën jashtë, do të thotë ta mbash Ballkanin të hapur ndaj presioneve dhe ndërhyrjeve. Ta afrohesh Kosovën drejt NATO-s, do të thotë ta mbyllësh një front të panevojshëm rreziku.
Prandaj, kjo nuk duhet parë si synim i largët. Duhet trajtuar si përparësi urgjente strategjike në interes të Kosovës, të NATO-s dhe të paqes afatgjatë në Evropë.
The Geopost

“Doppelgänger”: Klonimi i mediave në shërbim të propagandës dhe rreziku për Ballkanin
Si po përdor Rusia dezinformimin dhe luftën kibernetike për destabilizim në Evropë
BLLOFI I KORRIKUT: Zgjedhja e Vuçiqit mes rrezikut të humbjes tani dhe kolapsit më vonë
Raport: Polonia, objektivi kryesor i strategjisë hibride të Rusisë në Evropë
A po lëviz BE-ja drejt një rendi pa veto – dhe pse kjo ka rëndësi?
A po i vjen fundi regjimit të Vuçiqit në Serbi?