Mosbesimi i rusëve ndaj vaksinës së tyre ruse ka shtyrë që ata të udhëtojnë drejt vendeve të ndryshme të Evropës për vaksinim.
Një nga shembujt e kësaj praktike është Kroacia, e cila është një nga vendet që ofron vaksina falas për të gjithë, përfshirë të huajt, gjë që ka çuar në një rritje të konsiderueshme të fluturimeve nga Rusia drejt Zagrebit, pasi shumë rusë janë të gatshëm të marrin një vaksinë që njihet gjerësisht në Bashkimin Evropian.
Agjencia ruse e udhëtimeve Russian Express mundësoi turne vaksinimi në Kroaci në fund të shtatorit dhe kërkesa është rritur që atëherë. Qytetarët rusë mund të marrin Pfizer, Moderna ose Johnson & Johnson, e cila ofrohet në vetëm një dozë, pa pagesë dhe pa regjistrim paraprak. Qëndrimi katër ditor mund të plotësohet me një udhëtim turistik përmes paketos që kushton jo më shumë se 439 euro.
Çdo javë, rreth 60 qytetarë rusë mbërrijnë në Kroaci me një qëllim të vetëm – të vaksinohen kundër COVID-19. Mund të zgjedhin nëse dëshirojnë ta marrin vaksinën në Zagreb apo Pulë, dhe mund ta përfundojnë qëndrimin prej katër ditësh me shëtitje.
Kroacia është bërë kështu destinacioni më popullor në Bashkimin Evropian për “turet e vaksinimit” për tregun rus. Arsyeja është e thjeshtë: në Rusi mund të vaksinohen vetëm me një vaksinë ruse që nuk njihet nga shumë vende të BE-së dhe botës, në Kroaci vaksinimi është falas dhe i kanë të gjitha vaksinat e miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, përfshirë Johnson & Johnson, e cila pranohet në vetëm një dozë, në mënyrë që turistët rusë të mos kenë nevojë të udhëtojnë përsëri për një dozë tjetër, gjë që kërkon dyfishin e kostos. Pas vaksinimit, ata marrin një certifikatë të BE-së për COVID që u garanton atyre mundësinë e udhëtimit në BE dhe vendeve thera nëpër botë.
Menjëherë pas thirrjes publike për vaksinim në Kroaci, informacioni për mundësinë e vaksinimit filloi të qarkullojë në Rusi. Shumë forume kanë filluar të ndajnë udhëzime se si të vaksinohen me Pfizer, Moderna, Johnson & Johnson falas, pa regjistrim paraprak: “Thjesht vini në pikën e kontrollit dhe rreshtoheni, vaksinoheni dhe më pas prisni 15 minuta për të shmangur efektet anësore”.
Nuk u desh shumë kohë që agjencitë e udhëtimit të njohin interesin dhe të ofrojnë turne vaksinash, siç quhen në agjencinë Russian Express. Në faqen e tyre, turnet në Kroaci janë veçuar si një nga ofertat më tërheqëse. “Qytetarët rusë u vaksinuan kryesisht me vaksinën Sputnik V, e cila nuk ishte miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Për këtë arsye nuk është e mundur të hyjnë në shumë vende evropiane. Prandaj, njerëzit janë në kërkim të opsioneve të vaksinimit të cilat janë të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe pasi në Kroaci këto vaksina mund të merren pa pagesë për të huajt, ne vendosëm të ofrojmë një produkt të tillë turistik – vaksina-turne. Turne të tilla për rezervim i kemi ofruar qysh në fund të shtatorit dhe kërkesa është e madhe”, thonë për Veqernje Novisti nga Russian Express.
Sipas statistikave zyrtare, mijëra rusë janë vaksinuar në Kroaci qysh nga fillimi i pandemisë.
“Nga prilli deri në tetor të vitit 2021, 4.908 të huaj, shumica rusë, janë vaksinuar këtu. Vetëm gjatë këtij muaji ne kemi pasur rreth 1,000 rusë që kanë marrë vaksinë” ka thënë për France24 drejtoresha e qendrës së vaksinimit në Kroaci, Dr.Neda Ferençiq.
Ky trend vetëm sa shkon e rritet, kurse në Rusi gjendja aktuale përsa i përket pandemisë mbetet shqetësuese.