Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Dezinformatat e Kremlinit për Ukrainën dhe Kosovën në mediat në gjuhën shqipe

The Geopost March 1, 2026 15 min read
Share the news

Dhjetëra narrativa dezinformuese i ka shpërndarë Rusia që nga fillimi i agresionit të plotë e të njëanshëm në Ukrainë, më 24.02.2022. Shumë prej këtyre narrativave dezinformuese janë publikuar nëpër portale e faqe të ndryshme në gjuhën shqipe.

Të dhënat e platformës për monitorimin e mediave “Pikasa”, tregojnë se në 150 portale në Kosovë janë publikuar mbi 450 mijë lajme që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga ana e Rusisë. Një pjesë e këtyre lajmeve ishin dezinformata që fillimisht janë thënë nga zyrtarët e Kremlinit.

Përmes narrativave dezinformuese, Kremlini ka synuar që të vërë në lajthitje qytetarin rus, ukrainasit dhe qytetarët e vendeve të tjera, duke i servuar informacione të rreme për Ukrainën dhe arsyen e intervenimit në atë shtet. Kjo propagandë e Kremlinit ka filluar qysh prej ditës së parë të sulmit në Ukrainë, të cilët synuan të minimizojë atë përmes emërtimit “operacion special”.

KALLXO ka gjetur se ky togfjalësh ka depërtuar edhe në mediat e Kosovës, shpeshherë pa sqarimin e anës ukrainase, se bëhet fjalë për një pushtim ose agresion të paprovuar.

Të dhënat e platformës për monitorimin e mediave “Pikasa”, tregojnë se në 150 portale në Kosovë, tregojnë se në mediat e Kosovës, togfjalëshi “Operacion Special” është përmendur në 2,300 artikuj.

Pas dështimit të pushtimit në mënyrë të shpejtë të Ukrainës dhe rritjes së numrit të ushtarëve të vrarë, Kremlini filloi të heq nga narrativa togfjalëshin “Operacion Special”, mirëpo e rriti numrin e dezinformatave të tjera që targetonin Ukrainën dhe shtetet që e ndihmuan atë.

Kemlini filloi ta quajë neonaziste udhëheqësinë e Ukrainës, t’i akuzojë për krime lufte e trafikim të organeve. Përveç Ukrainës, cak i dezinformatave të Kremlinit ishin edhe shtetet që e ndihmuan Ukrainën, në mënyrë të veçantë shtetet e Europës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mediat e kontrolluara nga Kremlini filluan të sulmojnë vlerat europiane, e sidomos liderët e këtyre shteteve që shpeshherë ishin cak i fushatave dehumanizuese.

Platforma “EuVsDisinfo” kishte identifikuar plot 1119 dezinformata në të cilat Kremlini e krahasonte Ukrainën me nazizmin. Por, siç argumenton “EuVsDisinfo”, pushteti në Ukrainë nuk ka asnjë ndërlidhje me nazizmin. Për më tepër, mediat e kontrolluara nga Kremlini i kanë etiketuar edhe shtetet e tjera si naziste.

Kremlini ka synuar që shumë prej dezinformatave t’i ndërlidhë edhe me shtetet që e përkrahën Ukrainën, duke përfshirë edhe Kosovën. Kosova ishte shpesh pjesë e narrativave të liderëve të Kremlinit, duke tërhequr paralele të rreme, e në disa raste duke i akuzuar rrejshëm kosovarët për luftime në Ukrainë e madje edhe për trafikim të organeve.

Tentimi i Kremlinit për të arsyetuar agresionin 

Platforma “EUvsDisinfo” ka dokumentuar disa narrativa të rreme të shpërndara nga Rusia dhe mediat e saj që lidhin rrjeshëm çështjen e Kosovës me luftën në Ukrainë.

Narrativë dezinformuese pro-Kremlinit që përsëritet vazhdimisht ështe se Kosova si dhe Ukraina nuk veprojnë në mënyrë sovrane, por janë “instrumente të Perëndimit”, duke u përpjekur të deligjitimojnë shtetësinë dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur.

Kjo narrativë dezinformuese shpeshherë është shtyrë edhe nga figura të larta politike në Rusi. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Zakharova, ka deklaruar se “Rusia nuk do të harrojë kurrë që Kosova është pjesë e Serbisë”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, disa herë ( shih këtu, këtu dhe këtu) i është referuar pavarësisë së Kosovës si “grusht shtet”.

Lavrov ka thënë se Kosova është njohur nga Perëndimi pa referendum, ndërsa referendumi për Krimenë u quajt jo i vlefshëm, duke përdorur këtë si argument për “dy standarde” në çështjen e shtetësisë dhe sovranitetit. Pretendimet e ministrit Lavrov janë publikuar edhe në mediat në gjuhën shqipe, madje pa u verifikuar asnjë prej pretendimeve të tij (shih këtu, këtu dhe këtu)

Mirëpo, Ukraina është një shtet sovran dhe i pavarur me një president dhe parlament të zgjedhur në mënyrë demokratike. Vendi nuk kontrollohet nga SHBA, BE apo ndonjë organizatë apo qeveri tjetër e huaj. Si BE-ja ashtu edhe SHBA-ja respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Por, Republika e Kosovës nuk është si Krimea apo Donbasku. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë është bërë me qëllim të parandalimit të katastrofave humanitare dhe vrasjen e civilëve.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë është njohur nga më shumë se 120 shtete. Më 22.07.2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte konstatuar se “Shpallja e pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.

Sa i përket tërheqjes së paraleles në mes të Ukrainës dhe Kosovës, kishte folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Në të kaluarën, Kremlini e përmendte Kosovën një herë në muaj, ndërsa tani po na përmend disa herë në javë, çdo ditë tjetër, dhe unë besoj se ata duan ta keqinterpretojnë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, e cila ishte për të ndaluar gjenocidin, si një përpjekje për të justifikuar imperializmin e tyre, aspiratat e tyre hegjemonike dhe së fundmi pushtimin dhe agresionin e tyre ushtarak kundër Ukrainës.”- ka thënë Kurti në një intervistë për BBC.

Ish-ambasadori i SHBA-së, Christopher Hill, ka thënë se Krimea nuk mund të krahasohet me Kosovën.

“Në fund të fundit, në Kosovë pati një ndërhyrje të NATO-s, trupat e huaja qëndruan atje me vite dhe u bënë zgjedhje të mbikëqyrura nga të huajt. Që Rusia, e cila kundërshtoi çdo gjë që lidhej me Kosovën, të thotë tani se Krimea duhet të ndjekë shembullin e Kosovës, kjo të bën të pyesësh se përse, atëherë, nuk e kanë njohur ata Kosovën? Prandaj mendoj se është një justifikim. Ata tani e kanë marrë vendimin, por jo bazuar mbi rastin e Kosovës.”- kishte argumentuar Hill.

Edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë, Carl Bildt, e kishte kundërshtuar narrativën e Rusisë.

“Ka diferenca kruciale. Pas një luftë të madhe në Kosovë, në vitin 1999 ky vend ishte futur nën administrimin e OKB’së, një proces i gjatë politik që në themel ka pavarësinë e saj, me BE’në, Kosova dhe Serbia që të dyja po marrin pjesë. Krimea është e kundërta, vendi i cili i është nënshtruar ndërhyrjes ushtarake të rusëve, televizionet janë mbyllur, në mesin e shumë gjërave të tjera”- kishte thënë Bildt.

Analisti dhe ish-gazetari, Milazim Koci, ka thënë se edhe referimi i rastit të Kosovës si precendent nga ana e Rusisë është dezinformatë.

“Pse nuk është precedent? Kosova është ka qenë pjesë e Jugosllavisë. Ka qenë një nga tetë elementet konstitui të Federatës Jugosllav. ashtu siç është shkëputur, ashtu siç është pavarësuar Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia, të njëjtën të drejtë si element konstituiv i ish-Federatës së Jugosllavisë e ka pasur edhe Kosova. Prandaj nuk është precedent. Nëse Kosova është precedent, precedent atëherë është edhe Sllovenia edhe Kroacia. Unë mendoj se në Kosovë mungon ky aspekt i shpjegimit, do të thotë kontekstualizimi i propagandës dhe luftës hibride që e bën Rusia.”- ka thënë Koci.

Dezinformatat për trafikim të organeve

Në vitin 2023, zëdhënësja ruse ka akuzuar Ukrainën për trafikim organesh, duke krahasuar me rastin e Kosovës, pretendimet e rrejshme se në “Shtëpisë së verdhë” gjatë luftës së Kosovës është bërë trafikim i organeve. Russia Today dhe Sputnik Serbija kanë shpërndan narrativën dezinformuese e Zaharovës se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ende funksionon por në një emër tjetër dhe se ekziston mundësia që ajo të jetë e pranishme në Ukrainë si një organizatë mercenare.Pretendimet për trafikim të organeve gjatë luftës në Kosovë u shfaqën për herë të parë në librin “Zonja Prokurore”, nga Carla Del Ponte, ish-kryeprokurore e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY.

Në librin e Del Pontes pretendohej se UÇK-ja mund të ketë rrëmbyer disa qindra civilë në Kosovë në vitin 1999 dhe t’i ketë çuar në veri të Shqipërisë, disa prej të cilëve janë dërguar në Burrel dhe u janë marrë organet.

Akuzat se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte e përfshirë në trafikimin e organeve nga e ashtuquajtura “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri nuk mbështeten me prova, kishte thënë në vitin 2010 Matti Raatikainen, shef i hetimeve për krimet e luftës në EULEX.

Në vitin 2010, senatori zviceran, Dick Marty, hartoi një raport në vitin 2010 me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”, i cili pastaj u miratua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

Raporti pretendoi se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-99.

Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh.

Nga aktakuza e publikuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, e datës 27.02.2023, që është aktakuza me më pak redaktime dhe e njëjta aktualisht është në fuqi në këtë çështje gjyqësore, nuk përmban asnjë pretendim apo pikë rënduese për trafikim të organeve njerëzore. Në dokumentin prej 72-faqesh në asnjë prej 10 pikave të aktakuzës nuk lidhet me trafikim organesh, dhe asnjë nga vendet e ndalimit të identifikuara në Kosovë dhe Shqipëri nuk specifikohet si vend i kryerjes së veprimtarive të tilla.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se ish-ambasadori Dick Marty ishte manipuluar nga dezinformatat ruse.

Ai kishte thënë se pretendimet për trafikim të organeve “ishin hetuar edhe më parë nga tribunali i Hagës, nga UNMIK-u dhe EULEX-i dhe ishin hedhur poshtë si të pabaza”.

“Propaganda ruse dhe serbe manipuloi Dick Martin. Ai ra viktimë e fushatës së tyre. Ata e ushqyen me informacione të rreme dhe në fund tentuan edhe ta vrisnin për të na fajësuar neve. Qëllimi ishte shumë i qartë, të diskreditojë projektin më të suksesshëm politik dhe ushtarak ndërkombëtar në dekadat e fundit, storien e suksesit të Kosovës”- ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, sipas EUvsDisinfo, akuzat për trafikim organesh gjatë operacioneve ushtarake në Ukrainë janë pjesë e një fushate të gjatë dezinformimi nga Kremlini.

Mediat pro-Kremlin kanë një histori të gjatë të përhapjes së kësaj akuze të rreme në lidhje me konflikte të tjera, të tilla si lufta e Rusisë kundër Gjeorgjisë në vitin 2008, lufta në Kosovë dhe lufta në Siri, gjithmonë me qëllim njollosjen e grupeve që kundërshtojnë politikat e Moskës.

Në realitet, transplantimi i organeve është një procedurë mjekësore shumë komplekse dhe e ndjeshme ndaj kohës që nuk mund të kryhet në kushte terreni. Ideja e heqjes spontane të organeve për shitje është e pamundur nga ana mjekësore. Organet e donatorëve kërkojnë shqyrtim të plotë për sëmundje, dhe vdekjet traumatike – të zakonshme në luftë – shpesh i bëjnë organet të papërdorshme për shkak të dëmtimeve të brendshme. Pretendime të tilla injorojnë si realitetet mjekësore ashtu edhe standardet etike, duke shërbyer vetëm për të përhapur mosbesim dhe konfuzion.

Dezinformata se “ushtarët e Kosovës po luftojnë në Ukrainë”

Përëveç pretendimeve për përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së në luftën në Ukrainë kinse po merren me trafikim organesh, mediat ruse kanë shtyrë narrativën se ushtarë të Kosovës po luftojnë në shtetin ukrainas.

Mediumi Rossiyskaya Gazeta pretendonte se UÇK-ja është ende aktive dhe mund të jetë e pranishme në Ukrainë si mercenare.

Ndërkohë Sputnik raportonte se Rusia po verifikon informacionin se mercenarët po rekrutohen në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë për t’u dërguar në Donbas, sipas ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

E njëjta narrativë dezinformuese ishte përseritur edhe nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e cila ishte publikuar edhe në mediat në gjuhën shqipe. Madje, disa portale, e kanë publikuar pretendimin e Putinit se mercenarët nga Kosova janë duke luftuar në Ukrainë, duke mos i shtuar asnjë kontekst apo përgjigje nga institucionet e Kosovës.

Për më shumë, një komunikatë e lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, e cila pretendonte rrejshëm se në Ukrainë janë duke luftuar “383 mercenarë nga Shqipëria dhe Kosova” dhe se deri më tani janë vrarë 171 persona nga këto dy vende, ishte publikuar në portalet në gjuhën shqipe pa asnjë ndërhyrje. Në këtë lajm nuk është vendosur asnjë deklaratë e Qeverisë së Shqipërisë apo Kosovës dhe nuk është shtuar asnjë rresht kontekst për të verfikuar këto pretendime të Kremlinit. Ky lajm është publikuar në të paktën 10 portale (shih 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10).

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte folur për këto pretendime të rreme të Rusisë, duke thënë se asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar të luftojë në Ukrainë.

“Asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar të luftojë në Ukrainë. Ata po thonë të gjitha llojet e dezinformatave dhe pretendimeve të rreme sepse kjo është pjesë e luftës së tyre hibride. Pra, lufta hibride është plot me gënjeshtra, plot me narrativa të rreme dhe lufta hibride shndërrohet në luftë. E kemi parë me Ukrainën. Lufta hibride nuk e zëvendëson luftën, është vetëm faza përgatitore e saj dhe duhet të jemi shumë të shqetësuar për të gjitha këto akuza të rreme, sepse ato janë shenja paralajmëruese se çfarë do të ndodhë më pas”- kishte deklaruar Kurti për BBC.

Rreth këtyre pretendimeve të Kremlinit kishte folur edhe ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Ne nuk kemi asnjë informacion se asnjë qytetar i Republikës së Kosovës është pjesë e luftës në Ukrainë e për më pak se edhe paskemi viktima nën ta, ashtu siç paskan pas deklaruar agjencitë e [Vladimir] Putinit”- kishte thënë ministri Sveçla.

Krypometër kishte verifikuar disa lajme të rreme që qarkullonin në rrjete sociale për një marrëveshje për dërgimin e Ushtrisë së Kosovës në Ukrainë.

Sipas Krypometër, nuk ishte marrë asnjë vendim që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të dërgohen në Ukrainë.

Meidat i referoheshin një deklarate të mëhershme e kryeministrit Albin Kurti kur ishte pyetur për këtë çështje. Kurti këtë deklaratë e kishte dhënë para gazetarëve, më 9 dhjetor 2021, në të cilën nuk kishte thënë që do të dërgojë ushtrinë në Ukrainë.

“Së pari, uroj që të mos ketë konflikte të reja, edhe unë jam duke e përcjellur me vëmendje deri në orët e vona se çfarë po ndodhë në kufirin midis Ukrainës dhe Federatës Ruse dhe ka një alarmim dhe të NATO-s, në veçanti të Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për këtë gjë, dhe çkado që NATO-ja e parasheh të nevojshme ne natyrisht që jemi të gatshëm”- kishte thënë ai.

As pas kësaj deklarate nuk është marrë asnjë vendim nga Qeveria për të dërguar trupa të FSK-së në Ukrainë. Po ashtu, mediat nuk kanë publikuar asnjë fakt se në Ukrainë janë duke luftuar mercenarë nga Kosova.

Akuzat e rreme ndaj NATO për nxitjen e konflikteve ndër-etnike 

Një tjetër narrativë që mediat ruse kanë shpërndarë është se NATO ka përshkallëzuar situatën në Kosovë në maj të vitin 2023, për të shpërqendruar Rusinë.

Zakharova kishte deklaruar se trupat e NATO-s vetëm sa kanë përkeqësuar armiqësitë midis autoriteteve lokale dhe shumicës etnike serbe në pjesën veriore të Kosovës.

“Jo vetëm që treguan paaftësinë e tyre… [ata] vetë u bënë një burim dhune të panevojshme, një faktor përshkallëzimi”- kishte pretenduar zëdhënësja.

Në ditën kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e prillit 2023 në katër komuna në veri, u vendosën në ndërtesat komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, serbë lokalë ishin mbledhur për të protestuar kundër marrjes së detyrës nga kryetarët e rinj.

Këto protesta u shndërruan në të dhunshme, pasi grupe huliganësh sulmuan policët e Kosovës, ushtarët e KFOR-it dhe mediat. Protestat që nisën më 26.05.2023 u radikalizuan më 29.05.2023, sidomos në Zveçan, dhe shënjestër e gurëve, e gjësendeve të tjera të forta e madje edhe e plumbave ishin ushtarët e KFOR-it që ruanin ndërtesën e komunës.

Dhjetëra ushtarë të KFOR-it ishin plagosur e lënduar. Madje, njërit, për shkak të lëndimeve i ishte amputuar këmba.

Në lidhje me këtë rast, Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq u shpallën fajtorë nga Gjykata më 27.02.2024.

Radosh Petroviq u dënua me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e të njëjtit ky dënim do t’i kthehet në gjobë në shumë prej 6 mijë euro. Ndërkaq, i akuzuari Dushan Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, por që në këtë dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Nën masën e tillë, Obrenoviq kishte qëndruar për mbi 5 muaj.

Petroviq dhe Obrenoviq, sipas aktakuzës, në koordinim me persona të tjerë kanë marrë pjesë në turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze. Sipas aktakuzës të datës 05.02.2024, të njëjtit, si pjesë e kësaj turme, përmes dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Kjo sipas aktakuzës kundër urdhërave të ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës.

Ndërkohë, më 14.01.2026 është arrestuar një tjetër person që dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, në po të njëjtat protesta.

Ndaj të pandehurit S.R, Gjykata e Prishtinës ka caktuar një muaj paraburgim për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Dezinformatat për përndjekje të serbëve 

“EuvsDisinfo” thot se mediat ruse akuzojnë pa bazë SHBA-në dhe NATO-n për luftë kundër Serbisë dhe për një ‘gjenocid të butë’ të popullsisë serbe në Kosovë, dhe në përgjithësi për një situatë të ndërlikuar që ka kohë që  vazhdon, pavarësisht përpjekjeve të BE-së dhe SHBA-së për të ulur tensionet.

NATO, një objektiv i shpeshtë i dezinformimit pro-Kremlin, nuk ka luajtur asnjë rol në rritjen e këtyre tensioneve.

Sipas “EuvsDisinfo”, edhe për përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës në fund të vitit 2022 për shkak të vendimit për targat, mediat ruse kishin fajësuar NATO-n dhe SHBA-në. Publikimi i Sputnik promovonte një teori konspirative që lidh ngjarjet e vazhdueshme në Kosovë me luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Tjetër pretendim është se Bashkimi Evropian po nxit qëllimisht një konflikt në veri të Kosovës me qëllim që të bindë Beogradin të miratojë sanksione anti-ruse.

Shpesh në narrativat e pro-Kremlinit për Kosovën, të cilat janë raportuar nga “EUvsDisinfo”, janë që NATO-ja dhe Perëndimi paraqiten si përgjegjës për “terrorizimin” e serbëve ose për krijimin e tensioneve etnike, duke u përdorur si krahasim me akuzat ndaj Ukrainës për “agresion” – një narrativë që është refuzuar si e paargumentuar.

Mirëpo, Forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR) kanë kontribuar vazhdimisht në uljen e tensioneve midis komuniteteve, përfshirë në gusht dhe dhjetor 2022, si dhe gjatë incidenteve vdekjeprurëse të marsit 2004, kur forcat e OKB-së dhe NATO-s u përpoqën të përmbanin përleshjet midis serbëve dhe shqiptarëve etnikë, të cilat rezultuan në 27 të vdekur vendas dhe 11 paqeruajtës të plagosur.

Ky pretendim dezinformimi është pjesë e një  fushate dezinformimi pro-Kremlinit për të fajësuar Perëndimin për përshkallëzimin e tensioneve në Kosovë në dhjetor 2022. Për më tepër, shërben gjithashtu për të larguar vëmendjen nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Tags: Kosova Kpo Rusia Ukraina

Continue Reading

Previous: Raport i ri i ICCT: Rusia vazhdon aktivitetet hibride kundër Evropës, të përfshirë edhe serbë
Next: Kosova mbështet sulmet e SHBA-së kundër Iranit

NATO-ja thotë se do ta zvogëlojë praninë në Kosovë, sheh përmirësim të situatës së sigurisë 5 min read
  • Ballkan
  • News

NATO-ja thotë se do ta zvogëlojë praninë në Kosovë, sheh përmirësim të situatës së sigurisë

The Geopost June 12, 2026
Frymë lirie: 27 vjet nga çlirimi i Kosovës 5 min read
  • Ballkan

Frymë lirie: 27 vjet nga çlirimi i Kosovës

The Geopost June 12, 2026
KE ngre shqetësime për pasaportat serbe që u jepen shtetasve rusë 2 min read
  • Ballkan
  • News

KE ngre shqetësime për pasaportat serbe që u jepen shtetasve rusë

The Geopost June 12, 2026
Dosja e Prokurorisë Speciale: Si kishte pasur koordinim Radoiçiq me Vuçiqin për barrikadat e 2022-ës në veri të Kosovës 6 min read
  • Ballkan

Dosja e Prokurorisë Speciale: Si kishte pasur koordinim Radoiçiq me Vuçiqin për barrikadat e 2022-ës në veri të Kosovës

The Geopost June 12, 2026
Serbia u jep shtetësi rusëve nën sanksionet e SHBA-së dhe Ukrainës 10 min read
  • Ballkan

Serbia u jep shtetësi rusëve nën sanksionet e SHBA-së dhe Ukrainës

The Geopost June 11, 2026
“Çaçilendi” si sistem politik: Serbia mes mafies dhe falimentimit 6 min read
  • Ballkan

“Çaçilendi” si sistem politik: Serbia mes mafies dhe falimentimit

The Geopost June 11, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.