Një studim i ri gjithëpërfshirës me titullin “Made at Home – Political Elites and Media Narratives on the Ukraine War in Serbia, Montenegro, and Bosnia and Herzegovina” tregon se narrativat pro-ruse në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë nuk krijohen në Moskë, por lindin brenda vetë shteteve të rajonit – përmes kalkulimeve politike, strukturave mediatike dhe ndarjeve të kahershme identitare.
Hulumtimi, autor i të cilit është Vuk Vuksanoviq, bazohet në analizë me inteligjencë artificiale të përmbajtjes mediatike në periudhën 2022–2025, përfshin dhjetëra mijëra tekste dhe 26 intervista me gazetarë, analistë dhe studiues nga rajoni.
Në Serbi janë analizuar mbi 51.000 artikuj për luftën në Ukrainë, të cilët kanë gjeneruar mbi 800.000 ndërveprime në Facebook.
Analiza tregon se mesazhet pro-ruse intensifikohen gjatë krizave politike, protestave, zgjedhjeve dhe tensioneve në politikën e jashtme, ndërsa zbehen kur humbin funksionin e tyre politik.
Serbia: Lufta si përplasje mes Rusisë dhe Perëndimit
Në mediat proqeveritare në Serbi, lufta në Ukrainë shpesh paraqitet si një konflikt më i gjerë midis Rusisë dhe Perëndimit, ndërsa Ukraina përshkruhet si një zgjatim i NATO-s.
Narrativa se Perëndimi po zhvillon një “luftë me ndërmjetës” kundër Rusisë është regjistruar 486 herë, ndërsa shprehja “operacion special ushtarak” është evidentuar të paktën 64 herë. Pretendimet për provokim nga NATO janë shfaqur 101 herë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ndjek një politikë balancimi midis BE-së dhe Rusisë, por diskursi mediatik shpesh anon nga interpretime që relativizojnë përgjegjësinë ruse ose theksojnë Perëndimin si nxitësin kryesor të konfliktit.
Bosnja dhe Hercegovina: Dy realitete mediatike
Në Bosnje e Hercegovinë, narrativat janë thellësisht të ndara sipas vijës entitare.
Në Republikën Srpska, mediat pranë pushtetit përdorin rregullisht formulime si “denazifikim”, “operacion special ushtarak” dhe pretendime se Perëndimi po zhvillon luftë kundër Rusisë përmes Ukrainës. Narrativa se Ukraina është “shtet nazist” është regjistruar 58 herë, ndërsa teza se Perëndimi nuk dëshiron paqe është përmendur 177 herë.
Milorad Dodik është identifikuar si aktori kryesor politik në promovimin publik të retorikës që e paraqet Rusinë si mbrojtëse të sovranitetit dhe vlerave tradicionale.
Ndërkohë, mediat në Federatën e BiH kryesisht mbajnë një ton më kritik ndaj Moskës, por analiza vëren se edhe aty ka raste të transmetimit jokritik të deklaratave të zyrtarëve rusë, duke mundësuar përhapjen indirekte të disa narrativave.
Mali i Zi: Narrativa të importuara në një mjedis pro-perëndimor
Mali i Zi, megjithëse anëtar i NATO-s dhe formalisht i orientuar drejt BE-së, paraqet një model tjetër.
Narrativat pro-ruse në këtë vend zakonisht përhapen përmes ripublikimit të përmbajtjeve nga tabloidët proqeveritarë serbë.
Mediat kryesore malazeze mbeten kryesisht pro-perëndimore, por ndarjet politike dhe çështjet identitare krijojnë hapësirë për pranimin selektiv të mesazheve që relativizojnë përgjegjësinë e Moskës ose theksojnë fajin e Perëndimit.
Studimi identifikon të ashtuquajturin “efekt jehone” midis Serbisë dhe Republikës Srpska – të njëjtat përmbajtje dhe interpretime qarkullojnë në hapësirën mediatike rajonale, shpesh pa ndryshime të konsiderueshme.
Burimet ruse nuk kanë nevojë të veprojnë drejtpërdrejt në çdo vend; mjafton që politikanët lokalë, mediat dhe figurat publike t’i marrin dhe t’i përshtatin mesazhet për audiencën e tyre.
The Geopost

BE-ja investon 1.3 miliardë dollarë në 57 projekte mbrojtjeje, forcon bashkëpunimin me prodhuesit ukrainas
Trump shpall armëpushim 10-ditor midis Izraelit dhe Libanit
Narrativat ruse dhe ndikimi në Serbi: Mesazhe që nxisin mosbesim ndaj BE-së
Mesazh i dyfishtë nga Beogradi: Pushteti forcon lidhjet me Moskën ndërsa flet për paqe dhe stabilitet
Ndryshim historik në Hungari, opozita në epërsi ndaj pro-rusit, Viktor Orban
Paralajmërimi për ndaljen e fondeve të BE-së për Serbinë, Kearns: Brukseli më në fund po zgjohet