
Kryeministri britanik Rishi Sunak tha të hënën se do të dërgonte drone dhe qindra raketa të tjera në Ukrainë gjatë vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Britani, si pjesë e një turneu evropian që synon të fitojë mbështetje për një kundërofensivë kundër forcave ruse.
Në prag të takimit, në rezidencën Chekers, Sunak përqafoi Zelenskyn, i cili bëri vizitën e tij të dytë në Britani që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022.
Zelensky falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e deritanishme dhe tha se lufta ishte një çështje e “sigurisë jo vetëm të Ukrainës, por të gjithë Evropës”. Sunak i tha Zelenskyt se “udhëheqja e tij, guximi dhe këmbëngulja e vendit të tij janë një frymëzim për të gjithë”.
Mbretëria e Bashkuar është vendi i pestë evropian i vizituar nga Zelensky në tre ditët e fundit, pas Italisë, Vatikanit, Gjermanisë dhe Francës. Kremlini ka sinjalizuar se e sheh premtimin e Londrës për të dërguar armë shtesë në Kiev “shumë negativisht”, por nuk beson se furnizimet do të ndryshojnë në mënyrë drastike situatën në fushën e betejës.
Më herët, zyra e Rishi Sunak tha se udhëheqësi britanik do të konfirmojë të hënën dorëzimin e qindra raketave të mbrojtjes ajrore dhe sistemeve ajrore pa pilot, duke përfshirë qindra dronë të rinj me një distancë prej më shumë se 200 kilometra.
“Sot – Londër. Mbretëria e Bashkuar është një lider kur bëhet fjalë për zgjerimin e aftësive tona në tokë dhe në ajër”, tha Zelensky në Twitter.
“Ky është një moment vendimtar në rezistencën e Ukrainës kundër një lufte të tmerrshme,” tha Sunak në një deklaratë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për t’u mbrojtur kundër ortekëve të sulmeve të pamëshirshme dhe pa dallim, që kanë qenë rutina e tyre e përditshme për më shumë se një vit.”
Pas SHBA-së, Britania e Madhe është një nga donatorët më të mëdhenj të ndihmës ushtarake për Ukrainën – duke dhënë 2.9 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe duke u zotuar pothuajse po aq në vitin 2023.
Në janar, Britania njoftoi se do të dërgonte 14 nga tanket e saj kryesore luftarake në Ukrainë, gjë që është zotuar edhe nga vende të tjera, duke përfshirë SHBA-në dhe Gjermaninë.
Presidenti ukrainas vizitoi Berlinin, Romën dhe Parisin në fundjavë për të takuar liderët evropianë teksa kërkon të fitojë mbështetje shtesë ushtarake dhe financiare për Ukrainën.
Thirrje NATO-s që të pranojë Ukrainën në anëtarësim
Presidenti ukrainas ripërtëriti të hënën thirrjen e tij ndaj NATO-s për të marrë një “vendim politik pozitiv” për ofertën e anëtarësimit të Kievit në samitin e korrikut.
Partnerët perëndimorë i kanë dhënë Ukrainës armë për të luftuar pushtimin rus. Por Kievi dëshiron garanci më të forta sigurie për të ardhmen dhe shpreson të bashkohet me aleancën ushtarake të NATO-s, e cila do të mbajë një samit në Vilnius në korrik.
“Është koha për të hequr pasigurinë më të madhe të sigurisë në Evropë – domethënë, për të konfirmuar një vendim pozitiv politik për anëtarësimin e Ukrainës në NATO,” tha ai në një fjalim video në samitin e demokracisë në Kopenhagë, duke i kërkuar aleancës që të marrë një vendim në Korrik./VOA/