Gjermania është gati të vendosë minapastrues në Ngushticën e Hormuzit, por vetëm si pjesë e një misioni të mundshëm ndërkombëtar.
Çështja pritet të diskutohet të premten në Paris, ku kancelari gjerman Friedrich Merz do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, sipas Politico.
Sipas një zyrtari të qeverisë gjermane, qeveria federale është “e përgatitur të japë një kontribut gjerman për të siguruar lirinë e lundrimit”. Kjo mund të përfshijë “pastrimin e minave ose zbulimin detar”.
Plani i pastrimit të minave u raportua për herë të parë nga Süddeutsche Zeitung.
Merz përsëriti qëndrimin e qeverisë së tij pasi u takua me kryeministrin irlandez Micheal Martin në Berlin të enjten.
Ai theksoi se Gjermania është “thelbësisht e gatshme” për të ndihmuar në sigurimin e rrugëve të transportit detar, por vetëm nën kushte të rrepta.
Ato përfshijnë një armëpushim të qëndrueshëm, një mandat brenda një sistemi sigurie kolektive – “mundësisht” nga Kombet e Bashkuara – dhe miratim formal si nga qeveria federale ashtu edhe nga Bundestagu. Merz nënvizoi se Berlini mbetet “larg” nga një vendim i tillë.
Sinjali vjen në një kohë kur një armëpushim i brishtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është në fuqi, por ende nuk e ka stabilizuar plotësisht situatën në ngushticë, ku Irani bllokoi trafikun dhe SHBA-të reaguan duke bllokuar anijet iraniane.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka nxitur aleatët e NATO-s të veprojnë shpejt, duke kërkuar angazhime “brenda disa ditësh” pas takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës, Mark Rutte, në fillim të prillit.
Megjithatë, aleatët kanë qenë të kujdesshëm ndaj përfshirjes në ndonjë veprim luftarak në luftën e nisur nga Trump pa u konsultuar me ta.
The GeoPost

Ligjvënësit amerikanë shqyrtojnë lidhjet e Rusisë dhe Kinës me rebelët Huthi
Kompani ushtarake kineze e sanksionuar në panairin e Sarajevës
Kallas për sulmin e dyshuar rus ndaj aeroportit gjerman: Terrorizëm i sponsorizuar nga shteti
Kongresmeni amerikan: Vuçiq është një kukull kineze, prodhimi i robotëve në Serbi kundër interesave amerikane
Rutte: NATO në solidaritet të plotë me Gjermaninë pas sulmit hibrid rus në Leipzig
Gjermania akuzon zyrtarisht Rusinë për sabotazhin në Leipzig – mbyllet konsullata ruse në Bon dhe shtrëngohen kontrollet