Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbajti sot një fjalim në Konferenca e Sigurisë në Mynih, i cili u prit me duartrokitje nga pjesëmarrësit në sallë.
Gjatë adresimit të tij, ai deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump kërkon “seriozitet dhe reciprocitet nga miqtë tanë në Evropë”, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve transatlantike për të dyja palët.
“Arsyeja, shokë të mi, është sepse na intereson thellësisht. Na intereson thellësisht e ardhmja juaj dhe e jona”, tha Rubio.
Kryediplomati amerikan theksoi se edhe kur lindin mosmarrëveshje mes partnerëve, ato burojnë nga shqetësimi i thellë për të ardhmen e kontinentit evropian dhe jo vetëm nga çështje ekonomike apo ushtarake.
“Ne jemi të lidhur shpirtërisht dhe kulturërisht. Dëshirojmë që Evropa të jetë e fortë. Besojmë se Evropa duhet të mbijetojë… fati ynë gjithmonë do të jetë i lidhur me tuajin”, shtoi ai.
Rubio nënvizoi se stabiliteti i Evropës ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar këtë si një nga arsyet kryesore pse çështjet e sigurisë evropiane mbeten prioritet i Uashingtonit.
Ai paralajmëroi gjithashtu se SHBA synon “të rivitalizojë një miqësi të vjetër dhe të rinovojë civilizimin më të madh në historinë e njerëzimit”, duke e lidhur këtë me nevojën për bashkëpunim më të fortë politik dhe strategjik mes dy anëve të Atlantikut.
Sekretari amerikan i Shtetit theksoi rëndësinë e forcimit të aleancës SHBA–Evropë edhe nga perspektiva historike.
“Edhe pse shtëpia jonë është në Hemisferën Perëndimore… ne gjithmonë do të jemi një fëmijë i Evropës. Kolonitë tona të para u themeluan nga kolonistët anglezë, të cilëve u detyrohemi jo vetëm gjuhën që flasim, por gjithë sistemin tonë politik dhe ligjor”, deklaroi ai.
Konferenca e Sigurisë në Mynih, një nga forumet më të mëdha globale për çështjet e sigurisë dhe politikës ndërkombëtare, do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, me pjesëmarrjen e liderëve politikë, diplomatëve dhe ekspertëve nga mbarë bota.
The Geopost

‘Regjimentet e Pavdekshme’ dhe një parti minoritare: Gjashtë organizata pro-ruse në të njëjtën adresë në Beograd
“Duhet të jemi gati për luftë”: Shefi i ushtrisë gjermane paralajmëron për rritjen e kërcënimit rus
Trump njofton për arritjen e marrëveshjes me Iranin, thotë se do të nënshkruhet së shpejti
Ushtaraku amerikan: Epoka e dronëve po e ndryshon luftën
Shefi i NATO-s: SHBA mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive të aleancës
“Nuk e duan luftën” – Shkalla e rekrutimit ushtarak të Rusisë bie në nivelin më të ulët