
Sanksionet e thesarit pengojnë qasjen ruse në furnizimet e fushëbetejës dhe synojnë gjeneruesit e të ardhurave
Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) sot ka ndërmarrë një sërë sanksionesh ndaj kompanive të caktuara të huaja për të penguar qasjen e Rusisë në furnizime që i duhen për në fushëbetejë.
Dhe sigurisht që në këtë listë nuk mungon Serbia, e cila qysh nga fillimi i agresionit të Rusisë në Ukrainë nuk u rreshtua krah shteteve perëndimore për t’i vënë sanksione.
Një kompani serbe u zbulua se i ka ndihmuar një kompanie ruse, e cila ishte e rëndësishme për industrinë ruse të mbrojtjes. Për këtë ka njoftuar Thesari në publikimin e fundit për të sanksionuarit e rinj.
Kompania AK Microtech (AKM) është një firmë me bazë në Rusi që është e specializuar në transferimin e teknologjisë së huaj gjysmëpërçuese në kompanitë ruse të prodhimit të mikroelektronikës, duke përfshirë subjektet që ofrojnë mikroelektronikë për industrinë ruse të mbrojtjes. Një numër i këtyre përdoruesve janë në listën e shtetasve të sanksionuar të Thesarit, si dhe në listën e subjekteve të Departamentit të Tregtisë, thotë Thesari i Shtetit amerikan.
AKM-ja përdor ndërmjetës jo-rusë për t’i mbuluar marrësit rusë. Një ndërmjetëse e tillë është firma me bazë në Serbi MCI Trading DOO Beograd Palilula (MCI), e cila ka ndihmuar AKM-në të blejë artikuj të teknologjisë së lartë nga prodhuesit në Azi, Evropë dhe Lindjen e Mesme. MCI gjithashtu ka bërë dhjetëra dërgesa në AKM që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022. Shtetasi serb Ivan Cvetic është drejtor i MCI.
AKM është sanksionuar nga Thesari për operimin në sektorin elektronik të ekonomisë së Federatës Ruse. Ndërsa kompania serbe dhe Cvetic janë sanksionuar për ndihmën materiale, sponsorizuar ose ka ofruar mbështetje financiare, materiale ose teknologjike për kompaninë ruse.
Në këtë listë janë edhe kompani e persona të tjerë që janë sanksionuar së fundi.
Këto vendime Thesari po ndërmerr për të zbatuar më tej angazhimet që liderët e G7 morën më 24 shkurt 2023 dhe 19 maj 2023. Emërtimet e shpallura sot nga OFAC dhe Departamenti i Shtetit marrin masa për të penguar aksesin e Rusisë në produktet ushtarake dhe përpjekjet e saj të luftës; të zvogëlojë të ardhurat e Rusisë nga sektori i metaleve dhe minierave; minojnë aftësitë e saj energjetike në të ardhmen; degradojnë aksesin e Rusisë në sistemin financiar ndërkombëtar dhe për t’i lënë Rusisë mungesa në teknologji që i nevojiten për sektorët e saj të teknologjisë, hapësirës ajrore dhe mbrojtjes.
“Veprimet e sotme përfaqësojnë një hap tjetër në përpjekjet tona për të kufizuar aftësitë ushtarake të Rusisë, aksesin e saj në furnizimet për fushëbetejë dhe fundin e saj ekonomik”, tha Zëvendës Sekretari i Thesarit Ëally Adeyemo.
“Për sa kohë që Rusia vazhdon të zhvillojë luftën e saj të paprovokuar dhe brutale kundër Ukrainës, ne do të vendosim sanksione për të privuar Rusinë nga teknologjia që i nevojitet dhe për t’ia pamundësuar industrisë ruse te armëve për t’u rifurnizuar”.
Serbia është vendi i vetëm në Europë, përveç Bjellorusisë, që s’i ka vendosur sanksione Rusisë. Shtetet perëndimore në vazhdimësi i kanë bërë thirrje që ta bëjë këtë por Serbia refuzon për shkak të lidhjeve të ngushta që ka me Rusinë./The Geopost/