Disa kompani serbe të krijuara nga shtetas rusë përdoren për të anashkaluar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga BE dhe SHBA dhe për të blerë komponentë të përdorur në prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, raportojnë mediat e specializuara, sipas Rrjetit Ballkanik të Sigurisë.
Sipas portalit, Rusia po përpiqet me të gjitha mjetet t’i sigurojë industrisë së saj ushtarake komponentë të prodhimit të huaj, gjë që tani është problem për shkak të sanksioneve, dhe për këtë arsye po përdor hile dhe blerje përmes vendeve të treta, përfshirë Serbinë.
“Mediat serbe kanë raportuar kohët e fundit se disa kompani të krijuara nga shtetas rusë përdoren për të anashkaluar sanksionet e BE-së dhe SHBA-së duke blerë mallra të nevojshme për prodhimin ushtarak, duke përfshirë GoodForwarding d.o.o. nga Beogradi. Këto pretendime konfirmohen edhe nga të dhënat e disponueshme komerciale mbi tregtinë ndërkombëtare, në të cilat kishte akses Rrjeti Ballkanik i Sigurisë, shkruan portali, duke shtuar se kompania është një kompani e regjistruar në Agjencinë e Regjistrave Tregtarë për tregtimin e pemëve dhe perimeve.
Teksti shton se kompania është një “burim i rëndësishëm furnizimi” për Rusinë i mikroçipëve dhe pllakave nga prodhuesit e Lindjes së Largët dhe Perëndimit të nevojshëm për prodhimin e raketave, dronëve dhe armëve të tjera dhe pajisjeve ushtarake.
Ata shtojnë se të dhënat tregojnë se në fund të vitit të kaluar kompania kishte 42 transaksione me kompani nga Kina, SHBA, Tajvani, Japonia, Britania e Madhe, Koreja e Jugut, Malajzia dhe Tajlanda, komponentët e të cilave më pas u eksportuan në Rusi.
Portali shton se aktivitete të tilla përbëjnë shkelje të mundshme të një sërë sanksionesh dhe marrëveshjesh ndërkombëtare dhe se një biznes i tillë është në kundërshtim me politikën zyrtare të Serbisë.
“Edhe pse Beogradi nuk ka vendosur masa kufizuese kundër Rusisë, qeveria serbe ka thënë se nuk do të lejojë që ajo të jetë një platformë për anashkalimin e sanksioneve ndërkombëtare”, thuhet në tekst./N1/

Vuçiq ndjek skenarin e Putinit për të mbetur në pushtet, por edhe Kremlini ka dyshime për suksesin e tij
Alarm para zgjedhjeve në Serbi, ish-krerët e shërbimeve të sigurisë i bëjnë thirrje policisë: Mos u bëni instrument i pushtetit
Mbi 3 mijë ushtarë të rinj për pesë vjet, Maqedonci: Do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin dhe profesionalizimin e ushtrisë
Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”
Qeveria: Mbi 1 miliard euro investime në ushtri në këtë mandat
Skandal në Vjenë: KRIK zbulon rrjetin e lidhur me Vuçiqin që dyshohet se manipulon votuesit e diasporës serbe