Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, iu drejtua të martën deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, duke bërë thirrje për më shumë mbështetje humanitare dhe armë për Ukrainën, për të përballuar, siç tha, agresionin rus.
Presidenti ukrainas, duke folur përmes video-lidhjes, kërkoi nga Shqipëria që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë.
“Bankat ruse duhet të shkëputen plotësisht nga sistemi financiar global. Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet qëllimisht tregtia me Rusinë. Ju kërkoj t’i mbyllni portet për anijet ruse, të kufizoni ardhjet për turistët rusë… ndoshta vijnë vrasës të Buçës apo të Irpinit”, tha Zelensky, duke iu referuar qyteteve ukrainase, ku forcat ruse dyshohet se kanë kryer krime të rënda.
Zelensky shprehu mirënjohje për, siç tha, mbështetjen e Shqipërisë dhe kujdesin ndaj qytetarëve të Ukrainës, që ikin nga lufta dhe strehohen në këtë vend.
“Faleminderit për hapat konkretë për Ukrainën, për ndihmën e mbrojtjes, për mbështetjen kundër Rusisë, për përkujdesjen që ju jepni fëmijëve tanë, njerëzve tanë. Qëndrimi juaj ndaj popullit të Ukrainës më bën të kujtoj Shën Terezën shqiptare, e cila është kthyer në simbolin e humanizmit në mbarë botën”, tha Zelensky.
Ai tha se vendi i tij po përballet me luftë “të pamëshirshme” nga Rusia, e cila, sipas tij, po bën përpjekje “ta ringjallë një tirani të tmerrshme”.
“Po shohim se si ushtria ruse po qëllon fëmijët. Njerëzit e strehuar në bunkerë kanë filluar të ngrihen. Në zonat që ka çliruar Rusia, po varrosen njerëz që janë gjetur të vrarë me duar të lidhura”, tha Zelensky.
Zelensky u përshëndet me duartrokitje nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët mbanin para vetes pankarta me flamurin e Ukrainës dhe mbishkrimin: “Ne qëndrojmë me Ukrainën”.

Zyra e Prokurorit të Krimit të Organizuar kërkon urgjentisht dokumentacion mbi faljet e dhëna nga Vuçiq
Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin
Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë
Evropa nis financimin prej 24 miliardë dollarësh, Ukraina në fokus të planit SAFE
Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja drejt bisedimeve të reja për paqe në Abu Dhabi
Raporti nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BiH: Lëvizjet e autoriteteve të RS po çojnë në ndarje de facto nga BiH