Serbia ka shënuar përkeqësim në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025 të publikuar nga organizata ndërkombëtare Transparency International (TI), duke u vlerësuar me 33 pikë, dy më pak krahasuar me vitin paraprak, kur kishte 35 pikë.
Me këtë rezultat, Serbia renditet në mesin e vendeve më dobët të vlerësuara në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor, duke mbetur dukshëm nën mesataren globale prej 42 pikësh. Sipas TI-së, çdo vlerësim nën 50 pikë tregon një nivel serioz të korrupsionit të perceptuar në sektorin publik.
Presion në rritje ndaj institucioneve të drejtësisë
Në raportin e këtij viti, Transparency International veçon Serbinë si një nga vendet ku përgjigjja e dobët e gjyqësorit konsiderohet një pengesë kyçe për luftën kundër korrupsionit. Organizata thekson se Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi është përballur me presion të shtuar, veçanërisht pas hetimeve për abuzime të dyshuara nga anëtarë të Qeverisë.
Sipas TI-së, këto presione kanë përfshirë fushata denigruese të udhëhequra nga vetë qeveria, pengimin e bashkëpunimit me policinë, si dhe ndryshime ligjore që kanë dobësuar aftësinë institucionale për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë.
Marrëveshje sekrete dhe heqje e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore
Raporti i Transparency International përmend gjithashtu Serbinë në kontekstin e mungesës së transparencës në vendimmarrje për projekte të mëdha investuese. Sipas organizatës, kompetencat diskrecionale dhe pezullimi i rregullave të transparencës i kanë ekspozuar fondet publike ndaj rrezikut të korrupsionit dhe kanë dëmtuar besimin e publikut.
Në këtë kuadër, TI përmend rastin e heqjes së mbrojtjes ligjore të ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave në Beograd, një monument kulturor, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një hoteli luksoz. Projekti ishte planifikuar nga kompania e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, megjithëse në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar u raportua se Kushner ishte tërhequr nga ky investim.
Sipas TI-së, rasti ilustron mënyrën se si marrëveshjet jo-transparente me investitorë të huaj dhe ndërhyrjet politike në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore krijojnë rrezik të lartë për korrupsion.
Protesta të të rinjve dhe kërkesa për llogaridhënie
Transparency International thekson se Serbia bën pjesë në mesin e vendeve të vlerësuara dobët në indeks, ku gjatë vitit 2025 është shënuar rritje e protestave të udhëhequra nga gjenerata e re. Sipas raportit, të rinjtë kanë protestuar për të kërkuar llogaridhënie nga qeveria dhe për t’iu kundërvënë pandëshkueshmërisë.
Gjatë vitit të kaluar, Serbia u përball me protesta masive, fillimisht për shkak të vdekjes së disa personave nga rrëzimi i një strehe betoni në një stacion hekurudhor, ndërsa më pas kërkesat e protestuesve u zgjeruan duke përfshirë thirrje për zgjedhje të reja dhe përgjegjësi institucionale.
Serbia nën mesataren rajonale
Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbia renditet ndër më të dobëtat. Mali i Zi është vlerësuar me 46 pikë, Maqedonia e Veriut me 40, Shqipëria me 39, Bosnje e Hercegovina me 34, ndërsa Serbia me 33 pikë mbetet në fund të listës rajonale.
Transparency International paralajmëron se në të gjithë Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, institucionet e dobëta, përqendrimi i pushtetit dhe ngecjet demokratike po e ushqejnë korrupsionin dhe po ngushtojnë hapësirën për shoqërinë civile, me Serbinë të përmendur si shembull shqetësues.
Konteksti global
Raporti thekson se mesatarja globale e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit ka rënë në 42 pikë, niveli më i ulët në më shumë se një dekadë. Nga gjithsej 182 shtete dhe territore, 122 janë vlerësuar me më pak se 50 pikë.
Në krye të indeksit për vitin 2025 qëndrojnë Danimarka, Finlanda dhe Singapori, ndërsa në fund të listës renditen Venezuela, Somalia dhe Sudani.
Transparency International sqaron se indeksi mat perceptimin e korrupsionit në sektorin publik, duke përfshirë ryshfetin, keqpërdorimin e fondeve publike, kapjen e shtetit dhe mungesën e transparencës, por nuk përfshin perceptimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve apo korrupsionin në sektorin privat.
The GEOPOST

Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit në rastin Banjska
Në Prishtinë u mbajt konferenca “Demokracitë rezistente në epokën e informacionit”
Konjufca: Dezinformimi kërcënon stabilitetin demokratik, Kosova përballet me fushata nga Rusia dhe Serbia
Arrestohet një serb për krime lufte në Skenderaj, dyshohet për vrasje e tortura të dhjetra civilëve shqiptarë në ’99-ën
Mesazh i dyfishtë nga Beogradi: Pushteti forcon lidhjet me Moskën ndërsa flet për paqe dhe stabilitet
Çka e lidh Vuçiqin me kompaninë e shtetasit serb i cili është nën hetim në SHBA?