Shkrim autorial i Dragan Shormaz për The Geopost
Pas tubimit të madh në Novi Sad me rastin e përvjetorit të rrëzimit të tendës dhe vrasjes së 16 personave, qytetarët e Serbisë shfaqën qartë pakënaqësinë e pakthyeshme ndaj regjimit aktual. Megjithatë, lëvizja studentore, e cila po paraqitet si sfiduesi kryesor për marrjen e pushtetit, ende është larg krijimit të një alternative të vërtetë ndaj regjimit të Vuçiqit dhe sistemit të pushtetit që ai ka ngritur.
Nëse shihet pozita e regjimit aktual në Serbi, bëhet e qartë se ai ndodhet pothuajse në një situatë pa dalje. Nga njëra anë, neoradikalët e Vuçiqit kanë humbur plotësisht kapacitetin e “përfshirjes së të gjithëve” (catch-all) përmes të cilit kishin sunduar plot 13 vjet. Shpërbërja e bazës elektorale të Vuçiqit filloi gjatë krizës së litiumit, kur një pjesë e madhe e votuesve konservatorë dhe prorusë e braktisën atë. Ky proces u përshpejtua më tej me dështimin e politikës së tij ndaj Kosovës, e cila bazohej në vlerësime joreale për mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe në pritshmëri edhe më joreale që presidenti i Serbisë i përhapte përmes makinerisë së tij propagandistike.
Më pas erdhi kriza e shkaktuar nga korrupsioni, e cila mori haraçin e saj në gjak me 16 jetë të humbura. Repre¬sioni i shtuar, mbytja e lirisë së mediave, flirtimi me regjime autoritare, retorika anti-perëndimore dhe pretendimet e pakuptimta se në Serbi po zhvillohet një përpjekje për “revolucion me ngjyra”, i larguan nga regjimi i partisë përparimtare (SNS) votuesit pro-evropianë dhe ata që nuk pranonin ekstremizmin radikal. I vetëdijshëm për humbjen e bazës elektorale, Vuçiqi u kthye drejt një retorike radikale dhe sistemit klientelist që kishte ndërtuar. Megjithatë, goditja përfundimtare për të erdhi me rastin e vendosjes së sanksioneve ndaj kompanisë NIS, të cilat, pavarësisht rezultatit përfundimtar, do ta largojnë përfundimisht një pjesë të madhe të nacionalistëve prorusë që e kishin mbështetur deri tani.
Ndërkohë që Vuçiq përpiqet me çdo mënyrë të ndalojë rënien e rejtingut të tij, përballë tij qëndron një opsion politik që synon ta zëvendësojë në pushtet, por pa program të qartë dhe pa figura që me kredibilitetin e tyre do të garantonin zbatimin e premtimeve elektorale. Floskulat politike që reduktohen në akuza për “tradhti ndaj Kosovës”, në refuzimin e bashkëpunimit me BE-në dhe në rrëfime mitomane për “integralizmin serb”, e bëjnë skenën politike të Serbisë të ngjajë më shumë me atë të Iranit të vitit 1979, në prag të revolucionit islamik, sesa me një skenë politike të një shoqërie moderne evropiane të shekullit XXI.
Probleme shtesë për stabilizimin e shoqërisë politike serbe paraqesin edhe vështirësitë ekonomike gjithnjë e më të dukshme, të cilat po rrëzojnë themelet e demokracisë së brishtë në Serbi, tashmë seriozisht të dëmtuar nga instalimi i regjimit hibrid të SNS. Serbia ka një rritje ekonomike prej vetëm 2.4%, shumë e dobët krahasuar me vitet e mëparshme; inflacioni vazhdon të jetë i pranishëm, por problemi më i madh tani janë investimet. Këtë vit, ato janë vetëm rreth 50% e atyre të vitit të kaluar, ndërsa një problem edhe më i madh është largimi i investitorëve ekzistues!
Për gjithçka që po ndodh, fajtore është politika e gabuar e jashtme e Aleksandar Vuçiqit! Lëkundjet e tij tashmë po i kushtojnë shtrenjtë! Në Rusi nuk mund të ketë më mbështetje, sepse ka shitur municion kompanive amerikane, të cilat më pas ia kanë dërguar Ukrainës! Tani po ofron të njëjtin marrëveshje edhe Bashkimit Evropian! Rusia nuk i beson më, sepse e di që BE-ja ka shumë më tepër kapacitet presioni ndaj regjimit të tij, për shkak të fuqisë së tregut dhe varësisë së ekonomisë serbe nga BE-ja!
Nga ana tjetër, raporti i sivjetshëm i Komisionit Evropian për Serbinë, për herë të parë pas disa vitesh, e thotë qartë dhe pa ekuivok se regjimi i Vuçiqit është autokratik, se ka kufizuar liritë demokratike dhe se për këtë arsye po bën hapa prapa në procesin e integrimeve evropiane! “Ćacilendi” (kampi festiv) në hapësirën midis ndërtesës së parlamentit dhe presidencës është turp për Serbinë; arrestimi i protestuesve, mbytja e lirisë së shprehjes dhe e mediave, përplasjet e përditshme me gjyqtarë e prokurorë të papërshtatshëm për regjimin, si dhe kërcënimet me dhunë nga kriminelët e huliganët ndaj qytetarëve të zakonshëm — nuk mundën më të kalojnë pa u vënë re në Bruksel!
Paniku në Beograd dhe përpjekjet për ta qetësuar BE-në përmes miratimit të disa ligjeve që lidhen me listat zgjedhore dhe Këshillin Rregullativ të Mediave Elektronike (REM), tregojnë se Brukseli e ka paralajmëruar seriozisht Vuçiqin. Ka shumë gjasa që paralajmërimi të ketë të bëjë me qasjen në fondet dhe grantet evropiane, pa të cilat ekonomia serbe do të pësonte një rënie edhe më të madhe!
Administrata e presidentit Trump, nga ana tjetër, nuk e sheh më Vuçiqin si partner! Ai e turpëroi familjen Trump me skandalin korruptiv rreth Shtabit të Përgjithshëm, mbështeti Dodikun në destabilizimin e Bosnjës, disa thonë se ka financuar fushatën e demokratëve, nuk e zhvendosi ambasadën në Jerusalem megjithëse e kishte nënshkruar marrëveshjen ulur pranë Trumpit (Kosova e bëri këtë), dhe nuk arriti të nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën, për të cilën po ashtu ishte zotuar para Trumpit!
Përveç të gjithave, tani po afrohen edhe sanksionet amerikane ndaj kompanisë NIS, të cilat Vuçiqi prej muajsh përpiqet t’i shmangë për të mos ndryshuar strukturën pronësore të kompanisë! Këto ditë çështja duhet të zgjidhet përfundimisht, përndryshe Serbia do të zhytet në një krizë energjetike të paparë, e cila do të shkaktojë probleme të reja për qytetarët, por edhe për ekonominë, duke sjellë një eksod edhe më të madh të investitorëve nga vendi! Nga ana tjetër, BE-ja po insiston gjithnjë e më shumë që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë në mënyrë që të hapet kapitulli 3 i negociatave dhe të vazhdojnë bisedimet e anëtarësimit.
Kjo është pikërisht situata më e rrezikshme për Aleksandar Vuçiqin! Ai është i ngjeshur në qoshe dhe nuk ka më hapësirë për manovra! Nëse nuk vendos sanksione ndaj Rusisë dhe nuk e shtetëzon NIS-in, do ta fusë shtetin në një kaos ekonomik që do të përshpejtojë rënien e tij. Nëse, përkundrazi, vendos sanksione ndaj Rusisë dhe e shtetëzon NIS-in, do ta zemërojë gjysmën e Serbisë, e cila do ta rrëzojë më shpejt nëse “prek Rusinë” sesa nëse njeh Kosovën! Dhe kjo nuk është e gjitha – kush e di çfarë do t’i ofronte Putini në këtë situatë: një ballkon, një filxhan çaji, apo një lundrim me jahtin e tij luksoz…
Në këtë situatë ekzistuese, e cila po rrezikon të kthehet në një gjendje të përhershme të paqëndrueshmërisë dhe në një kërcënim ndaj procedurave demokratike në vend, i vetmi shpëtim për Serbinë janë reformat politike të përshpejtuara në përputhje me vlerat evropiane dhe afrimi drejt anëtarësimit në BE. Megjithatë, kjo rrugë nuk është aspak erëndësishme për Vuçiqin dhe për njerëzit rreth tij, të zhytur në korrupsion, për të cilët nuk ka vend të lirë në asnjë shtet anëtar të BE-së. Nga ana tjetër, ky është i vetmi shpëtim i mundshëm, që mund t’i sigurojë atij një pension politik të qetë dhe siguri personale, e cila po bëhet çdo ditë e më e rrezikuar për shkak të aktivitetit në rritje të shërbimeve ruse në terren.
Fakti që këto shërbime po krijojnë lirisht kampe ushtarake brenda vendit, po organizojnë alternativa politike ndaj regjimit të Vuçiqit dhe po e kërcënojnë gjithnjë e më hapur, është një shenjë alarmi që duhet ta zgjojë atë nga paraliza e plotë e shkaktuar nga frika për ekzistencën e tij personale. Ka ardhur koha që Vuçiqi më në fund ta zbatojë mbi miqtë e tij rusë parullën e tij të preferuar “Dorëzimi nuk është opsion” dhe ta nxjerrë Serbinë nga përqafimi vdekjeprurës i Kremlinit, në të cilin e ka shtyrë vetë me papërgjegjësi dhe pamendësi./The Geopost/

Japonia dhe Evropa bashkohen në mbështetje të Tajvanit
Gazetari i BIRN-it: Punonjësit e medias në Serbi të ekspozuar ndaj sulmeve digjitale dhe mbikëqyrjes sekrete – shumica e rasteve kalojnë pa u vënë re
Ushtarë robotë: Drone tokësore në frontin ukrainas
“Rreziqe të mundshme sigurie” në pasaportat serbe për qytetarët rusë
Norvegjia nxitet të përdorë fondin prej 1.8 trilionë eurosh për të ndihmuar BE-në të zhbllokojë kredinë për Ukrainën
BE-ja lanson ‘Mburojën e Demokracisë’ për të luftuar dezinformatat ruse dhe për të mbrojtur procesin zgjedhor