Qindra qytetarë protestuan këtë fundjavë në Shkup kundër agresionit brutal të Rusisë ndaj u Ukrainës, i filluar rrafsh dy vite më parë.
Siç raporton The Geopost, protestuesit kanë mbajtur pankarta ku është shkruar “Rusia është vend terrorist”, “Putini vrasës”…ndërkohë që protestuesit kanë ndezur edhe një portret të presidentit rus, Vladimir Putin.
Marshi protestues u organizua nga shoqata e ukrainasve në Maqedoninë e Veriut “Lesya Ukrainka”, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Larisa Dir.
Marshi u zhvillua nga rruga e “Ukraina” deri te Ambasada Ruse në Shkup, ndërkohë që u drejtua nga Oleksandr Urbanoviç, i cili është kryetar i Shoqatës së Ukrainasve “Lesya Ukrainka”.
Ai u tha të pranishmëve dhe mbarë botës se mbështetja ushtarake për Ukrainën është më se e nevojshme për “për të parandaluar një luftë më të madhe në Evropë dhe një reaksion zinxhir të luftërave ndërshtetërore në mbarë botën”.
Sipas Urbanoviç, populli ukrainas ka dy vjet që jeton me tingujt e sirenave, fëmijët shkojnë në shkollë dhe fshihen në vende të sigurta kurse prindërit kanë frikë për sigurinë e tyre.
“Regjimi i Kremlinit po përpiqet të ndryshojë hartën e botës, të rishkruajë historinë dhe të shkatërrojë komunitetin ndërkombëtar bazuar në ligje dhe rregulla. Skllavërimi i Ukrainës supozohej të ishte vetëm një hap drejt një plani më të madh: rindarja e botës. Falë guximit të popullit ukrainas, Rusia është ende e mbërthyer në hapin e parë pas dy vitesh luftë të gjithanshme”, tha ai.
Planet e Putinit, sipas Urbanoviç, i kalojnë kufijtë e Ukrainës. “Pas 24 vitesh në pushtet, diktatori rus është i shkëputur nga realiteti dhe i fiksuar pas iluzioneve pseudohistorike ku, sipas tij, Rusia qenka mbi të drejtën ndërkombëtare dhe misionin e tij e sheh në zgjerimin e Rusisë, kurse zëdhënësit e regjimit të tij kërcënojnë rregullisht vendet e tjera evropiane dhe krijon dezinformata dhe propagandë”, tha a.
Sipas tij, vetëm përmes unitetit dhe stabilitetit përballë agresionit dhe terrorit rus është e mundur të rivendoset arkitektura e sigurisë në Evropë.
Ai theksoi se të fitosh një luftë kërkon dy gjëra: qëndrueshmëri dhe mbështetje ushtarake.
“Mbrojtësit heroikë ukrainas dëshmuan se Ukraina është e aftë të rezistojë, të mundë regjimin gjakatar rus dhe të çlirojë të gjitha territoret e pushtuara përkohësisht me mbështetjen e nevojshme ushtarake”, shtoi Urbanoviç.
Duke pasur parasysh dimensionet e luftës, ai nënvizoi se Ukrainës i duhet një sasi e madhe armësh dhe municionesh për të luftuar në një front prej 1200 kilometrash.
Prioritetet kryesore të Ukrainës, tha Urbanoviç, janë aviacioni modern, mbrojtja ajrore, municionet e artilerisë, dronët, lufta radio-elektronike dhe automjetet e blinduara.
“Ukraina do të fitojë!”, brohoriti ai./The Geopost/

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit
Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë
Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ruse si mjet militarizimi
“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999