Mënyra se si Artyom Bykov përfundoi në Brigadën e 237-të të Artilerisë së Ushtrisë së Rusisë ishte e rëndë që në fillim.
Në nëntor të vitit 2024, ai kujton se po qëndronte në një stacion policor në rajonin e Moskës, duke dëgjuar oficerët që e kërcënonin se do t’i jepnin drogë, nëse nuk nënshkruante kontratën për t’iu bashkuar ushtrisë.
Në të kaluarën, Bykov kishte kaluar kohë në një qendër rehabilitimi për drogë.
Nëna e tij, me të cilën tregon se kishte pasur konflikte të vazhdueshme, për shkak të përdorimit të drogës dhe orientimit të tij seksual, kishte thirrur policinë pas një debati të ashpër.
“Isha në telashe me policinë; nëna ime mund të dëshmonte gjithmonë kundër meje. Zgjodha të keqen më të vogël”, thotë 24-vjeçari në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai pranoi me ngurrim të nënshkruante kontratën dhe u dërgua në terrenin e trajnimit të brigadës.
Kur eprorët zbuluan se ishte biseksual, filluan rrahjet serioze, thotë Bykov.
Me dekada të tëra, forcat e armatosura sovjetike dhe ruse janë përballur me një sistem të institucionalizuar të ngacmimit dhe abuzimit, të quajtur “dedovshchina”.
Ky sistem – një burim i madh shqetësimi për shoqërinë civile ruse dhe familjet e ushtarëve të rinj – tolerohet gjerësisht nga komandantët, si mjet për të imponuar disiplinë mbi rekrutët dhe ushtarët e rinj.
Para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022, grupe si “Komiteti i Nënave të Ushtarëve” kishin kaluar vite duke ngritur ndërgjegjësimin për këtë problem dhe duke u bërë presion ligjvënësve dhe komandantëve për eliminimin e kësaj praktike.
Në gusht të vitit 2020, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes deklaroi se “dedovshchina” ishte “zhdukur plotësisht” nga forcat e armatosura.
Dhe, shtatorin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, vizitoi dhe inspektoi Brigadën e 237-të, së bashku me njësi të tjera.
“Nëse Putini do të dinte për këtë kaos, brigada do të ishte shpërbërë”, thotë Bykov.
“Polic i mirë, polic i keq”
Në një seri intervistash në mars dhe prill nga Gjeorgjia, ku ai shkoi pasi dezertoi nga ushtria dhe u arratis nga vendi, Bykov rrëfeu odisenë e tij të mundimshme 11-mujore në terrenet e trajnimit të brigadës së 273-të në Mulino, në rajonin qendror të Nizhni Novgorodit.
Bykov ofroi edhe korrespondenca, fotografi dhe audio-regjistrime, të cilat Shërbimi i Rusisë i Radios Evropa e Lirë dhe Systema – njësia hulumtuese e REL-it – i përdorën për të vërtetuar shumë nga detajet e rrëfimit të tij.

Për vite me radhë, nëna e tij nuk ishte në gjendje të pranonte se ai ishte biseksual, thotë Bykov.
Ai tregon se kishte edhe varësi nga droga, të cilën e lidh me “traumat e mia të shtypura… probleme të rënda psikologjike, përfshirë një kompleks inferioriteti”.
Nëna e tij e kishte dërguar në një program rehabilitimi për drogë, fillimisht në vitin 2022 dhe më pas sërish më 2023.
Në nëntor të vitit pasues, kur u kthye në shtëpi, ai dhe nëna e tij zhvilluan një debat dhe ajo thirri policinë, duke i thënë se ai ishte homoseksual, përdorte drogë dhe po ia vështirësonte jetën.
Oficerët e policisë e çuan në një stacion lokal dhe e bindën të hapte telefonin e tij, ku, siç thotë, gjetën fotografi dhe video personale.
Ai thotë se policët e kërcënuan se do t’i jepnin drogë nëse nuk nënshkruante kontratën për t’iu bashkuar ushtrisë, dhe e paralajmëruan se kultura e burgjeve ruse ishte armiqësore ndaj burrave homoseksualë ose biseksualë.
“Filloi loja e ‘policit të mirë, policit të keq’. U frikësova dhe e pashë se nuk kisha zgjedhje”, thotë Bykov.
“Më dukej më racionale të vdisja në luftë, sesa të shkoja në burg, ku do të torturohesha dhe abuzohesha deri në vdekje”, shton ai.
Ai mori një pagesë prej 2 milionë rublash (rreth 18.000 dollarë) brenda dhjetë ditësh nga nënshkrimi i kontratës.
Shuma – mjaft e madhe sipas standardeve të shumicës së rusëve – pasqyron sistemin që rekrutuesit rusë kanë ndërtuar për të siguruar një rrjedhë të qëndrueshme vullnetarësh, duke shmangur mobilizimin formal.
Megjithatë, shumë ushtarë, një pjesë të madhe parash ua japin rregullisht eprorëve të tyre si ryshfet.
“Dukej si ferr”
Bykov u regjistrua si ushtar i thjeshtë. Në terrenet e trajnimit të brigadës në qytetin Mulino, ai përfundoi trajnimin bazik.
Ai thotë se ishte një luftëtar i pavullnetshëm kur rekrutët praktikonin arte marciale, si sambo. Më pas, ata mësuan se ai ishte biseksual.
“U bullizova në mënyrë brutale. Më vendosën pesë jelekë antiplumb, ishte shumë e vështirë të ecja… u alivanosja, u rrëzoja. Më vendosën maskë gazi, më detyruan të vrapoja, të zvarritesha e kështu me radhë. Më dukej si ferr… por kjo ishte vetëm fillimi”, thotë Bykov.
Ai kujton se u caktua në një nënnjësi brenda brigadës – e ngjashme me policinë ushtarake dhe e ngarkuar me ruajtjen e rendit dhe disiplinës, si dhe me gjetjen e ushtarëve që kishin dezertuar ose ishin larguar pa leje.
Komandanti i njësisë, toger i ri Eldar Dadashev, njihej për sadizmin dhe shpërthimet e dhunshme në gjendje të dehur, thotë Bykov.

“Dukej si mesjetë. Njerëzit rriheshin me shkopinj. Goditeshin me çekanë. Lidheshin me pranga në radiatorë. Privoheshin nga uji. Hidheshin lakuriq në gropa”, rrëfen ai.
Vendndodhja e Dadashevit nuk është e qartë dhe ai nuk ishte i qasshëm për koment.
Bykov thotë se ushtarët në njësi i kanë thënë se ai është dërguar në Ukrainë.
Pretendimet e Bykovit për rrahjet dhe dhunën e përditshme mbështeten pjesërisht edhe nga një deklaratë e dorëzuar në një prokurori ushtarake rajonale nga një anëtar tjetër i brigadës: Aidar Gafarov.

Në deklaratën e tij, e cila u analizua nga REL-i, Gafarov ankohet se Dadashev e kishte urdhëruar t’i vendoste duart mbi një tavolinë dhe se ia kishte goditur vazhdimisht gishtat me një çekan mishi, e më pas e kishte goditur në ballë, gjoks dhe këmbë me bishtin e një lopate. Pas një goditjeje të fortë, ai dëgjoi një krisje dhe nuk ishte më në gjendje të qëndronte në këmbë. Më pas, u hodh lakuriq në një gropë – për një periudhë të pacaktuar.
Pasi Dadashev u transferua, Gafarov u lirua dhe dezertoi, ndërsa deklaratën e dha pak kohë më vonë.
Përdhunim dhe kërcënime me përdhunim
Prova të tjera për sadizmin e institucionalizuar në njësi erdhën nga një dosje e vogël dokumentesh dhe deklaratash të mbledhura nga një ushtar 34-vjeçar, i quajtur Yan Nikashkin, i cili më parë kishte vuajtur dënim me burg.
Bykov thotë se ai dhe Nikashkin ishin në të njëjtën njësi disiplinore; Nikashkin refuzonte rregullisht urdhrat për të rrahur ushtarë të tjerë dhe për këtë arsye rrihej edhe vetë.
Ai, gjithashtu, nuk ishte kundër orientimit seksual të Bykovit.
Pasi dezertoi nga njësia verën e kaluar, Nikashkin mblodhi dëshmi nga ushtarë të tjerë që vërtetonin dhunën seksuale në brigadë, të cilat, sipas Bykovit, ia kishte dhënë atij.
Në një regjistrim të një bisede telefonike midis Nikashkinit dhe një ushtari tjetër, i dorëzuar te REL-i, Nikashkin pretendon se Dadashev – komandanti i njësisë – e kishte detyruar një ushtar tjetër të kryente seks oral mbi një objekt.
Bykov thotë se, edhe pse vetë nuk kishte parë ndonjë ushtar duke u përdhunuar në atë objekt, kjo gjë dihej mes ushtarëve.
Më vonë gjatë bisedës, ushtari tjetër, Yegor Ryazantsev, dëgjohet duke përshkruar një tjetër incident, që përfshinte dy nga oficerët vartës të Dadashevit: një ushtar më i vjetër, i kthyer në njësi pasi ishte larguar pa leje, u detyrua të shtrihej përmbys në tokë, iu hoqën pantallonat dhe iu mbajtën duart dhe këmbët të shtrënguara në tokë. Më pas, dy oficerët i futën një mjet piroteknik në anus dhe e ndezën.
Sipas Ryazantsevit, incidenti ishte incizuar në video dhe u ishte shfaqur ushtarëve në njësi.
As Ryazantsevi dhe as Nikashkini nuk ishin të qasshëm për koment.
“Shkoni në ferr”
Dikur në fillim të vjeshtës së kaluar, Bykov thotë se përplasja e tij e tensionuar me Dadashevin arriti kulmin dhe ky i fundit dha urdhër që ai të përdhunohej.
Bykov thotë se kishte fat: ushtarët e tjerë refuzuan ta zbatonin urdhrin, megjithëse e “degraduan”, duke e izoluar dhe duke e nënshtruar ndaj ndëshkimeve të vogla, si ndalimi i shtrëngimit të duarve me të tjerët.
Vetë Bykov paraqiti një ankesë zyrtare tek eprorët e Dadashevit dhe, sipas tij, u transferua në një njësi që nuk ishte nën komandën e tij.
Më vonë, Bykov thotë se kishte mësuar që Dadashev kishte dhënë urdhër që të rrihej edhe një kolonel – një gradë shumë më e lartë se ai.
Hetuesit e policisë ushtarake hapën një hetim dhe, pasi gjetën një ushtar me duar të thyera që mbahej lakuriq në një gropë, e arrestuan Dadashevin në shtator dhe e shpërbënë njësinë disiplinore.
Bykov thotë se dezertoi nga brigada muajin pasues dhe u largua nga vendi.
Më 16 shkurt, ndërsa gjendej në Gjeorgji, Bykov foli sërish në telefon me Nikashkinin dhe e regjistroi bisedën.
Nikashkin tha se ish-komandantët e njësisë, përgjegjës për rrahjet dhe abuzimet, mund “të shkojnë në ferr”. Por, sipas tij, Putini nuk mund të qortohet.
“Komandantin suprem dhe gjithë të tjerët, mos guxo t’i prekësh”, dëgjohej duke thënë në regjistrim.
“Çfarëdo që të jetë, ky njeri e ka çuar Rusinë në një nivel të ri, ka ndryshuar aq shumë për vendin”.

“Putini e ka ndërtuar një sistem të shkëlqyer: qeverisje përmes frikës”, thotë Bykov për Radion Evropa e Lirë.
“I gjithë sistemi i tij është ndërtuar mbi frikën. Por, Rusia do të thahet dhe njerëzit do të shohin se nuk ka pushtet. Nuk ka pasur kurrë”, përfundon ai.

Lituania dhe Letonia bllokojnë rrugën e fluturimit të Ficos për në Paradën e Ditës së Fitores në Moskë
Trump: Pranoni marrëveshjen ose Shtetet e Bashkuara do të shkatërrojnë çdo central energjie dhe çdo urë në Iran
“Njerëzit kanë frikë prej teje”: Influencuesja ruse sfidon Vladimir Putin – videoja që ndezi debatin mbi frikën në Rusi
Ish-diplomati amerikan: Moska po rikthen taktikat sovjetike pas stagnimit në frontin e luftës
Nga Moska te Brukseli: A po ndryshon drejtimi i Hungarisë?
SHBA miraton shitjen prej 11.9 miliardë dollarësh të sistemeve luftarake detare për Gjermaninë