Për herë të parë në Tiranë është mbajtur Samiti i Procesit të Berlinit që mblodhi liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe solli në rajon edhe atë evropianë. Këtë Samit e bojkotoi Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç që në vend të një Samiti evropian zgjodhi të shkojë në Kinë. Ai mori pjesë në Belt and Road Forum në Pekin.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se vizita në Kinë është shumë e rëndësishme “në kohë të vështira”. Ai paralajmëroi takime të rëndësishme dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme me Kinën, si dhe takime dypalëshe me Presidentin e Kinës Xi Jinping dhe me Wang Huning, “Kissingerin kinez”.
“Ne do të nënshkruajmë dokumente për bashkëpunimin e përgjithshëm, tregtinë e lirë, e cila është e një rëndësie të veçantë për vendin tonë. Këto janë marrëveshje themelore dhe do të ketë marrëveshje të rëndësishme për trafikun dhe infrastrukturën”, tha ai.
Përveç Presidentit të Kinës, Vuçiç pritet të takojë edhe Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, i cili do të jetë gjithashtu pjesëmarrës në këtë forum.
I pyetur nëse do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, Vuçiç iu shmang pyetjet duke thënë se nuk janë planifikuar bisedime dypalëshe, por që “sigurisht që do ta takojë atë”, si shumë liderë të tjerë, në takimin “Belt and Road”.
“Me sa kam dëgjuar, në atë takim po vijnë 24 liderë botërorë. Mes tyre është edhe Putini. Unë nuk kam një plan dypalësh me të. Hera e fundit që u takuam ishte më 25 nëntor 2021, kur thashë se do të kishte luftë në Ukrainë. Do të jetë edhe më keq në botë dhe prandaj është e rëndësishme për ne të ruajmë paqen”, tha Vuçiq.
Kina dhe Rusia deklaruan një partneritet “pa kufij” në shkurt 2022 kur Putin vizitoi Pekinin vetëm disa ditë para se të dërgonte dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, duke shkaktuar luftimin tokësor më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Vuçiç në Kinë nuk ka shkuar i vetëm. Ai me vete në Kinë ka marrë edhe një delegacion të madh serb.
Shumë anëtarë të kabinetit serb e kanë shoqëruar atë — ministri i jashtëm Ivica Daçiç, ministri i mbrojtjes Milos Vuçeviç, ministri i brendshëm Bratislav Gasic, ministri i financave Sinisha Mali, ministri i ndërtimit, transportit dhe infrastrukturës Goran Vesic, ministri i tregtisë Tomislav Momiroviç, ministrja e kulturës Maja Gojkovic, ministrja e bujqësisë Jelena Tanaskovic, ministri i Informacionit Mihailo Jovanoviç dhe drejtori i Telekom Srbija Vladimir Lucic. Ata janë planifikuar të marrin pjesë në forumin e tretë të bashkëpunimit ndërkombëtar Belt and Road.
Vuçiq u tha mediave serbe se marrëveshja, e planifikuar të nënshkruhet më 17 tetor në prani të presidentit kinez Xi Jinping, do të mbulonte 10,412 produkte nga pala serbe dhe 8,930 nga ajo kineze.
Serbia është i vetmi vend europian bashkë me Bjellorusinë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë dhe ruan lidhjen vëllazërore me të pavarësisht se është vend kandidat për BE.
Ndërkohë, në Tiranë liderët evropianë kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga grupi terrorist që u mbështet nga Serbia, sipas provave të prezentuara nga institucionet e Kosovës. Për sanksionimin e mundshëm të Serbisë ka folur Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“Duhet të ketë një hetim të plotë që më pas ne të kemi një qëndrim. Ne po presim të dhënat e hetimit dhe të do të vendosim më pas”, tha ajo.
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë samitit në Tiranë se Ballkani Perëndimor nuk duhet të jetojë me “frikën e një konflikti nesër”, duke shtuar se Serbia “po vazhdon ta kërcënojë me pushtim” Kosovën.
“Edhe njëzet e pesë vjet pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, tha Kurti duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit dhe grumbullimit të trupave serbe në afërsi të kufirit kosovar më vonë./The Geopost/