Një operacion policor u zhvillua të dielën e 19 tetorit në Zveçan. Lidhur me të, u aktivizua Serbia me narrativat e saj kundër Kosovës.
Por, Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila edhe njoftoi për operacionin, tha se i njëjti kishte të bënte me hetimin lidhur me vrasjen e një zyrtari të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) më 2013.
“Gjatë operacionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar në Polici shtatë persona, dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Bastisje u kryen në nëntë lokacione, shtatë në Zubin Potok dhe dy në Zvecan.
Prokuroria Speciale tha se gjatë operacionit janë sekuestruardy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike të ndryshme e të tjera.
Bastisjet u kryen për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale: “rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to, vrasje e rëndë dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.
“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cenojnë sigurinë, ligjin dhe rendin në Republikën e Kosovës”.
Ndërkaq Serbia me narrativat e saj e konsideroi aksionin e së dielës si “vazhdimësi të shtypjes brutale fizike dhe ligjore ndaj popullit serb”.
“Operacioni policor, synoi frikësimin dhe krijimin e trazirave në mesin e familjeve serbe që kanë jetuar në këto zona për dekada të tëra”, pretendoi Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
E heshtur nuk qëndroi as Lista Serbe. Shoqërimin e shtatë personave në Polici, e paraqiti si “arrestim brutal të serbëve” në Zubin Potok dhe Zveçan, dhe pretendoi se aksioni ishte “pjesë e një fushate të terrorit të organizuar nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kundër serbëve”.
Ndryshe, Audrius Senavicius, nga Lituania, ishte pjesëtari i parë i Misionit për Sundim të Ligjit i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), i cili ishte vrarë në krye të detyrës prej se ky mision është instaluar në Kosovë.
Vrasja e tij ndodhi më 19 shtator të vitit 2013, kur në rajonin e komunës së Zvecanit u sulmuan dy vetura të EULEX-it. Ato ishin duke u kthyer nga pika kufitare me Serbinë./The Geopost/

Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin
Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë
Evropa nis financimin prej 24 miliardë dollarësh, Ukraina në fokus të planit SAFE
Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja drejt bisedimeve të reja për paqe në Abu Dhabi
Raporti nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BiH: Lëvizjet e autoriteteve të RS po çojnë në ndarje de facto nga BiH
Mediat ruse e paraqesin humbjen e Vuçiqit si pasojë të ndikimit perëndimor