Ndikimi i Rusisë në Maqedoninë e Veriut ka qenë kryetema e fushatës për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt më 24 prill, kurse raundi i dytë do të mbahet më 8 maj, bashkë me zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Në balotazh kaluan dy kandidatët me më shumë vota të grumbulluara: Gordana Siljanovska – Dafkova e VMRO-DPMNE-së, e cila mori afër 360 mijë vota, dhe presidenti aktual Stevo Pendarovski, i cili kërkon një mandat të dytë si kandidat i LSDM-së, e që mori 180 mijë vota. Epërsia e madhe e Siljanovska-Dafkovës paralajmëron një fitore të sigurt, jo vetëm për të si presdiente e ardhshme, por edhe për VMRO-DPMNE-në si parti opozitare, kundrejt LSDM-së e cila që nga 2017 mban pushtetin qendror në Shkup. Pesë kandidatë përfunduan garën që në raundin e dytë, midis së cilëve edhe Bujar Osmani i Frontit Evropian dhe Arben Taravari i koalicionit opozitar shqiptar VLEN. Tre kandidatët tjerë, ndërkohë, nuk kanë fshehur simpatitë ndaj Rusisë dhe Kinës, ose nuk kanë dënuar në asnjë ras agresionin rus në Ukrainë. Bëhet fjalë për Biljana Vankovskën e LEVICA-s, Stevce Jakimovskin e GROM-it dhe Maksim Dimitrievskin e ZNAM-it, të cilët grumbulluan madje rreth 15 për qind të votave.
Osmani dhe Taravari fushatën e tyre e kanë fokusuar të pasojat e ndikimit rus në Maqedoninë e Veriut, duke akuzuar njëri-tjetrin për krijimin e terrenit që Rusia të ketë një ndikim kaq të madh në vend. Madje Slogani i Osmanit ishte “Jo Rusisë, Po Evropës”. Duke theksuar pozitën e tij si Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, vend i cili nga viti 2020 është anëtar i NATO-s, Osmani ka pretenduar se ka informacione se Federata Ruse ka ndikim të thellë në disa kandidatë për presidentë dhe se pritet të ndikojë edhe në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Nga ana tjetër, Taravari ka akuzuar se me përkrahjen e “Ballkanit të Hapur” nga Qeveria në Shkup i është krijuar më shumë hapësirë ndikimi Rusisë, ndikim që e ka realizuar nëpërmjet Serbisë.
Sidoqoftë, zgjedhjet presidenciale për kandidatët shqiptarë ishin vetëm matje forcash për zgjedhjet parlamentare. Fokusi i partive politike është te zgjedhjet parlamentare pasi nga aty buron pushteti i vërtetë – legjislativ dhe ekzekutiv. Presidenti i shtetit, megjithatë, është një pozicion ceremonial pa shumë ndikim në krijimin apo zbatimin e politikave. Si i tillë nuk është aq atraktiv as për partitë, e as për votuesit. Jorastësisht, raundi i dytë i votimeve është caktuar në datën e zgjedhjeve parlamentare, me qëllim që të plotësohet pragu ligjor prej 40 për qind dalje në zgjedhje me qëllim që zgjedhja e presidentit të shtetit të jetë e vlefshme.
Rusia dhe Kina vazhdojnë të jenë në fokus të fushatës. Drejtori i Agjencisë për Zbulim, Erold Musliu, një institucion që funksionon nën ombrellën e presidentit Pendarovski, doli me pretendimet se Rusia dhe Kina po punojnë të ndikojnë seriozisht në epilogun e zgjedhjeve parlamentare. Ai aludoi në partinë LEVICA dhe portalin e saj, të cilët propagandojnë braktisje të NATO-s dhe bashkëngjitje drejt BRICS, si alternative e BE-së.
Partitë politike shqiptare, të organizuara në dy blloqe – Fronti Evropian dhe VLEN – e lidhin ndikimin rus me votimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve etnikë në preambulë, në përputhje me Propozimin Francez të vitit 2022. Ky dokument, që hoqi veton bullgare, tashmë është parakusht që vendi të vazhdojë procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Refuzimi i VMRO-DPMNE-së që të mbështesë këto ndryshime ka rezultuar me disa akuza në adresë të saj se në këtë mënyrë kjo parti tërthorazi punon për Rusinë. Vonesa e nisjes së negociatave, e përcjellë edhe me tonet e etno-nacionalizmit që kjo parti përdor në fjalorin e saj publik, ka rezultuar me një përkrahje historikisht më të ulët të procesit të integrimit në BE. Madje, në disa anketa rezulton se gati gjysma e maqedonasve etnikë mendojnë se është koha që të kërkohet alternativë për integrimin evropian.
Tashmë nuk ka dyshim se zgjedhjet parlamentare të 8 majit do të nxjerrin për fituese pikërisht VMRO-DPMNE-në. Kjo parti ka deklaruar se e sheh si partner të saj në qeverinë e ardhshme koalicionin opozitar shqiptar VLEN. Fronti Evropian, i drejtuar nga BDI-ja e Ali Ahmetit, ngadhënjeu në zgjedhjet presidenciale karshi VLEN-it me gati 40 mijë vota diferencë. Ky koalicion tash pret të fitojë edhe zgjedhjet parlamentare dhe si fitues të përfaqësojë shqiptarët në qeveri. Në rast se VMRO-DPMNE, si fituese e mundshme e zgjedhjeve, anashkalon Frontin Evropian, si fitues i zgjedhjeve te shqiptarët, atëherë situata mund të tensionohet kurse marrëdhëniet ndëretnike të përkeqësohen. Maqedonia e Veriut nuk e ka me ligj të rregulluar çështjen e pjesëmarrjes në pushtet të partisë fituese te shqiptarët, por deri më tani është vendosur një praktikë e tillë për shkak të stabilitetit që prodhon.
Nëse rezultati zgjedhor deri diku është i qartë, ajo që ngelet me shumë pikëpyetje është periudha paszgjedhore. Me cilin bllok politik shqiptar VMRO-DPMNE do ta bëjë qeverinë? A do ta kushtëzojnë Fronti Evropian dhe VLEN formimin e qeverisë me ndryshimet kushtetuese, ashtu siç janë zotuar me nënshkrimin e një deklarate të mëhershme? A ka gjasa që vendi të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare nëse VMRO-DPMNE nuk do të arrijë të formojë qeveri? Të gjitha këto dilema rikthejnë mjegullën e pasigurisë në Maqedoninë e Veriut, tensionojnë marrëdhëniet ndëretnike, rrisin nivelin e euro-skepticizmit dhe kështu zmadhojnë mundësitë e rritjes së ndikimit nga Rusia dhe Kina. Një situatë e tillë paqartësie gjeostrategjike do të rikthente krizën e vitit 2016, kur Shkupi mezi u shkëput nga përqafimi i Moskës për t’u bërë anëtar i 30-të i NATO-s.
Shkruan: Xhelal Neziri – redaktor dhe bashkëpunëtor i The Geopost nga Shkupi