Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është thelbësor për sigurinë e gjithë Evropës, ndërsa ndikimet e jashtme dhe tensionet e brendshme vazhdojnë ta bëjnë rajonin një pikë të ndjeshme gjeopolitike.
Kështu vlerëson eksperti për Ballkanin, Edward Joseph, i cili thekson se qasja e gabuar e Evropës ndaj rajonit ka ndikuar në paqëndrueshmërinë e tij.
“Ballkani është pjesë e Evropës. Nëse Ballkani nuk është i sigurt, as Evropa nuk është e sigurt”, thekson ai, duke kritikuar perceptimin e rajonit si një “shtojcë e huaj” e kontinentit.
Sipas Joseph, aktorë si Rusia, Kina dhe Irani po shfrytëzojnë çështjet e pazgjidhura në Ballkan për të rritur ndikimin e tyre.
“Irani kreu një sulm të madh kibernetik ndaj Shqipërisë… krimi i organizuar në Ballkan është një tjetër kërcënim kronik për Evropën”, shprehet ai për Danas.
Ai shton se rajoni përbën edhe një test për vetë Bashkimin Evropian.
“Ballkani është një provë e vërtetë për modelin dhe aftësitë e sigurisë së BE-së”, thekson Joseph.
Eksperti paralajmëron se ekziston rreziku i një destabilizimi të ri në rajon, ndonëse jo në përmasat e luftërave të viteve ’90.
“Po, ekziston një rrezik i ripërtërirë i destabilizimit… rruga politike e Serbisë mbetet thelbësore për stabilitetin e rajonit”, deklaron ai.
Sipas tij, mungesa e orientimit të qartë strategjik në Beograd është faktor kyç.
“Nuk do të ketë stabilitet rajonal nëse Serbia udhëhiqet nga udhëheqës regresivë, shtypës dhe revizionistë”, shprehet Joseph.
Kritika ndaj politikës së Beogradit
Duke folur për marrëdhëniet me SHBA-në, ai vlerëson se Aleksandar Vučić nuk ka arritur të ndërtojë raportet që pretendon.
“Uashingtoni nuk është i interesuar në lojërat e Vuçiçit… dëshiron rezultate konkrete”, thotë ai, duke përmendur edhe presionin për largimin e ndikimit rus në sektorin energjetik.
Joseph kritikon edhe politikën e “balancimit” të Serbisë mes Lindjes dhe Perëndimit.
“Nuk besoj se kjo ‘balancë’ e rreme është e qëndrueshme… nuk shoh angazhim të vërtetë për reformat drejt BE-së”, thekson ai.
Sa i përket dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Joseph thotë se ai mund të prodhojë vetëm zgjidhje të pjesshme pa një ndryshim strategjik nga Serbia.
Joseph kujton gjithashtu se edhe gjatë qeverisë së Avdullah Hoti, përparimi u minua nga provokimet serbe pas Marrëveshjes së Uashingtonit.
Si zgjidhje, ai propozon një qasje të re strategjike, përfshirë afrimin e Serbisë dhe Kosovës me NATO-n.
“Pranimi i rrugës së NATO-s do të ishte pozitivisht transformues për Serbinë dhe rajonin”, përfundon eksperti.
Në tërësi, mesazhi i tij është i qartë: pa një orientim të qartë strategjik dhe pa adresimin e ndasive rreth Kosovës, Ballkani Perëndimor do të mbetet një burim i vazhdueshëm pasigurie për Evropën.
The GeoPost

Komisioni Evropian: Mali i Zi po bën përparim, Serbia ende përballet me sfida serioze
Shtohet presioni gjerman pas deklaratës skandaloze për Kosovën të ministres serbe
Deputeti serb kërkon shkarkimin e Paunoviqit: Nëse kryeministri nuk ka forcë ta largojë, le të japë dorëheqje
Ministrja serbe përballet me padi në Kosovë dhe kërkesë për shkarkim në Serbi
Paunoviq vazhdon ofensivën me dezinformata, thotë se Kurti po “ndjek” serbët që nuk shesin pronat
Mali i Zi heq regjimin pa viza për rusët