Së paku tri parti me orientim të hapur pro-rus pritet të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, të cilat janë caktuar të mbahen më 24 prill, gjegjësisht më 8 maj të këtij viti. LEVICA (E Majta) e Dimitar Apasievit, DESNA (E Djathta) e Lupço Palevskit dhe “Edinstvena Makedonija” (Maqedonia unike) e Janko Baçevit kanë paralajmëruar se do të garojnë në zgjedhje.
Partia e Apasievit aktualisht ka dy deputetë, ndërkohë që anketat dëshmojnë për një rritje të popullaritetit të saj, duke e projektuar si një faktor serioz pas zgjedhjeve. Partitë e Baçevit dhe Palevskit duket se janë margjinale, por të zhurmshme në sferën publike kur bëhet fjalë për promovimin e qëndrimeve të Moskës në vend. Madje, Palevski është në paraburgim në Turqi, ku iku në dhjetor të vitit të kaluar pasi i zbulua se mizorisht kishte vrarë dy persona – 14-vjeçaren Vanja Gjorçevska dhe 84-vjeçarin Pançe Zhezhovski.
Partitë tradicionale, ndërkaq, kanë theksuar se pas integrimit në NATO do të vazhdojnë të punojnë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE). Partitë e koalicionit qeverisës LSDM, BDI dhe ASH kanë paralajmëruar formimin e një koalicioni parazgjedhor, të emëruar si “Fronti Evropian”, ndërkohë që VMRO-DPMNE dhe opozita shqiptare e unifikuar në koalicionin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN) pritet të garojnë ndaras.
A ka vend për shqetësim?
Krerët e qeverisë në largim, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri Artan Grubi, në konferencën vjetore qeveritare “Viti i mundësive evropiane” në Shkup, thanë se shohin rrezik nga ndikimi rus.
“Vladimir Putin madje ka nxitur tensionet dhe konfliktet ndëretnike në vend”, tha Grubi duke shtuar se se ndër vite “vendi ynë është përballur me sfida të shumta që kanë vetëm një qendër të përbashkët destabiliteti, ajo është Rusia”.
“Këtë e them sepse edhe gjatë trazirave në Parlament (27 prill, 2017) kishim një rus që nxiti gjithë situatën për linçimin e deputetëve dhe kryetarit të ri të Parlamentit (Talat Xhaferi). Deklarata ka pasur edhe nga Lavrov, Putin dhe Zakharova”, tha Grubi.
“Nëse ju kujtohet, gjatë trazirave në Parlament ka qenë një nga shërbimet ruse së bashku me një koleg nga fqinjësia jonë, të cilët i kanë nxitur protestuesit të hyjnë dhe të linçojnë deputetët, kryetarin e sapozgjedhur të Parlamentit, mandatarin për formimin e Qeverisë së re dhe të gjithë deputetët në press-qendrën e Parlamentit”, tha Grubi.
Grubi, duke iu referuar mesazheve të dërguara nga Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-ve, James O’Brien, të dhëna të hënën në Shkup, thotë se miqtë e vendit presin nga qytetarët të përcaktohen nëse janë për një Maqedoni evropiane apo për një vend me ndikim rus.
“A ka ndikim rus në komunitetet tona fetare? Përgjigjen e dini vetë. A ka ndikim rus në mediat tona? Përgjigjen e dini vetë. A ka ndikim rus në organizatat joqeveritare në shoqërinë tonë? Dhe të gjithë e dini se ka eksponentë dhe elementë rusë që po bëjnë gjithçka është e mundur dhe në fuqinë e tyre për të prishur shumicën dhe koalicionin parlamentar progresiv që dëshiron ta shohë këtë vend anëtar të NATO-s dhe BE-së dhe në miqësi shekullore me Amerikën. Prandaj po përpiqemi të ndërtojmë Frontin Evropian të unitetit, të forcave progresive në vend”, theksoi ai.
Kryeministri në largim, Dimitar Kovaçevski, duke komentuar deklaratat e Grubit, tha se këto janë fakte që i dinë të gjithë.
“Këto janë fakte që të gjithë i dinë. Ai nuk i tha të gjitha, por theksoi saktësisht se për cilat procese po mendonte, përfshirë anëtarësimin në NATO, avancimin e demokracisë, si dhe fillimin e negociatave me BE-në”, shtoi Kovaçevski.
Ageler: Ndikimi rus është i pranishëm
Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler, tha sot në Shkup se nuk ka njohuri konkrete për ndikimin e mundshëm rus në procesin e ardhshëm zgjedhor, por nënvizoi se “është përgjithësisht i pranishëm në rajon”. Këto komente Ageler i bëri gjatë nënshkrimit të memorandumit për zbatimin e programit Fulbright për shkëmbimi akademik me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Sipas saj, gjëja më e rëndësishme për qytetarët është të edukohen mirë për zgjedhjet e ardhshme, për procesin dhe për kandidatët që do të marrin pjesë në të.
““Nuk jam në dijeni të ndonjë ndikimi specifik, por kam besim se ekziston sepse në përgjithësi ekziston në këtë rajon. Më e rëndësishmja është që, ndërsa i afrohemi periudhës parazgjedhore, qytetarët e vendit u bëjnë pyetje kandidatëve dhe kur votojnë të mendojnë për prioritetet e tyre. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Është e rëndësishme të edukohen për procesin dhe kandidatët, pavarësisht se kush ndërhyn. Është mjeti më i fuqishëm që ata kanë”, tha Ageler.
Ndryshe, kryeministri Dimitar Kovaçevski sot ka dorëzuar dorëheqjen, që do të thotë se në dorëheqje do të jetë edhe i gjithë kabineti qeveritar. Të njëjtën do ta bëjë edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili pritet të marrë mandatin për formimin e qeverisë teknike, e cila do të ketë një periudhë prej 100 ditësh që të organizojë zgjedhjet e planifikuara të rregullta presidenciale dhe parlamentare të pranverës.
Të premten në seancën e Parlamentit do të konfirmohen dorëheqjet e Kovaçevskit dhe Xhaferit, ndërsa kryetar i ri i Parlamentit do të zgjidhet Jovan Mitreski, koordinator i Grupit Parlamentar të LSDM-së.
Presidenti Stevo Pendarovski të premten zyrtarisht do t’ia ndajë Xhaferit mandatin e kryeministrit për të formuar qeverinë teknike, e cila do të përfshijë edhe opozitaren VMRO-DPMNE me tre poste ministrore dhe tre të zëvendësministrave.
Të shtunën, më 27 janar, Xhaferi duhet të dorëzojë në Parlament programin dhe përbërjen e Qeverisë, ndërsa të dielën më 28 janar do të mbahet seanca për zgjedhjen e qeverisë teknike të udhëhequr nga Xhaferi dhe me propozime të opozitës.
Shkruan: Xhelal Neziri, redaktor dhe bashkëpunëtor i The Geopost nga Shkupi