Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se testi i raketës hipersonike të Kinës gjatë kësaj jave, shkaktoi “shqetësime” për aftësinë në rritje të Pekinit, por ai tha se nuk e krahasoi atë me lëshimin nga Rusia të satelitit të parë artificial në botë, Sputnik I, në vitet 1950, njofton Zëri i Amerikës.
“Këto janë terma që unë nuk do t’i përdorja, personalisht, nuk i përdor” iu përgjigj Austin gazetarëve kur e pyetën nëse nisja e 27 korrikut ishte një “moment Sputnik”.
Austin e quajti Kinën “sfidë me një rritje të qëndrueshme” të ushtrisë amerikane, por shtoi se SHBA-ja është e fokusuar në “aftësitë e fuqishme në të gjithë spektrin” dhe jo vetëm në një aftësi specifike si armët hipersonike.
Edhe pse arma kineze humbi objektivin e saj me disa kilometra, sipas Financial Times, testi shënoi herën e parë që ndonjë vend kishte dërguar një armë hipersonike rreth Tokës. Armët hipersonike udhëtojnë me më shumë se pesë herë shpejtësinë e zërit dhe janë tepër të vështira për t’u gjurmuar.
Kina ka mohuar se ka kryer një test rakete hipersonike, duke thënë se po testonte një anije kozmike të ripërdorshme.
Në një intervistë me CBS News që u transmetua këtë javë, gjenerali John Hyten, nënkryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, pati një ton më të fortë kur diskutoi testin hipersonik.
“Është një aftësi shumë domethënëse që ka potencialin të ndryshojë shumë gjëra”, tha Hyten.
I pyetur nëse do ta krahasonte testin kinez me Sputnik, Hyten u përgjigj se “nga këndvështrimi i teknologjisë, është goxha mbresëlënëse”.
“Por Sputnik krijoi një ndjenjë urgjence në Shtetet e Bashkuara,” tha gjenerali i dytë më i lartë. “Testi i 27 korrikut nuk krijoi atë ndjenjë urgjence. Mendoj se ndoshta duhet të krijojë një ndjenjë urgjence.”
Kina ka vendosur tashmë një armë hipersonike me rreze të mesme, sipas Hyten, ndërsa SHBA-të janë ende vite larg paraqitjes së të parës.
Muajin e kaluar, gjenerali Mark Milley, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjithashtu e quajti testin kinez “shumë shqetësues”.
“Unë nuk e di nëse është një moment Sputnik, por mendoj se është shumë afër kësaj. Ajo ka të gjithë vëmendjen tonë,” tha Milley në një intervistë në Televizionin Bloomberg.
Tensionet Rusi-Ukrainë
Më herët në konferencën e Pentagonit të mërkurën, Austin i bëri thirrje Rusisë që të jetë më transparente në lidhje me grumbullimin e trupave të saj në kufirin me Ukrainën.
“Ne nuk jemi të sigurt saktësisht se çfarë po bën zoti Putin, por këto lëvizje sigurisht që kanë vëmendjen tonë,” tha ai.
Në fillim të nëntorit, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se rreth 90,000 trupa ruse ishin afër kufirit dhe në zonat e kontrolluara nga rebelët në lindje të Ukrainës.
Një grumbullim i trupave ruse pranë Ukrainës në fillim të këtij viti rriti tensionet me Perëndimin. Zyrtarët rusë thanë se trupat ishin vendosur për stërvitje për të kundërshtuar kërcënimet e sigurisë të paraqitura nga forcat e NATO-s aty pranë.
Moska aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014 dhe që atëherë ka mbështetur një kryengritje separatiste në lindje të Ukrainës.