Lideri autoritar i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërcënuar me hakmarrje pasi protestuesit dhe një prokuror penguan planet për ndërtimin e kullës “Trump” në Beograd.
Projekti në vlerë prej 500 milionë dollarësh u braktis pas aktakuzës kundër ministrit serb Nikola Selakoviq, i dyshuar për abuzim me detyrën zyrtare për të mbështetur projektin.
“Unë personalisht do të sigurohem që çdokush që mori pjesë në shkaktimin e këtij dëmi do të mbahet përgjegjës”, tha Vuçiq në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, shkruan The Guardian.
Vuçiq, afërsia e të cilit me Vladimir Putinin e ka lënë me pak aleatë perëndimorë, personalisht u përpoq t’u pëlqente Trampëve. Por mijëra demonstrues kanë organizuar protesta në vendndodhjen për ndërtimin e hotelit dhe kompleksit të apartamenteve.
Një zëdhënës i Affinity Partners, kompani e investimeve e drejtuar nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, e cila po planifikonte ndërtimin e këtij kompleksi tha se, “projektet me kuptim duhet të bashkojnë në vend që të ndajnë dhe nga respekti ndaj popullit të Serbisë dhe qytetit të Beogradit, ne po tërheqim aplikimin tonë për ndërtim”.
Që kur Donald Trump rifitoi Shtëpinë e Bardhë 13 muaj më parë, djemtë e tij kanë mbyllur një seri marrëveshjesh nga Gjiri deri në Vietnam që kanë ndihmuar në rritjen e të ardhurave të familjes në një vlerë të vlerësuar 864 milionë dollarë vetëm në gjysmën e parë të këtij viti.
Familja Trump kanë menduar të shtojnë një pronë në Beograd në portofolin e tyre ndërkombëtar që nga viti 2013. Në 2024, Kushner erdhi në Serbi për të shpallur se njëra më në fund do të ndërtohej. Në janar, ditë pas inaugurimit të Trumpit, Eric zbuloi se ndërtesa do të mbante emrin e tyre të familjes.
Dy muaj më vonë, Trump Jr ishte në Beograd për të takuar Vuçiqin. Ndërkohë që serbët po mbusnin rrugët me protesta kundër korrupsionit dhe paaftësisë së supozuar të regjimit të tij, presidenti dhe Trump Jr shijuan atë që Vuçiq e quajti një “bisedë të përzemërt” rreth “marrëdhënieve bilaterale”, komente që sugjeronin kufij të turbullt mes biznesit dhe gjeopolitikës. Megjithatë, projekti tashmë ishte në telashe.
Vendndodhja kishte status të mbrojtur si vend i trashëgimisë kulturore. Dikur një xhevahir i arkitekturës moderniste, ajo ruhej si rrënojat e selisë ushtarake të regjimit gjenocidal të Sllobodan Milosheviqit, e bombarduar nga NATO-ja më 1999.
Nëntë ditë pas fitores zgjedhore të Trumpit në nëntor 2024, regjimi i Vuçiqit revokoi këtë status mbrojtjeje. Por dokumentacioni i nevojshëm ishte falsifikuar, tha drejtori i institutit të trashëgimisë kulturore pas arrestimit të tij në maj.
Serbia po përballet me një krizë energjetike pasi administrata e Trumpit në tetor vendosi sanksione ndaj rafinerisë së naftës serbe (NIS) në pronësi ruse./TheGeopost.

Çfarë po ndodh në fabrikën kineze në Serbi – Dëshmi të reja për abuzim të punëtorëve
Aleksiq: Me një front kundër regjimit të Vuçiqit
Janiq: SHBA-të pritet të paraqesin dokument për njohje të ndërsjellë Kosovë–Serbi
Hulumtuesi kroat zbulon lidhjet e errëta të Veselinoviqit me Vuçiqin dhe Dodikun
Pjesëtarë të inteligjencës ushtarake serbe të përfshirë në shpërthimin në Ibër-Lepenc
FSK-ja do të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën