Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë

Vritet Ali Larijani – një nga figurat kryesore të pushtetit në Iran

The Geopost March 18, 2026 4 min read
Share the news

Ali Larijani, një nga figurat më të fuqishme të Iranit dhe një njeri i besueshëm i udhëheqësit të ndjerë suprem, Ajatollah Ali Khamenei, u vra në një sulm ajror në kryeqytetin Teheran, më 17 mars.

Në postin e fuqishëm të sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit – organit kyç të politikëbërjes në këtë vend – Larijani ishte udhëheqës de facto i Republikës Islamike, pas vrasjes së Khameneit në një sulm izraelit, më 28 shkurt.

Edhe pse nuk ishte klerik, ai ishte një figurë unifikuese, duke bashkuar fraksione politike dhe duke mbajtur lidhje të forta me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), shërbimet e inteligjencës dhe establishmentin klerikal.

Me vdekejn e Khameneit, me djalin e tij si pasardhës të kontestuar dhe tani me Larijanin e vdekur, Irani përballet me atë që shihet si një boshllëk lidershipi.

Vdekja e tij, thonë ekspertët, mund t’i ndërlikojë edhe përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës aktuale.

“Midis atyre që njohim se janë ende brenda sistemit të Republikës Islamike – pra politikanët që mund të konfirmojmë se janë ende [gjallë] – nuk ka zëvendësim për Ali Larijanin në këtë rol”, thotë Babak Dorbeiki, analist politik me seli në Britani.

Operatori i sistemit

Gjatë karrierës së tij politike që zgjati me dekada, Larijani, 67-vjeç, shërbeu mes tjerash si negociator për çështje bërthamore dhe kryetar parlamenti.

Por, mbi të gjitha, ishte një i mbijetuar politik.

Ai humbi dy herë mbështetjen e establishmentit, por arriti të rikthehej në skenë.

Pas luftës 12-ditore të Iranit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara në qershor të vitit 2025, roli i tij u forcua, duke marrë përgjegjësi më të mëdha në fushën e sigurisë kombëtare.

Ai shërbeu edhe në IRGC, drejtoi transmetuesin shtetëror për një dekadë dhe ndihmoi në miratimin në Parlament të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore.

Për Republikën Islamike, Larijani funksionoi si një urë lidhëse midis klerikëve dhe gjeneralëve, por edhe midis Teheranit dhe kryeqyteteve perëndimore jashtë vendit.

Ai nuk ishte një figurë ideologjike radikale. Por, konsiderohej si një nga operatorët më të aftë të sistemit.

Përkundër kësaj, sistemi e refuzoi dy herë.

Në vitin 2021 dhe përsëri në vitin 2024, Larijani u ndalua të kandidonte për president nga ana e Këshillit të Gardianëve – një organ klerikal i dominuar nga përfaqësues të vijës së ashpër.

Vendimet i tronditën edhe kritikët e tij.

Analistët i interpretuan këto skualifikime si manovra fraksionesh – një mënyrë për t’i hapur rrugë linjës së ashpër – por mesazhi ishte poshtërues për një njeri që kishte shërbyer për dekada të tëra në nivelet më të larta të Republikës Islamike.

‘Kennedy-të e Iranit’

I lindur në qytetin e shenjtë shiit të Naxhafit, në Irakun fqinj, Larijani vinte nga një familje e lidhur me elitën politike që doli pas Revolucionit Islamik, në vitin 1979.

Revista Time e përshkroi dikur atë si “Kennedy-të e Iranit”.

Babai i tij ishte një dijetar i shquar fetar dhe martesa e tij me vajzën e familjes së Morteza Motahharit, kryetarit të Këshillit të Revolucionit – të ngarkuar me themelimin e Republikës Islamike – i siguroi vend pranë korridoreve të pushtetit që nga fillimi.

Larijani, po ashtu, kishte prejardhje akademike laike dhe mbante diploma masteri dhe doktorature në filozofinë perëndimore nga Universiteti i Teheranit.

Ai shkroi një tezë mbi veprat e filozofit gjerman, Immanuel Kant.

Pasi kaloi disa vite në një pasiguri relative politike, fati i Larijanit ndryshoi pas luftës 12-ditore.

Në janar, Thesari amerikan vendosi sanksione ndaj Larijanit për rolin e tij në shtypjen brutale të protestave masive, që shpërthyen në fund të dhjetorit 2025 dhe lanë të vrarë mijëra njerëz.

Muajin e kaluar, përpara se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të nisnin luftën kundër Iranit, Khamenei e caktoi atë si kandidat të preferuar për të menaxhuar përkohësisht vendin, në rast të vdekjes së tij.

Khamenei u vra vetëm disa ditë më vonë.

Që atëherë, Larijani ishte një nga zërat më të fuqishëm zyrtarë në Iran.

Më 13 mars, ai dhe udhëheqës të tjerë të lartë iranianë u shfaqën në rrugët e Teheranit, ndërsa Izraeli kreu sulme ajrore në qytet.

Kjo ishte hera e fundit që Larijani u pa në publik.

Tags: Irani Izraeli SHBA

Continue Reading

Previous: Vritet Ali Larijani – një nga figurat kryesore të pushtetit në Iran
Next: Finlanda dhe Suedia përforcojnë krahun verior të NATO-s

Makthi më i keq i Putinit 6 min read
  • Botë

Makthi më i keq i Putinit

The Geopost June 18, 2026
Trump paralajmëron Iranin: Nëse dështon marrëveshja, kthehemi te bombardimet 2 min read
  • Botë

Trump paralajmëron Iranin: Nëse dështon marrëveshja, kthehemi te bombardimet

The Geopost June 18, 2026
Udhëheqësit e G7 bien dakord të forcojnë mbrojtjen ajrore dhe armët me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën 3 min read
  • Botë

Udhëheqësit e G7 bien dakord të forcojnë mbrojtjen ajrore dhe armët me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën

The Geopost June 17, 2026
Si po shembet strategjia e Putinit për të formësuar politikën jashtë Rusisë? 6 min read
  • Botë
  • Lajme

Si po shembet strategjia e Putinit për të formësuar politikën jashtë Rusisë?

The Geopost June 17, 2026
Publikohet drafti i marrëveshjes SHBA-Iran: Ja çfarë përmban dokumenti me 14 pika 4 min read
  • Botë

Publikohet drafti i marrëveshjes SHBA-Iran: Ja çfarë përmban dokumenti me 14 pika

The Geopost June 17, 2026
Zelensky takohet me Trumpin në samitin e G7-ës, kërkon më shumë mbështetje për Ukrainën 2 min read
  • Botë

Zelensky takohet me Trumpin në samitin e G7-ës, kërkon më shumë mbështetje për Ukrainën

The Geopost June 16, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.