NATO / Mark Rutte
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca po i ndjek nga afër zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe situatën në Kosovë, duke theksuar se pret ende llogaridhënie nga Beogradi për ngjarjet e vitit 2023 në Banjskë.
Në një konferencë për media në selinë e NATO-s në Bruksel, para takimit të ministrave të Mbrojtjes që do të mbahet më 12 shkurt, Rutte tha se është në kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Serbisë dhe se çështja e Banjskës mbetet e hapur.
“Unë vetë, por edhe si aleancë, jam në kontakt të ngushtë me presidentin serb. Ne ende po presim llogaridhënien e tij për atë që ndodhi në vitin 2023 në Banjska dhe ngjarjet e tjera gjatë atij viti. Nuk ka shumë gjëra të reja për të raportuar, por ne i ndjekim zhvillimet nga afër”, deklaroi Rutte.
Ai theksoi se përmes misionit paqeruajtës KFOR dhe angazhimeve të tjera në rajon, NATO mbetet thellësisht e përfshirë në ruajtjen e stabilitetit.
“Përmes KFOR-it dhe aktiviteteve të tjera të Aleancës në Ballkanin Perëndimor, në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe në Kosovë, ne jemi shumë të angazhuar dhe i ndjekim gjërat nga afër”, u shpreh ai.
Rutte bëri të ditur se pesë vende anëtare të NATO-s nga Ballkani Perëndimor – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Kroacia – informojnë rregullisht Aleancën për zhvillimet në rajon.
Po ashtu, ai theksoi se NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke shtuar se situata atje po monitorohet me kujdes.
Të enjten, më 12 shkurt, ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare do të mblidhen në selinë e NATO-s në Bruksel në kuadër të takimit të radhës ministror, i cili do të drejtohet nga vetë Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte.
Një zyrtar i NATO-s ka theksuar se Ballkani Perëndimor mbetet rajon me rëndësi strategjike për Aleancën./Thegeopost.

Kongresisti Wilson: Serbia të ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Moska
Kush janë dy serbët e arrestuar nën dyshimin për krime lufte në Kosovë?
Kongresi amerikan rezolutë kundër mbajtjes së Asamblesë së OSBE-së në Beograd, përmendet qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës
Kamberi: Regjimi i Vuçiqit duhet të largohet, Serbia duhet të përballet me krimet në Kosovë
Nga nëntori, rusët, kinezët dhe turqit do të kenë nevojë për viza për të hyrë në Mal të Zi
FAZ rikthen të kaluarën e Vuçiqit: Nga Varrezat Hebraike të Sarajevës te retorika e “Serbisë së Madhe”