Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Tre kongresistë paraqesin rezolutë në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO

The Geopost May 1, 2026 3 min read
Share the news

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke argumentuar se prania e saj në aleancë është thelbësore për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore.

Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake, nënvizon se qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë argument bindës për anëtarësimin e saj në NATO.

“Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, përfshirja e Kosovës në aleancën e NATO-s do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për të frenuar këto përpjekje armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.

Anëtarësimi në NATO është ndër synimet e kamotshme të Kosovës, qëkurse ajo e shpalli pavarësinë më 2008.

Megjithatë, anëtarësimi kërkon njëzëshmëri nga të gjitha vendet anëtare dhe Kosovën nuk e njohin katër prej tyre.

Prandaj, Self, si nismëtar i rezolutës, u kërkoi Shteteve të Bashkuara t’i nxisin Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën, për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Self tha se “njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për të hapur rrugën drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë”.

Ai argumentoi se përfshirja e Kosovës në aleancë është thelbësore për të kundërshtuar rritjen e ndikimit të kundërshtarëve në Evropë.

Rezoluta mirëpritet në Kosovë, kundërshtohet nga Serbia
Kjo rezolutë është mirëpritur nga zyrtarë në Kosovë, por gjithashtu është kundërshtuar nga Serbia.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shprehu “mirënjohje për përfaqësuesit Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për lidershipin e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova ta zërë vendin që i takon në familjen euroatlantike”.

Ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, shkroi në X se ndihet mirënjohës ndaj kongresistëve për “mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe anëtarësimin e saj në NATO”.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se do të luftojë kundër përpjekjeve për integrimin e Kosovës në NATO.

“Do të kemi së shpejti ushtrime të rëndësishme me NATO-n. Po bisedojmë me ta dhe shpresojmë që kjo të mos ndodhë”, tha Vuçiq lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës.

Kosova e cilëson si qenësore miqësinë me Shtetet e Bashkuara, vend që ka bërë shumë në pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Kosova është tani duke e shndërruar Forcën e Sigurisë në ushtri të plotë, që pritet të përmbyllet më 2028.

SHBA-ja e ka mbështetur nga fillimi shndërrimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila ngul këmbë që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Prishtina, gjatë procesit të transformimit të FSK-së në ushtri, po ashtu po pajiset me armatime të reja, përfshirë ato të prodhuara në SHBA. Vendi po ashtu është mikpritës i bazës më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel.

Po ashtu, Kosova po ashtu do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese është një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së Bordit të Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Tags: Kongresi Amerikan Kosovë NATO SHBA

Continue Reading

Previous: Rusia kërkon heqje sanksionesh për armëpushim në Ukrainë
Next: OSBE: Rasti i spiunazhit ndaj Gjukanoviqit është çështje individuale, e respektojmë vendimin e gjykatës

PPE nis procedurat kundër SNS-së: Vuçiqi ka luajtur mjaft në të dyja anët 2 min read
  • Ballkan
  • News

PPE nis procedurat kundër SNS-së: Vuçiqi ka luajtur mjaft në të dyja anët

The Geopost September 19, 2026
FSK njofton për ushtrime të përbashkëta me ushtrinë nga Amerika, Kroacia dhe Shqipëria 1 min read
  • Ballkan
  • News

FSK njofton për ushtrime të përbashkëta me ushtrinë nga Amerika, Kroacia dhe Shqipëria

The Geopost September 19, 2026
Varreza masive në Zubin Potok, konfirmohet identiteti i tri viktimave – i përkasin “Grupit të Intelektualëve” 3 min read
  • Ballkan
  • News

Varreza masive në Zubin Potok, konfirmohet identiteti i tri viktimave – i përkasin “Grupit të Intelektualëve”

The Geopost September 19, 2026
Trump e nënshkruan ligjin për sanksione ndaj Rusisë e Iranit, shton mjete të reja për trysni 6 min read
  • Botë
  • News

Trump e nënshkruan ligjin për sanksione ndaj Rusisë e Iranit, shton mjete të reja për trysni

The Geopost September 19, 2026
Franca dhe Zvicra ndërmarrin masa për t’iu kundërvënë kërcënimeve hibride ruse 3 min read
  • Botë
  • News

Franca dhe Zvicra ndërmarrin masa për t’iu kundërvënë kërcënimeve hibride ruse

The Geopost September 19, 2026
Media ruse e serbe paraqesin rrejshëm protestën në Tiranë si “trazira” për shkak të dënimit të ish-krerëve të UÇK-së 3 min read
  • Ballkan
  • News

Media ruse e serbe paraqesin rrejshëm protestën në Tiranë si “trazira” për shkak të dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

The Geopost September 19, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.