Policia e Kosovës, në koordinim me Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka realizuar të shtunën një operacion të gjerë policor që ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Operacioni, i koduar “SYRIGANA”, është zhvilluar pas hetimeve disamujore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të cilat lidhen me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, në Komunën e Skenderaj, gjatë periudhës maj–qershor 1998.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale dhe dëshmi të konsideruara relevante, mbi bazën e të cilave janë identifikuar personat e dyshuar dhe është përpiluar kallëzim penal, i dorëzuar në Prokurorinë Speciale.
Pas veprimeve shtesë hetimore dhe në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e rastit, është autorizuar lokalizimi dhe arrestimi i të dyshuarve.
Operacioni policor ka nisur rreth orës 06:00 të mëngjesit dhe është zhvilluar në gjashtë lokacione të ndara, pesë në Komunën e Skenderajt dhe një në Mitrovica e Veriut.
Në aksion kanë marrë pjesë hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur nga Njësia Speciale Operative.
Gjatë bastisjeve në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse, të realizuara me urdhër verbal të siguruar përmes prokurorit special dhe të miratuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, janë konfiskuar një armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, një armë brezi e tipit Zastava M-57, dy karikatorë dhe 77 fishekë, një pushkë gjuetie me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi, si dhe uniforma dhe pjesë të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave.
Me vendim të prokurorit special, pesë të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa procedurat e mëtejme ligjore do të vazhdojnë në ditët në vijim.
Policia e Kosovës ka theksuar se, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, mbetet e përkushtuar në zbardhjen e krimeve të luftës dhe në sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë, duke garantuar sundimin e ligjit dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.
The Geopost

Prokuroria në Serbi hap çështje kundër shefit të BIA-s bazuar në një raport nga avokati Niniq
KE-ja ngre alarmin për Serbinë: Korrupsioni, kapja e shtetit, frikësimi dhe sulmet ndaj gazetarëve mbeten probleme serioze
Hungaria ndalon programin shumëmilionësh të Orbanit dhe Dodikut për Republikën Srpska
Shtetet kërcënojnë me bojkot për shkak të rikthimit të Rusisë në garat e hokejit
Raporti i KE-së për Bosnjën, Çerimagiq: Dodiku po thellon lidhjet me Moskën dhe po sfidon institucionet shtetërore
Picula ngre çështjen e Serbisë në Parlamentin Evropian: A do të sjellë ndryshimi i pushtetit orientim të ri në politikën e jashtme?