Përfaqësuesi i medias ruse Rybar e cilësuar si organizatë që përhap propagandë dhe ushtron ndikim keqdashës në zgjedhjet demokratike, ka qenë i pranishëm në Banja Lukë gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme për president të Republika Srpska.
Më 23 nëntor po zhvilloheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme për president të Republika Srpska, pas shkarkimit të Milorad Dodikut nga kjo pozitë për shkak të dënimit për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë. Edhe pse me pjesëmarrjen më të ulët në 18 vitet e fundit, në këto zgjedhje janë drejtuar shumë sy nga e gjithë bota për shkak të ndërrimit të politikanit si mbështetës i Rusisë.
Siç raporton Detektor.ba, derisa mediat dhe organizatat e shoqërisë civile raportojnë për rezultatet, luftën mes Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) dhe opozitës, si dhe numërimin e votave, në hijen e zgjedhjeve zbulohet se në Banja Lukë ka arritur media ruse e sanksionuar, të cilën qeveritë e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së e cilësojnë si medie që përhap propagandë ruse dhe kryen aktivitete keqdashëse të drejtuara drejt minimit të zgjedhjeve në të gjithë botën.
Pas vizitave të mëparshme në Banja Lukë, tani është konfirmuar se gjatë dhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këtë qytet ka qëndruar Mihail Zvinçuk, njeriu i parë i medias propagandistike ruse Rybar, e cila ndikimin e saj e përhap në rrjetet sociale.
Duke komentuar këtë vizitë, Ambasada e Ukrainës ka theksuar se është e rëndësishme që BeH, duke pasur të drejtën sovrane për të marrë vendime për hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të huaj në territorin e saj, të vazhdojë me kujdesin më të madh dhe në përputhje me standardet dhe detyrimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër.
Nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, ku Zvinçuku është në listën e sanksioneve që nga 9 dhjetori, paralajmëruan për lidhjet e rrezikshme të kësaj medie ruse.
“Rybar pjesërisht koordinohet nga administrata presidenciale ruse, merr financa nga korporata shtetërore Rostec dhe bashkëpunon edhe me anëtarë të agjencive inteligjente ruse”, thanë nga kjo Ambasadë.
Sipas informacioneve, Zvinçuk hyri në BeH më 23 nëntor, në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Edhe pse çdo ditë në rrjetet e tij sociale raporton për aktivitetet e veta, këtë nuk e ndau me ndjekësit e tij derisa zgjedhjet nuk përfunduan.
Një ditë më vonë, në kanalet e medias Rybar u publikua analiza e tij video e procesit zgjedhor në Republika Srpska. Këtë herë Zvinçuk u zhvendos nga studioja e tij standarde dhe qëndronte para ndërtesës së Qeverisë së RS-së në Banja Lukë.
Zvinçuk analizon çfarë treguan zgjedhjet dhe pse, sipas mendimit të tij, strategjitë e vjetra politike nuk janë më të nevojshme, duke pohuar se këto zgjedhje treguan trende të reja.
Situatën në RS e krahasoi me “pranverën aziatike”, kur gjeneratat më të reja në Nepal dhe Madagaskar në vitin 2025 dolën në protesta, të mobilizuara përmes rrjeteve sociale, duke anashkaluar strukturat tradicionale të ndikimit.
Ai theksoi se zgjedhjet aktuale formalisht e forcuan kursin e Dodikut, por se RS përballet me një realitet të ri politik, ku rezultati i procesit nuk përcaktohet nga institucionet e njohura, por nga shpejtësia e përshtatjes me teknologjitë e ndikimit digjital. Kjo, shton ai, tregon se vetë ambienti po ndryshon politikën.
Të njëjtën ditë, Rybar publikoi edhe një nga infografikat e tij të njohura, me analizë të detajuar të zgjedhjeve në RS, duke theksuar se në zgjedhje u sigurua fitorja e Milorad Dodikut, por se pyetja kyçe është “nëse lideri i ri i entitetit do të mbrojë me guxim të drejtat e popullit të tij” si paraardhësi.
Një ditë më parë, i njëjti kanal në Telegram ndau rezultatet e zgjedhjeve në RS, me titull “Kursi drejt autonomisë”. Në një analizë të shkurtër shpjegojnë se presidenti i ri i entitetit do të mbajë kursin e pavarur dhe do të vazhdojë të mbrojë autonominë e entitetit.
Zvinçuk është i njohur publikisht si person që disa qeveri demokratike, përfshirë Ukrainën, e cilësojnë si propagandist rus. Për të, Ëashington Post më herët zbuloi se bëhet fjalë për ish-përkthyes ushtarak në shërbimin e shtypit të ushtrisë ruse, me gradë oficeri. Në këtë pozitë, thuhet, ka punuar në Irak dhe Siri dhe në vitin 2018, i pakënaqur me mungesën e analizave cilësore për Lindjen e Mesme, themeloi Rybar, të cilin e financoi Jevgenij Prigozhin, shefi i kompanisë private ushtarake famëkeqe “Wagner”.
Ndikimi i tij u përhap shpejt dhe së shpejti Zvinçuk pohoi se Rybar ka një rrjet botëror të lidhur që përbëhet nga më shumë se 250 kanale në 28 gjuhë. Përveç përmes mediave, Zvinçuk ndikimin e tij e përhapi duke organizuar punëtori të ndryshme, ku gjatë vitit 2024 erdhi në Banja Lukë, u takua me drejtorë të agjencive qeveritare dhe njoftoi se Rybar do të themelojë shkollën mediatike. Ky projekt kurrë, të paktën zyrtarisht, nuk u realizua dhe çdo vizitë e Zvinçukut në këtë qytet të BeH-së është shoqëruar me sekrete.
Duke kërkuar në rrjetet e Zvinçukut dhe Rybar, konstatohet se që nga fillimi i shtatorit 2025 në kanalet e kësaj medie janë intensifikuar postimet për shkollën e re mediatike që ata organizojnë. Kështu, më 9 shtator u publikua se shkolla mediatike Rybar fillon vitin e ri akademik dhe trajnimet. Në tetor të këtij viti njoftuan edhe organizimin e një shkolle unike mediatike për studentë të huaj, në bashkëpunim me Fakultetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Këshillin e ish-studentëve të Institutit Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Parlamenti i BE-së kërkon rregulla të reja për të mbrojtur veprat krijuese nga trajnimi i inteligjencës artificiale
Ischinger: Ukraina duhet të mbetet përparësia absolute e Evropës
Numra të rastësishëm e kod persian: Një sinjal misterioz radioje trondit hetuesit dhe ekspertët e inteligjencës
Trump: Fushata ushtarake kundër Iranit do të përfundojë ‘shumë shpejt’
Krahasimi me bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, ish-admirali kroat flet për luftën ndaj Iranit
NATO riafirmon mbrojtjen e aleatëve pasi kap raketën drejt Turqisë