Turqia ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët civilë dhe ushtarakë rusë që fluturojnë në Siri, ka thënë ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
Ky njoftim shënon një nga përgjigjet më të forta deri më sot nga Turqia, e cila ka pasë lidhje të ngushta me Moskën pavarësisht se është anëtare e aleancës së mbrojtjes së NATO-s, ndaj sulmit ushtarak dy-mujor të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Ne mbyllëm hapësirën ajrore për avionët ushtarakë të Rusisë — madje edhe ata civilë — që fluturonin për në Siri. Ata kishin kohë deri në prill dhe ne kërkuam në mars,” cituan mediat turke të thoshte Cavusoglu.
Cavusoglu tha se ai ia përcolli vendimin homologut të tij rus Sergey Lavrov, i cili më pas ia transmetoi atë presidentit Vladimir Putin.
“Një ose dy ditë më vonë, ata thanë: Putini ka lëshuar një urdhër, ne nuk do të fluturojmë më”, citohet të ketë thënë Cavusoglu gazetarëve turq në bordin e avionit të tij për në Uruguai.
Cavusoglu tha se ndalimi do të qëndrojë në fuqi për tre muaj.
Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme ndaj njoftimit të Turqisë nga Rusia, e cila së bashku me Iranin ka qenë një mbështetës vendimtar i presidentit sirian Bashar al-Assad gjatë luftës civile të vendit të shkatërruar nga lufta.
Turqia ka mbështetur rebelët sirianë gjatë konfliktit.
Marrëdhëniet e Ankarasë me Moskën për pak kohë u prishën pasi Turqia rrëzoi një avion luftarak rus pranë kufirit turko-sirian në vitin 2015.
Por ato ishin përmirësuar deri në pushtimin e Ukrainës nga Rusia, të cilën Turqia e sheh si një partner të rëndësishëm tregtar dhe një aleat diplomatik.
Turqia është përpjekur të ndërmjetësojë për t’i dhënë fund konfliktit, duke pritur takime midis negociatorëve rusë dhe ukrainas në Stamboll dhe një tjetër midis Lavrov dhe homologut ukrainas Dmytro Kuleba në Antalia.
“Nëse ata duan një marrëveshje, është e pashmangshme”, citohet të ketë thënë Cavusoglu. “Mund të mos ndodhë për një kohë të gjatë, por mund të ndodhë papritmas.”/VOA